Nëse nuk e krijojmë Gjykatën Speciale, Kosova merr “flakareshë” nga ndërkombëtarët
Qeveria e re, e krijuar nga koalicioni LDK-PDK si prioritet kryesor në programin e saj qeverisës e kishte themelimin e një Gjykate Speciale për krimet e supozuara nga individë brenda UÇK-së.
Ngërçi politik në fillim u pamundësoi krijimin e një Gjykate të tillë, por edhe me themelimin e institucioneve deri më tani Kosova nuk ka arritur ta krijoj këtë gjykatë kaq shumë të kërkuar nga ndërkombëtarët.
Madje janë pikërishtë SHBA-të ato të cilët me çdo kusht e dëshirojnë themelimin e Speciales.
Jo më larg se sot ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Ann-Jacobson ka bërë thirrje që të mos rrezikohet legjitimiteti e shtetit të Kosovës për hir të një numri të vogël të njerëzve që mund të akuzohen.
Ndërkohë janë partitë opozitare në vend të cilat themelimin e kësaj Gjykate janë duke e kundërshtuar plotësisht. Sipas tyre krijimi i Speciales do ta njollos luftën e UÇK-së.
Seanca për votimin e amendamenteve për krijimin e Gjykatës Speciale u shty pas votimit të deputeteve, pas kërkesës së Grupeve Parlamentare të koalicionit udhëheqës, PDK-LDK. Ndërsa edhe në mbledhjen e nesërme të Kuvendit, nuk do të diskutohet e as të votohet për Specialen pasi që tashmë rendi i ditës është caktuar.
Analistët politik mendojnë se shtyrja e seancës së votimit për Gjykatën Speciale do të rezultonte negativisht për Kosovën. Ata thonë se rreziku është evident sepse do të rrezikohej pavarësia e Kosovës dhe që vendi të përballet me “Grushtin Ndërkombëtarë”.
Analisti Halil Matoshi ka thënë se Gjykata Speciale do të bëhet edhe pa vullnetin e deputetëve Kosovar.
Sipas Matoshit, është Këshilli i Sigurimit dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara të cilat do ta formojnë atë.
”Rreziku është evident. Së pari askush nga aleatët e Kosovës nuk do ta mbrojnë më tutje pavarësinë e Kosovës para armiqve të pavarësisë dhe, së dyti, Gjykata do të bëhet edhe pa vullnetin e kosovarëve, pra nga KS i OKB-ve dhe panelet e gjykatësve do të jenë të mbushur me rusë, kinezë, kubanez e ndonjë amerikan i natyralizuar me origjinë serbe” ka thënë Matoshi.
Ndërsa analisti Artan Muahxhiri thotë se kundërshtimet e deputetëve për themelimin e Speciales janë vetëm çështje kohe.
Sipas tij ajo do të ndodh herët a vonë. Muhaxhiri ndër të tjera ka thënë se shtyrja e seancës për votimin e Speciales është bërë si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të dënimit të grupit “Drenica”.
”Deputetët të cilët janë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, janë të vetëdijshëm se ajo do të ndodhë kurdo herë. Këto vonesa dhe kundërshtime nga ana e deputetëve, janë për një kohë të shkurt por assesi ta pengojnë krijimin e saj. Kritikat janë në meditime të vonuara sepse një gjë e tillë do të duhet të bëhej më parë. Vendimi i gjykatës për grupin e ‘Drenicës’ ka ndikuar në themelimin e saj. Aty është krijuar një rrymë jo e mirë brenda pasi ata kanë lidhje me personat të cilët janë dënuar”, ka thënë Muhaxheri.
“Aprovimi i themelimit të menjëhershëm të Speciales sipas tyre i bie që kanë përqafuar dënimin e këtij grupi, dhe për këtë arsye ata e kërkuan të shtyhet dhe opinioni të përgatitet për një gjë të tillë. Por kjo është e pashmangshme” ka thënë Muhaxhiri.
Ai e ka përmbyllur duke thënë se çdo kundërshtim i Gjykatës është në dëm të Kosovës nga aleatët ndërkombëtar dhe se një kundërshtim i tillë, sipas Muhaxhirit do të ishte se Kosova është duke pranuar akuzat e Serbisë ndaj luftës së UÇK-së. /Zeri.info/


