Mobi Casa

Nevzati: Qëllimi ynë është që t`i arrijmë shkollat evropiane

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në të gjitha shkollat e komunës së Gjilanit, mësimi po vazhdon normalisht. Rendi, pastërtia, disiplina e vijueshmëria janë të kënaqshme, ka thënë Bujar Nevzati, drejtor për Arsim, në takimin e Komitetit për Arsim. “Qëllimi ynë është që t`i arrijmë shkollat evropiane, por kjo ende lë për të dëshiruar, ndërkaq krahasuar me shkollat në Kosovë, jemi shumë mirë”, ka thënë ai.

Duke nënvizuar pjesëmarrjen në garat e ndryshme komunale, kombëtare e mbarëkombëtare, të cilat i ka mbështetur Drejtoria e Arsimit, Nevzati ka thënë se nxënësit e kësaj komune kanë arritur rezultate inkurajuese, duke zënë vende të para e të dyta, siç ndodhi së fundi edhe në olimpiadën e matematikës në Durrës, ku gjilanasit morën më së shumti shpërblime.

Në Komitetin për Politikë dhe Financa janë dhënë propozimet për emërtimin e katër shkollave fillore dhe të mesme, duke u bazuar në propozimet e këshillave të shkollave, ndërkohë pritet edhe emri për shkollën e mesme të Artit, meqë te propozimi fillestar ka pasur disa dilema dhe pastaj të gjitha propozimet do të dërgohen në MASHT, i cili vendos për emërtime. Nevzati u shpreh i bindur se këta emra janë meritorë, pa përjashtuar mundësinë se ka edhe emra tjerë që mund të vendosen në institucione arsimore.

Ka propozime edhe për zëvendësimin e disa emrave të vjetër të shkollave ose të atyre që nuk përkojnë me realitetin dhe ne jemi të interesuar për të zgjidhur drejt të gjitha problemet e emërtimeve, ka thënë ai.

Njëherësh po vazhdon ndërtimi i shkollave të reja. Gjimnazi i ri do të jetë gati në shtator, meqë është liruar edhe hapësira ku ka qenë e vendosur Ekonomia e Pyjeve dhe ai objekt do të rrënohet, për të përgatitur oborrin e shkollës.

Me Karitasin e Luksemburgut kemi nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e shkollës në Kishnapolë dhe investitori e ka marrë obligim që deri në shtator ta kryej objektin. Në Shurdhan, ku Komuna e ka blerë pronën, shkollën do ta ndërtoj Komisioni Evropian, ndërsa kemi dorëzuar në MASHT- projektin për ndërtimin e shkollës së Artit Pamor dhe shkollës së Muzikës që po ashtu pritet të fillojë sivjet.

Banka Islamike ka kërkuar projekt për një çerdhe në lagjen “Dardania”. Ne e kemi përgatitur dhe dorëzuar projektin në BI dhe në MASHT dhe po shpresojmë se do të miratohet edhe ky investim, ka thënë Nevzati.

Ndërkaq, në tetor fillon punën Universiteti Publik në Gjilan dhe për këtë qëllim ne e kemi obligim ta lirojmë objektin ku tani janë të vendosur shkolla e Bujqësisë dhe Mjekësia. Bujqësia kalon në objektin e ri në lagjen “Zabeli”, ndërsa Mjekësia do të vendoset në njërin prej objekteve të gjimnazit.

Po ashtu kemi planifikuar ndërtimin e 6 fushave të sportit në fshatra. Për këto projekte, kryetari i Komunës ka ndarë 130 mijë euro. Kurse projekti i Bankës Botërore, që ka vlerën 80 mijë euro, do të shfrytëzohet për kabinetet shkollore në qytet.

Mbrëmjet e maturës janë mbajtur dhe kanë kaluar mirë, ndërsa testi i maturës mbahet më 1 dhe 15 qershor dhe DKA i ka bërë të gjitha përgatitjet që varen prej saj, ka thënë Nevzati, duke nënvizuar se sivjet, testit do t`i nënshtrohen rreth 2400 nxënës, duke llogaritur edhe ata që kanë mbetur nga vitet e mëparshme. Ai beson se nxënësit e Gjilanit do të dalin me sukses të mirë në maturë, sikurse kanë dalë edhe viteve të kaluara.

Eco Higjiena

Sa i përket ekskursionit të shkollës së gjimnazit, vitin e kaluar, për të cilin u ngrit shumë pluhur në opinion, drejtësia e EULEX-it e tha fjalën e saj para pak ditësh dhe tani u mbetet atyre që na akuzuan për manipulim e keqpërdorim dhe organizuan edhe protesta kundër nesh, që të kërkojnë falje publikisht.

DKA e ka gjykuar dhe i ka marrë masat e duhura ndaj profesorit të gjimnazit, që dyshohet për shkelje të kodit etik, duke e pezulluar atë nga puna, ndërsa pjesa tjetër i mbetet hetuesisë që ta vërtetoj dhe ta thotë falën e saj, ka thënë drejtori i Arsimit.

Jemi regjioni i parë që kemi filluar me shpërndarjen e licencave për mësimdhënës, e kemi miratuar programin zhvillimor për arsim, shumë shpejt shpallen emrat e fituesve të bursave, ndërsa ka mbetur të takohemi për rajonizimin e shkollave.

Nevzati nuk ka përjashtuar mundësinë të ketë edhe lëshime e vërejtje, në një komunë me kaq shumë shkolla e nxënës, siç ka në gjithë botën, por përgjithësisht u shpreh i kënaqur me procesin edukativ-arsimor në komunën e Gjilanit.

Drejtori i Arsimit është përgjigjur edhe në interesimet e anëtarëve të Komitetit për Arsim, Rashit Sahiti, Bahrije Veseli, Mimoza Shkodra, Saranda Bllaca, Ajtene Shahiqi dhe të tjerë, rreth mbrëmjeve të maturës, grumbullimit të mjeteve në shkolla për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga nxënësit, sallave të edukatës fizike në shkollat e reja, mësimit shtesë për maturantë, notimit, pastërtisë në shkolla dhe çështjeve të tjera nga fusha e arsimit.

Kurse sa u përket semimaturantëve, Nevzati ka thënë se është nxjerrë vendim nga kryetari i Komunës që ndalon organizimin e mbrëmje gjatë orëve të natës, por nuk i ndalon ato që të mbahen gjatë ditës.

Shkëlqim Latifi, kryesues i Komitetit për Arsim, ka vlerësuar se Drejtoria e Arsimit ka bërë një punë të mirë në sektorin e saj dhe kjo shihet edhe nga informata e prezantuar prej drejtorit.

Ai ka shprehur disa mospajtime me raportin e OJQ “Anamorava” sa i përket punës së Komitetit të Arsimit, duke thënë se kriter për vlerësimin e një trupe komunale, nuk duhet të merren vetëm diskutimet. Latifi ka thënë se ky Komitet ka qenë shumë aktiv në punën e tij, me shqyrtimin dhe rekomandimin në KPF e KK të çështjeve të sferës arsimore.

Përndryshe, Rregullorja për masa disiplinore të nxënësve, pasi të harmonizohet dhe të kalojë procedurat e nevojshme, përfshirë edhe dëgjimin publik, do të kthehet në KA për shqyrtim dhe rekomandim, në mënyrë që për vitin e ardhshëm shkollor të jetë e gatshme./rajonipress/