UBT

Nevojitet presion ndërkombëtar për dialogun Kosovë-Serbi, marrëveshja finale mund të zvarritet

/ 6 minuta lexim

Mosmbajtja e takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po e konsiderojnë si refuzim nga pala serbe.

Sipas tyre, për një marrëveshje finale mund të kontribuojnë ndërkombëtarët, por me theks të veçantë duhet të ekzistojë edhe vullneti politik i dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë.

Drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” Visar Ymeri, në një intervistë për Ekonomia Online tha se Serbia vazhdimisht ka qenë e interesuar për tema më të vogla, e procesi i dialogut të bëhet më ngadalë.

Ai thotë se duhet të bëhet presion më i madh nga BE dhe ShBA ndaj Serbisë në këtë drejtim, por që shton se procesi mund të zvarritet edhe për shkak të luftës në Ukrainë.“Tash në këtë radhë duket se refuzimi ka ardhur prej Beogradit, domethënë prej presidentit të Serbisë i cili për çfarë do arsye ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës. Mendoj që ajo që po e thotë Qeveria e Republikës së Kosovës që është faktikisht Qeveria e Serbisë ajo që po ka dëshirë që ta zvarritë procesin e dialogut, mendoj që qëndron natyrisht. Serbia ka qenë për një kohë të gjatë ajo që ka qenë e interesuar vazhdimisht që procesi i dialogut të bëhet sa më ngadalë për tema sa më të vogla e kështu me radhë, në mënyrë që të mos flitet për temën kryesore. Në këtë drejtim konsideroj që do të duhej që të kishim një lloj presioni pak më të madh nga BE dhe vendet e tjera ndaj Serbisë në mënyrë që ta merrte më seriozisht”.“Problemi është që tash jemi në një situatë jashtëzakonisht delikate për sa i përket zhvillimeve gjeopolitike në përgjithësi me invazionin e Rusisë në Ukrainë dhe kjo kam dronë që do ta zvarris procesin e dialogut edhe pse vazhdimisht proklamohet si një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme e që është e rëndësishme edhe për sigurinë në rajon. Nuk mendoj se do të kemi gatishmërinë nga institucionet e BE, vendet anëtare të BE as nga SHBA që të ushtrojë trysni të madhe në Serbinë duke e pasur këtë interesin më të madh që Serbia të anoj sa më shumë kah perëndimi, kam dronë që kjo mund të rezultojë në një proces më të zvarritur”.Ai thotë se përpos involvimi të BE e ShBA-së në këtë drejtim, duhet të ketë edhe përgjegjësi të brendshme.

Fundamenti

Ish-kryetari i Vetëvendosjes thekson se pala kosovare, dialogun duhet ta përjetojnë si fitore e jo imponim.“Mendoj që janë dy gjëra pak a shumë. Në njërën anë involvim më i madh i ShBA, i cili nuk e përjashtoj se mund të ndodh. Mendoj që kjo ka me u qartësuar shumë më shumë kur te kemi një Qeveri të re në Beograd, pra diku ka vjeshta, shtatori. Në anën tjetër mendoj që BE duhet të jep shenja më serioze të involvimit të tyre në rajon e veçanërisht të hapjes së perspektivës për vendet e rajonit”.“Mendoj që kjo do të mund të ishte një prej incentivave për vendet e rajonit që të fillojnë edhe ta transferojnë mënyrën se si bëjnë politikën, si e trajtojnë fqinjin e kështu me radhë. Po mendoj që ka edhe përgjegjësi të brendshme. Mendoj që edhe Kosova edhe Serbia, e veçanërisht Kosova në këtë rast duhet të shohin më shumë interesim te dialogu sepse dialogu nuk duhet ta përjetojmë si një diçka që në imponohet po si një diçka përmes së cilës ne mund të fitojmë”.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula thotë se pala serbe është e irrituar me vendimet e fundit të Qeverisë, për reciprocitetin e letërnjoftimeve e targave në territorin e Kosovës.

Ai thekson se edhe rezultatet janë minimale për sa i takon marrëveshjes finale, raporton EO.“Takimi i paralajmëruar në mes krerëve shtetërorë, saktësisht takimit të përfolur për një takim mes Kryeministrit Kurti dhe President Vuçiq janë arsye të shumta të cilat e kanë pamundësuar një takim të nivelit të tillë. Por, vendimmarrjet e fundit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve që rezulton nga marrëveshjet e Brukselit për sa i takon reciprocitetit për letërnjoftimet dhe për respektimin e targave brenda territorit të Republikës së Kosovës, natyrisht se ka sjell një iritim tek Qeveria Serbe. Këtë e them për faktin se ka pasur një mori deklaratash nga ana e tyre, deklarata të cilat kanë treguar dozën e irritimit dhe mbi bazën e kësaj pastaj ata janë munduar të gjejnë arsye të cilat mund të jenë të paqëndrueshme”.“Por, kështu deklarativisht është arsyetuar një tentim i tillë për realizimin e një takimi të nivelit të lartë i cili është folur edhe nga ana e emisarit special të Unionit Evropian, zotit Lajçak. Më tepër kishte të bënte edhe për shkak se ai ishte në pjesën, apo në kohën kur atij do të duhej t’i konfirmohej mandati i dytë si emisar i Unionit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe natyrisht që ai donte ta përvetësonte si një lloj suksesi të punë së tij. Për shkakun se prej kohësh nuk ka pasur suksese nga marrja e detyrës si emisar special”.

Ai thekson se Serbia në raste të caktuara ka shprehur neglizhencë duke mos treguar vullnet politik, e si pasojë e kësaj janë zgjatur edhe temat e hapura, raporton EO.“Procesi i dialogut shtyhet me neglizhencë, e neglizhenca rrjedh si rezultat i mungesës së vullnetit politik. Pra, Serbia në këtë rast, në raste të caktuara ka shprehur neglizhencë duke mos treguar vullnet politik për një fqinjësi të mirë, për një fqinjësi korrekte ndërmjet dy vendeve dhe kjo është rezultati i prolongimit të përmbylljes së temave të hapura dhe është rezultat i prolongimit të arritjes së një marrëveshje të ndërsjellët me njohje”.