UBT

Nehat Osmani: Kryeuzurpatorët nuk mund të luftojnë uzurpatorët

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Sfilatat e shpeshtuara të kryetarit Haziri dhe drejtorëve të tij, sikur jemi dëshmitarë kohëve të fundit, por edhe më parë, po mbizotërojnë skenën e rënduar politike të Komunës së Gjilanit, kryesisht të shoqëruara me krekosjet dhe satisfaksionet shterpe të kryetarit Haziri e drejtorëve të drejtorive të tij për përvetësimet e sukseseve imagjinare të qeverisjes së tij. Megjithatë, jashtë ëndrrës, romantizmit, iluzioneve e emocioneve të tyre….na zgjon realiteti i zymtë, vrazhdësia e një qeverisjeje kozmetike “Alla Luta” të mishëruar nga shumë anomali e interesa, nga tepër pak drejtësi dhe nga asnjë pikë shprese ka thënë Nehat Osmani i LVV.

Fjalimi i plotë i Nehat Osmanit

Kthehemi pra e flasim për këtë botë…, për komunën tonë nga prizmi i syrit optik të një qytetari të thjeshtë të Gjilanit.
Osmani ka thënë se Komuna e Gjilanit po ballafaqohet me mungesën më të egër të ujit të pijshëm viteve të fundit,
– punëtorët e komunës së Gjilanit po përjetojnë diskriminimin më flagrant të të drejtave të tyre e kryetari Haziri vetëm sa u shton vuajtjet duke zgjatur orarin e punës në dëm të tyre,
– karvani i gjatë i ikjeve masive të qytetarëve nga komuna jonë është më i madhi në Kosovë,
– rastet korruptive të zyrtarëve të tij,
– pronat e uzurpuara sa vien e rriten e shumë të tjera.
Kësaj radhe për shkak të kompleksitetit të këtyre temave dhe aktualitetit real ne do fokusohemi dhe trajtojmë vetëm“PRONAT E UZURPUARA DHE UZURPATORËT”
Sa mirë që pas një presioni të vazhdueshëm të LVV përmes kërkesave të përsëritura nëpër të gjitha instancat komunale dhe institucionale, duke filluar nga komitetet përkatëse, në seancat e përsëritura, ekspozetë e të gjithë asamblistëve të LVV veç e veç e të sinkronizuara, mekanizmave tjerë medial e publik, përmes prononcimeve publike, kumtesave zyrtare, më pas duke na u bashkangjitur edhe zëra tjerë të opozitës, më në fund drejtoria për GJKP ka publikuar listën e “UZURPATORËVE DHE PRONAVE TË UZURPUARA” por natyrisht jo me vullnetin e kryetarit Haziri siç thuhet në komunikatë, dhe sa keq në të njëjtën kohë, që në këtë listë nuk kanë listuar emrat e tyre, institucionet e tyre, subjektin e vet.
– Kështu që tani kemi në shqyrtim dy lista. Ato zyrtare dhe tjetrën të heshtur. Edhe në njërën edhe në tjetrën dominojnë njerëzit e Lutës, drejtorët e tij, jaranët e tij, subjekti i tij. Në shqyrtim do mbajmë edhe një listë paraprake të publikuar më 2009, sa për krahasim.
Do hasim në të gjetura interesante:
1. Nuk është zgjidhur asnjë kontest uzurpimi dhe nuk është liruar asnjë objekt i uzurpuar që nga viti2009
2. Janë shlyer uzurpatorë nga regjistri i vjetër pa mos zgjidhur statusin e kontesteve pronësore
3. Mos gatishmëria e pushtetit për të hulumtuar rastet dhe mbrojtur pronën publike, ka nxitur qytetarët, zyrtarët, në uzurpime të reja.
4. Numri i pronave të uzurpuara është rritur dukshëm që na shpien te disa konstatime:
a). se qeveria aktuale dhe kryetari komunës nuk kanë vullnet të kthejnë këto prona publike,
b). nuk kanë aftësi të luftojnë këto dukuri,
c). nuk janë të interesuar të procedojnë lëndët në prokurori.
rrjedhimisht një indikator i qartë për paaftësinë e tyre për të udhëhequr me komunën dhe për tu ballafaquar me problemet reale të komunës.
Pashmangshëm na shtrohet pyetja kruciale ndoshta në këtë çështje.
Si ka mundësi që KRYEUZURPATORËT TËLUFTOJNË UZURPATORËT?
Ne themi s’ka mundësi. Qytetarët duhet të thonë: s’ka mundësi.
Por Më tepër se lista e publikuar NEVE na brengos lista e heshtur apo lista e fshehur.
Edhe sa shokë tjerë e zyrtarë të Lutës janë në këto lista, cilat institucione, cilat subjekte? Këto janë dilemat që rëndojnë mbi qytetarët tanë e subjektin tonë.
Përse mundohen me aq ngulm të mbulojnë gjurmët e zhdukin kontekstin, prolongojnë zbardhjen? Me siguri Ata e dinë qëllimin sikur ne e dijmë shpjegimin.
E shpjegimi është se ATA vet janë brenda tyre. LDK-ja dhe PDK-ja janë uzurpuesit më të mëdhenj në komunën tonë. Ata tashmë 20 vite kanë uzurpuar selitë e tyre dhe askujt nuk i japin llogari. Dhe nuk figurojnë në listë. Apo ndoshta Lutfi Haziri nuk e di që shtëpia e tij e dytë është në pronë të uzurpuar. Sikur ta dinte mbase do ta publikonte, sikur ta dinte nuk do të vendoste bustin e presidentit historik të LDK-së Ibrahim Rugova në pronë të uzurpuar. Jemi të bindur që vet presidenti Rugova nuk ndihet rehat aty, po të mundte do kërkonte të largohej nga ajo hapësirë apo do kërkonte të legjitimohej ajo.
E shpjegimin thelbësor do duhej t’na jepnin ata vet. Le t’na tregojnë pra si do t’veprojnë me këto raste:
– do t’i detyrojnë të lirojnë ato prona,
– do t’i legjitimojnë uzurpatorët dhe pronat e uzurpuara,
– do t’i detyrojnë të paguajnë pronën e uzurpuar dhe dëmet retroaktivisht të shkaktuara ndër vite apo
– do vazhdojnë të figurojnë edhe më tej si prona të uzurpuara në listat e pluhurosura të qeverisë suaj dhe të vazhdojnë të shfrytëzojnë në kontinuitet benefitet e keqpërdorimeve në njërën anë e në anën tjetër(çka është shumë më e rëndësishme dhe kruciale në kohën aktuale) të trimërojnë e nxisin apetitet e uzurpatorëve tjerë potencial.
Por para se të bëjnë këtë, le ta bëjnë një tjetër “punë të hajrit”, do t’jenë të rrallat që mbase bëjnë:
Le tu tregojnë qytetarëve si do veprojnë KËTA me pronat e tyre të uzurpuara, publike e individuale, të bashkëpunëtorëve ideologjik e shpirtëror të tij, që me shembullin tuaj personal ashtu sikur me shembullin tuaj personal keni edukuar e nxitur ndër vite qytetarët ta kuptojnë e pranojnë korrupsionin, hajninë, nepotizmin, uzurpimet si dukuri të zakonshme, mbase të natyrshme saqë sinqerisht tani qytetarët e komunës sonë nuk dinë të bëjnë dallimin çka është e ligjshme, çka është e ndershme dhe çka është e nevojshme që ata të ndërtojnë një jetë të dinjitetshme për veten dhe fëmijët e tyre.

Mobi Casa

Po të zgjedhin të ligjshmen, të drejtën, do ruajnë pastërtinë shpirtërore të vetes e brezave që trashëguan por do humbin mirëqenien sociale të vetes e brezave që do t’i trashëgojnë. Po të zgjedhin të dytën, të kushtëzuar nga të pandershmit, do bëhen si këta vet, do marrin ndonjë kockë a leckë e do njollosin të ardhmen e vetes e fëmijëve të vet. Nëse ekziston e para s’mund të ndodhë e dyta e aty ku shfaqet e dyta e para ka liruar që më parë vendin që i takon.

Para se të shtrojmë edhe njëherë pyetjen e imponuar “Si ka mundësi që KRYEUZURPATORËT TË LUFTOJNË UZURPATORËT”? le t’na tregoj kryetari Haziri kur do t’i liroj hapësirat e uzurpuara të selisë së LDK-së tashmë 20 vite, apo do të legjitimoj këtë pronë padrejtësisht të pronësuar, apo të filloj të paguaj qiranë, të na tregoj nga cilat fonde do paguaj për 20 vitet e kaluara në shfrytëzim.

Edhe sa shumë të tjera pyetje të ngjashme do mund të shtrojmë e përgjigje nuk do gjejmë, edhe sa shumë të tjera shkelje kriminale do evidentojmë e shkelësit nuk do dënojmë se ligjin e gjykatësit vet caktojnë dhe epilogun gjithashtu vet përcaktojnë ka thënë Nehat Osmani. /rajonipress/