“Nëse Thaçi vazhdon me këtë ide mund të shkarkohet”

Mosmiratimi i rezolutës së opozitës në Kuvend i ka hapur rrugë presidentit Hashim Thaçi që të vazhdojë ta proklamojë idenë e tij për korrigjim të kufijve me Serbinë. Analistët politikë vlerësojnë se i pari i shtetit po shpreson ta marrë edhe lejen nga Gjykata Kushtetuese në mënyrë që ta anashkalojë plotësisht Parlamentin për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Deputetja e partisë opozitare Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë për “Zërin” që nëse presidenti Thaçi vazhdon idenë e tij për korrigjim, atëherë, siç thotë ajo, ai mund të shkarkohet nga pozita.
“Presidenti Thaçi nuk mund të vazhdojë deri në pafundësi me këtë ide, sepse ai nuk e ka mandatin të negociojë ose të flas për shkëmbim të territorit, ose korrigjim të kufijve. Presidenti Thaçi e di atë dhe nëse një gjë e tillë bëhet ai e ka të qartë se rrezikon shkarkimin për shkak të shkeljes së Kushtetutës së vendit”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, dështimi i rezolutës për dialogun sipas deputetes së Alternativës nënkupton që patjetër duhet të tentohet të arrihet konsensusi midis partive politike.
“Dështimin e rezolutës për dialog nuk e shoh si fuqizim të presidentit, por argumentim se vazhdimësia e kësaj ideje vetëm mund t’ia rrezikojë atij pozitën si president i vendit, duke marrë parasysh se rrezikon integritetin territorial të Kosovës. Po ashtu kjo dëshmon që duhet ende përpjekje mes pozitës dhe opozitës që të ndërtohet një konsensus ose të mbyllet mosbesimi që është krijuar mes këtyre dy blloqeve”, ka theksuar ajo, shkruan më tutje “Zëri”.
Ndërsa lidhur me kërkesën e presidentit Thaçi ndaj Gjykatës Kushtetuese që t’i mundësohet atij anashkalimi i legjislativit në rast të arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë, Kusari-Lila ka thënë që një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.
“Çështja e kufijve është e ndarë nga marrëveshjet ndërkombëtare. Çështja e kufijve dhe e integritetit territorial është ekskluzivisht e garantuar me Kushtetutë dhe nuk mundet Gjykata Kushtetuese të komentojë diçka që implikon ndryshime masive, siç është ndryshimi i kufijve dhe të mos miratohet nga Kuvendi, sepse vetëm Kuvendi është organ i cili e miraton Kushtetutën dhe e mandaton presidentin dhe në rast se ka shkelje, atëherë mund të ketë edhe shkarkim të presidentit”, potencoi ajo./ZERI