ARKATANA

Nëntoka dhe mafia sundojnë shqiptarët

/ 10 minuta lexim
Fundamenti

Analistët e fushës së politikës, duke parë mënyrën e qeverisjes që po ndodh gjithandej në dy shtetet shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri, ku krimi i organizuar dhe korrupsioni si fenomene shkatërruese të shtetit vazhdimisht po apostrofohen edhe nga ndërkombëtarët, theksojnë se është bërë një brengë e madhe në nivel kombëtar se si po arrin ta sundojë realisht këndej dhe andej kufirit “nëntoka e tej-organizuar kriminale e mafioze”, ku pushteti, si ai lokal nëpër komuna, po ashtu edhe pushtetin qendror qeveritar, është i kapur plotësisht dhe në “duart e mafisë” oligarkike e kriminale, pa miratimin e së cilës nuk merret asnjë vendim i rëndësishëm kudo e për çkado në vend, duke filluar nga komunat në Kosovë-bashkitë në Shqipëri dhe deri në qeveritë respektive, respektivisht në kryeministritë e kapura.

Pushteti dirigjohet nga grupet oligarkike këndej dhe andej kufirit

Analistët e fushës së politikës, duke parë mënyrën e qeverisjes që po ndodh gjithandej në dy shtetet shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri, ku krimi i organizuar dhe korrupsioni si fenomene shkatërruese të shtetit vazhdimisht po apostrofohen edhe nga ndërkombëtarët, theksojnë se është bërë një brengë e madhe në nivel kombëtar se si po arrin ta sundojë realisht këndej dhe andej kufirit “nëntoka e tej-organizuar kriminale e mafioze”, ku pushteti, si ai lokal nëpër komuna, po ashtu edhe pushtetin qendror qeveritar, është i kapur plotësisht dhe në “duart e mafisë” oligarkike e kriminale, pa miratimin e së cilës nuk merret asnjë vendim i rëndësishëm kudo e për çkado në vend, duke filluar nga komunat në Kosovë-bashkitë në Shqipëri dhe deri në qeveritë respektive, respektivisht në kryeministritë e kapura.

Shkëputja e këtij zinxhiri të krimit po shihet një betejë mjaft e vështirë për t’u fituar nga drejtësia e kapur dhe e degraduar edhe nga mafio-oligarkia.”Si pasojë e kapjes dhe centralizimit të pushtetit, sot në Kosovë dhe në Shqipëri sundojnë nëntokat e organizuara kriminale dhe mafioze. Në të dy shtetet shqiptare, dy nivelet e pushtetit (lokal dhe qendror) janë të kapura nga “Duart e mafisë”, të oligarkëve politikë dhe ekonomikë, të cilët kontrollojnë çdo segment shtetëror, duke filluar nga komunat në Kosovë, gjegjësisht bashkitë në Shqipëri e deri në nivelin qendror,gjegjësisht në Qeveri dhe Parlament, pa anashkaluar institucionin e presidentit të shtetit”, tha analisti Florim Zeqa. “Kështu, për fatin e keq të shqiptarëve në të dy anët e kufirit artificial, ka ndaluar ora e madhe e ndryshimeve politike, e nisur në fillim të viteve të 90-ta, me hapjen e proceseve demokratike për çlirimin shpirtëror dhe demokratizimin e një- mend të shoqërisë shqiptare. Madje në disa aspekte akrepat e orës kanë filluar së “numëruari” mbrapsht! Pra, e kemi një kthim prapa në mentalitetin qeverisës të së kaluarës”, tha analisti politik Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

Rendi dhe ligji, të sunduar

Për njohësin e afërt të këtyre raporteve, analistin Naim Kelmendi, derisa në Kosovë edhe kaq vjet pas luftës nuk sundojnë rendi dhe ligji dhe derisa politika nuk ka arritur të krijojë shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit, pushtetet dhe pushtetarët realisht po e sundojnë Kosovën nga nëntoka e organizuar kriminale e mafioze, e që në të vërtetë ky sundim i strukturave kriminale të nëntokës sikur po vazhdon edhe më tutje.”Kjo zaten mund të thuhet edhe për nivelin lokal – nëpër komuna dhe gjithashtu edhe për pushtetin qendror-qeveritar, pra të kapur plotësisht nga mafia oligarkike, e që pa ndikimin dhe kontrollin e tyre nuk merret asnjë vendim i rëndësishëm në vend, si në nivelet lokale deri tek ato qendrore qeveritare”, është shprehur ai. “Kështu që analog me këtë mund të konkludohet se qëndron gjendja edhe në Shqipëri, fatkeqësisht mbase ky fenomen është i njëllojtë i qeverisjes ndër shqiptare, e që vetëm me krijimin dhe funksionimin e shtetit të fortë ligjor, si andej si këndej në Kosovë, ku do të sundonte rendi dhe ligji, mbase do të shkatërrohej përfundimisht ky mentalitet i keqqeverisjes. Kjo mbase duhet të ndodhë pa vonesë dhe është urgjencë e paalternativë, sepse ndryshe rrezikohet qenësia e shteteve tona, por dhe po rrezikohet edhe perspektiva zhvillimore e tyre”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar po lulëzon

HW

Analisti Faton Mehmeti, në vrojtimin e tij të këtij fenomeni, thotë se si hap i parë për të sjellë ekonomi të favorshme për qytetarët është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit brenda dhe jashtë sistemit të drejtë- sisë në Kosovë, si rruga e vetme për të sjellë mirëqenie për qytetarët e këtij vendi. Luftimi i korrupsionit bëhet shumë pak, për shkak se as brenda vetë sistemit nuk ka filluar të luftohet, e aq më pak të pritet prej sistemit që të luftohet kjo dukuri jashtë saj.”Rastet e fundit po tregojnë se korrupsioni ka qenë i lartë në të gjitha sferat, e në anën tjetër nuk kemi raste që janë hetuar apo gjykuar. Ne kemi krijuar një nivel të tolerancës së krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili nga një pjesë e shoqërisë, nuk kundërshtohet, sepse në një nivel apo në një tjetër do të jetë pjesë e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duhet të jesh i korruptuar për të korruptuar një politikan për ta marrë një vend të punës dhe për të hapur një biznes”, theksoi Mehmeti. “Në Kosove dhe në Shqipëri sundon mafia e lidhur me Qeverinë, me nëntokën e cila dikton çdo veprim të qeverisë, duke qenë faktori kryesor në një vend që synon të jetë pjesë e BE dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë. Aty ku lulëzon krimi vdes drejtësia, e në Kosovë dhe Shqipëri ajo është kufomë e pavarrosur, e cila po shpreson të ringjallet pa u futur ende në varr”, tha Faton Mehmeti për “Kosova Sot”. “Oligarkët në trojet shqiptare kanë lëshuar rrënjë, ata diktojnë çdo gjë në këtë vend dhe kushdo që vjen në pushtet ata e kontrollojnë, e shantazhojnë dhe nëse ndokush nuk u bindet edhe e kërcënojnë apo e vrasin. Kemi shumë raste të vrasjeve të dyshimta të njerëzve relevantë në Kosovë dhe në Shqipëri, të cilët janë viktima të ndershmërisë së tyre në një vend ku krimi sundon çdo gjë”, tha Faton Mehmeti. Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet vende në Ballkan dhe Evropë që ende s’po munden përfundimisht të shkëputen nga e keqja, nga mafia dhe s’po janë në gjendje ende t’ia japin grushtin përfundimtar krimit dhe mafisë.

Klientelizmi ia zgjat jetën politikës kriminale

Sipas politologut Jeton Kelmendi, kjo gjendje e tillë është nga fakti se Kosova dhe Shqipëria tash e sa kohë po përballen me keqqeverisje dhe për çudi votuesi është ai që është bërë klientelist dhe po i vazhdon jetën kastës politike kriminale, sado që disa ndryshime pozitive vetëm sa po vërehen me këto zgjedhjet e fundit, por do të kërkohet kohë për ndryshime të mëdha.”Në Shqipëri është e dukshme se mafia është në pushtet, por edhe në opozitë dhe këto zgjedhje dënuan PD-në dhe kreun e saj, Basha, i cili u treguar vetëm një kopje e dobët e Berishës dhe mori dënimin e merituar nga sovrani, ndërsa Kosova është një rast tejet specifik, për shkak të orientimeve politike të partive”, ka potencuar ai.”Edhe Kosovën e ka sunduar një kastë politike me biografi jo të mirë, por në opozitë kishim një parti konsistente, VV-në, e cila diti ta përfitojë mirë rastin dhe të fitojë në zgjedhjet. Sido që të jetë, mendoj se ka lëvizje pozitive edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, sepse tani së fundi u prishën bastionet dhe nuk e kanë të sigurt më as oligarkët as partitë se fitojnë edhe kur keq qeverisin, por të dyja shteteve u duhen edhe dy palë zgjedhje për ta avancuar këtë demokraci”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

Shtetet në duart e bandave

Mirëpo, më pak optimist për ndryshime të shpejta pozitive është analisti Gani Qarri. “Në Kosovë dhe në Shqipëri, realisht tash e sa vite, po sundojnë nëntoka mafioze dhe krimi i organizuar. Fatkeqësisht si pushteti lokal edhe ministritë dhe pushteti qendror kanë rënë pre e kriminelëve dhe oligarkëve mafiozë, pa miratimin e të cilëve nuk mund të merret asnjë vendim me rëndësi. Shtetet në të cilat aktivistë të ndryshëm ende goditen në prita dhe vriten prapa shpine për qëndrimet e tyre politike, siç ndodh ende në Kosovë e Shqipëri, ato janë të udhëhequra nga nëntoka dhe krimi i organizuar, ndryshe assesi nuk mund të shpjegohet zgjatja për dekada e një gjendje të tillë. Në të dy këto vende u vranë politikanë të njohur, vrasësit e të cilëve në të shumtën e rasteve nuk u zbuluan kurrë”, theksoi ai. “Drejtësia në Kosovë nuk u arrit të vendoset as 18 vjet pas luftës, ashtu siç nuk u vendos asnjëherë as në Shqipëri. Kjo dëshmon edhe një herë më tepër se në të dy shtetet tona, që nga komunat Kosovë dhe bashkitë në Shqipëri e deri në majat e qeverive respektive, sundon nëntoka dhe krimi i organizuar, por të cilat, për fat të keq, shihet se nuk ka as kush t’i luftojë si dukuri. Elitat e kriminalizuara udhëheqëse, andej e këndej kufirit, tash e sa kohë përflitet se në luftën për pushtet përdorin edhe vrasës të paguar, për eliminimin e konkurrentëve dhe kundërshtarëve politikë”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”.

Sipas tij, aktet kriminale, çfarëdo-qofshin ato, mbjellin frikë dhe pasiguri si për qytetarët në Shqipëri ashtu edhe për ata në Kosovë, të cilët megjithatë janë të detyruar të jetojnë në vende të mundura nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, ku ligjin e bëjnë kriminelët dhe mekanizmat vrasës të nëntokës, sepse kriminelët kurrë nuk kanë bërë dallimin mes luftës dhe krimit, ata kanë vrarë çdokënd që për ta ka paraqitur pengesë të pakalueshme për pasurim të shpejtë dhe ngritje në pushtet.”Ndaj, qytetarët shqiptarë në të dy anët me të drejtë duhet të frikë- sohen nga politika në vendet e tyre, sepse shtetet të cilat udhëhiqen nga njerëz me sjellje banditeske dhe pa shkollim adekuat, ku luftohet mendimi ndryshe dhe sundohet ideologjikisht, aty nuk mund të pritet rend dhe ligj, por vetëm padrejtësi, vrasje dhe hakmarrje të vazhdueshme”, ka thënë Qarri./kosova sot/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.