Fundamenti

Nënkryetari i LDK-së: LDK-ja e respekton Kushtetutën, do ta bëjmë qeverinë gjithëpërfshirëse

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Derisa janë në pritje që kreu i LVV-së, Albin Kurti, të japë përgjigjen e tij për të mandatuarin e radhës, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po rri duarkryq. Madje kjo parti, e cila doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit, është duke punuar që të krijojë një qeveri të re së bashku me AAK-në, Nismën dhe pakicat, raporton “Zeri.info”.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për “Zërin” nënkryetari i kësaj partie, Haki Rugova, i cili ndër të tjera ka potencuar se partia e tij do të veprojë vetëm në pajtim me Kushtetutën e vendit. “Ne sigurisht që do të veprojmë konform Kushtetutës së vendit. Të shohim, tash jemi duke pritur emrin e mandatarin të ri, nëse nuk ka, atëherë kalojmë në faza të tjera. Është një çështje e cila nuk është dashur të bëhet temë aktualisht, sepse duhet të veprohet tutje”.

Mobi Casa

Ai ka thënë se meqenëse Qeveria aktuale është në ikje, vendit i duhet një qeveri gjithëpërfshirëse, derisa të kalohet pandemia botërore COVID–19. “Qeveria është në ikje dhe Kosovës i duhet një qeveri e re me një konsensus të të gjitha subjekteve politike derisa të shkohet në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen gjithsesi, mirëpo derisa të kalojë situata e pandemisë unë mendoj që është mirë të bëhet kjo qeveri”, shtoi tutje Rugova.

Duke theksuar se LDK-ja është e përkushtuar ta respektojë Kushtetutën e vendit, nënkryetari i LDK-së deklaroi po ashtu se duhet të respektohet vullneti i mbi 80 deputetëve që votuan pro mocionit për rrëzimin e qeverisë “Kurti”. “Shpeshherë unë po dëgjoj që po thonë qeveri legjitime dhe jolegjitime. Po supozoj, nëse mbi 80 deputetë votuan pro mocionit, atëherë nuk mund t’i quajmë ata jolegjitimë, sepse ata janë deputetë që kanë ardhur aty me vota të deputetëve. Kjo duhet të vendoset në bazë të rregullave dhe të ligjeve të Kushtetutës së Kosovës, ajo është e vetmja formë dhe ajo i pajton gjitha palët në fund. LDK-ja është e përkushtuar të veprojë në këto vija, në këtë formë”, ka thënë Rugova. /ZERI