RCCOLA

Nëntoka kriminale mban në izolim Kosovën

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Qytetarët kosovarë, por edhe bashkësia ndërkombëtare, si po duket, e kanë humbur tërësisht besimin në këtë klasë politike të Kosovës. Sipas njohësve të kësaj fushe, askush nuk e kishte menduar se do të hyjmë në vitin e 11-të të pavarësisë si shtet i krimit të organizuar dhe nëntokës së mafio-oligarkëve.

Kelmendi: Në rrethana normale do të duhej që të pasonte një reagim i madh nga shoqëria civile, sepse Kosovës nuk i duhet kjo kastë politike, e cila po e izolon shtetin

Qytetarët kosovarë, por edhe bashkësia ndërkombëtare, si po duket, e kanë humbur tërësisht besimin në këtë klasë politike të Kosovës. Sipas njohësve të kësaj fushe, askush nuk e kishte menduar se do të hyjmë në vitin e 11-të të pavarësisë si shtet i krimit të organizuar dhe nëntokës së mafio-oligarkëve.

Analistët ndërkaq thonë se Kosova është bërë një vend pa ekonomi të tregut, por me monopole, pa sundim të ligjit e me krim të organizuar, pa arsim dhe me gjysmanalfabetë, pa shëndetësi të mirëfilltë e me shumë të sëmurë, pa ulëse në OKB, pa na njohur ende pesë shtete të Bashkimit Evropian, pa qenë anëtar i Këshillit të Evropës, OSBE-së, UNESCO-s, Interpolit etj. Veç saj, sipas analistëve, shteti i Kosovës nuk e kontrollon tërë territorin e tij. Analisti politik Ymret Reshiti për “Kosova Sot” tha se ikja e qytetarëve nga Kosova për të gjetur një vend pune tregon më së miri se ata e kanë humbur besimin në këtë klasë politike. “Vetëm ngritja e vetëdijes qytetare mund ta ndryshojë gjendjen sociale në Kosovë, duke ndryshuar vetë skenën politike përmes votës, ku do ta ndëshkojë me votë klasën e korruptuar politike”, theksoi ai.

Shteti jofunksional

Sipas analistit Reshiti, Bashkimi Evropian nuk dëshiron që në familjen evropiane të pranojë politikanë të kriminalizuar, të paaftë, jotransparentë dhe autoritativë. “Kosova endë nuk ka ulëse në OKB, nuk është anëtarësuar në UNESCO, INTERPOL, OSBE, nuk e kanë njohur ende 5 vende të Evropës. Pakica serbe nuk është integruar në sistemin e arsimit dhe shëndetësisë kosovare, por kanë sistem paralel sikurse edhe komunat me shumicë serbe. Veriu i Kosovës mbetet jashtë sovranitetit të shtetit të Kosovës”, u shpreh ai.”Bashkësia ndërkombëtare nuk është e interesuar ta pranojë në mekanizmat e saj një shtet jofunksional – gjysmë shteti, ku krimi dhe korrupsioni shënojnë shifra alarmante, ku siguria ka dështuar, ku drejtësia është e kapur, ku mirëqenia sociale është e rrezikuar, ku udhëheqja politike e shtetit është e drejtuar më shumë nga lindja Turqi-Beograd-Moskë sesa nga Perëndimi, ku demokracia e brishtë po zëvendësohet nga autokracia e tipit mafioz”, vijoi më tej Reshiti. Ndërsa analisti politik Arsim Haziri për “Kosova Sot” tha se liderët kanë dështuar sa pothuajse të ardhmen e Kosovës e kanë bllokuar. “Kjo mënyrë e bërjes së shtetit është e mbrapshtë me rrugëtimin që do të duhej ta ndiqte, andaj vazhdimi i asaj mënyrë do ta dërgojë pandalshëm Kosovën në qorrsokak”, vlerësoi ai.

Hidromorava

Qeveria ‘Haradinaj’, e varur nga Beogradi

Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, thotë për “Kosova Sot” se Kosovës po i vijnë raporte të këqija nga BE-ja, në të cilat tregohet se ka regres të madh dhe në skenën politike vendore faji nuk pranohet nga askush, duke u hedhur nga njëra palë te pala tjetër. “Realisht në një situatë normale në një shoqëri civile me të fuqishme do të mund ta rriste presionin mbi qeverinë për të plotësuar kriteret, ndërkohë që edhe pse u shit toka për demarkacionin u tha se do të ketë liberalizim vizash e tashti raportet ndërkombëtare na tregojnë se Kosova ka shumë për të bërë në luftën ndaj krimit”, u shpreh ai. “Qytetarët po i izolon Mafia politike e udhëhequr nga Thaçi, Haradinaj e Veseli. Një shoqëri normale do të duhej që t’i bënte një presion më të madh institucioneve dhe zotit Haradinaj, përkatësisht qeverisë për shkarkimin e të gjithë atyre ministrave që mos t’i mbajë aty, kurse ne në Kosovë si një shoqëri nuk kemi bërë asnjë reagim”, vijoi më tej Kelmendi. “Duhet një vetëdijesim se me këtë kastë politike, me këtë imazh që e ka Kosova, natyrisht se nuk do të pranohemi në BE, sepse edhe këto njohje që i kemi janë të sponzorizuara nga miqtë tanë ndërkombëtarë e jo nga merita dhe puna jonë”, ka thënë ai.”Ajo që është tragjikomike, ky kabinet qeveritar u dorëzua para se të aplikonin në UNESCO, në vend se t’i bënin presion ata Serbisë, duke iu kërcënuar atyre se nëse na pengoni edhe kësaj radhe në synimin tonë ne do t’i shkëputim të gjitha marrëveshjet me Serbinë dhe kësisoj Serbia nuk do të guxonte të lobonte kundër Kosovës. Pra, në njëfarë mënyre Ramush Haradinaj u dorëzua para Listës Serbe që e priti për aq shumë orë kur u zgjodh kryeministër, por u dorëzua edhe para Vuçiqit, duke mos aplikuar fare për në UNESKO”, vlerësoi analisti Jeton Kelmendi.

Qytetarët të zhgënjyer

Edhe qytetarët janë të pakënaqur me këtë klasë politike dhe po kërkojnë ndryshime në skenën vendore. Kësisoj, Ismajl Muqiçi tha për “Kosova Sot” se sa më parë që është e mundur do të ishte mirë që të ndërrohet kjo klasë politike, duke ua lënë vendin gjeneratave të reja, njerëzve me kredibilitet dhe të pakorruptuar. “Nevojiten njerëz të zotë me një vizion… edhe vetëdija e qytetarëve tanë duhet që të ndryshohet në mënyrë që Kosova mos të mbetet peng dhe mos të jetë vrimë e zezë në Ballkan dhe në Evropë”, theksoi ai. “Po u vazhdua me këta politikanë ne do të mbesim jashtë çdo rrjedhe dhe integrimi evropian pasi që kjo tashmë po shihet qartë, sepse kësisoj do të jetë edhe vlerësimi i Këshillit të Evropës për Kosovën që do të na tregojë se Kosova ende ka shënuar stagnim dhe qëndron mbrapa në realizmin e kërkesave të BE-së ndaj luftës kundër korrupsionit”, vijoi më tej Muçiqi. Ndërsa qytetari Xhafer Jashari thotë për “Kosova Sot” se tash e 20 vjet kanë qenë vite të kota me këta politikanë. “Duhet që të shkulen me rrënjë këta politikanë nga politika, duke filluar që nga Albin Kurti e të tjerët që janë më të vjetër, në mënyrë që të vjen në skenën politike një gjeneratë e re, sepse me këta politikanë shteti jo që nuk do të shkojë përpara, por do të shkojë gjithmonë e më poshtë dhe do të fundoset”, theksoi ai. Qytetari Abaz Makolli për “Kosova Sot” tha se po me këtë klasë politike, ndonëse shkuan 11 vjet pas pavarësisë dhe po të kalojnë edhe shumë dekada Kosova nuk do të ketë përmirësim dhe avancim. “Andaj urgjentisht duhet që kjo klasë politike të shkojë dhe në pushtet të vjen një parti që e ka synimin e shtetit perspektivës e zhvillimit ekonomik shëndetësisë dhe arsimit”, propozoi ai. Sipas tij në Kosovë posaçërisht ka dështuar sektori i arsimit, ngase qytetarët janë mbushur me diploma të blera me para, por që nuk kanë asnjë vepër.

(Kosova Sot)