Nesër prova e parë e Hersi Matmujës në Eurovision

Dita e hënë shënon edhe zyrtarisht ditën e parë të provave gjenerale dhe të parafundit para paraqitjeve shtetërore në Festivalin e sivjetmë Evropian të Këngës.
Edicioni i 59-të i festivalit nis me datë 6 maj, në natën e parë të tij dhe më pas me 8 maj e me 10 maj, në gjysmëfinalen e dytë dhe gjegjësisht finalen. Këngëtarja shqiptare, Hersi Matmuja do ta bëjë provën e saj të parë në skenën e Eurovizionit ditën e hënë, kjo me fillim nga ora 14:00 në mesditë, sipas një liste zyrtare nga Eurovision.tv
Pas provës së parë në ora 16:30, Matmuja dhe delegacioni shqiptar do të japë edhe konferencën e parë për media në Kopenhagë. E data 2 maj do të shënojë edhe provën e dytë dhe të fundit të Shqipërisë përpara se Muja të provojë fatin e saj për finalen e madhe.
Ajo do të këndojë e gjashta në radhitjen e datës 6 maj, me këngën “One Night`s Anger”. Në rrjetet sociale, Matmuja mbetet goxha dilemë për fansat nëse do të arrijë të marrë finalen e madhe apo jo. OGAE, i cili është një grup i fansave nga e mbarë Evropa dhe të cilët votojnë për këngët e tyre më të mira dhe kanë delegacionet në mbi 40 shtete, deri tani në votimin e tyre nuk i kanë dhënë asnjë pikë Shqipërisë.
Suedia, Armenia, Izraeli, Anglia dhe Hungaria shihen si favoritet e këtij edicioni.