KKVITI

Negociohet mes mbrojtjes e prokurorisë rasti i Flamur Shaqirit

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Avokati mbrojtës Shemsedin Piraj ka kërkuar ndërhyrjen e EULEX-it për të sqaruar rastin e Flamur Shaqirit , procesi gjyqësor ndaj të cilit është kthyer nga pika zero me vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës. Piraj tha se familja e të akuzuarit Shaqiri me vullnetin e mirë të njerëzve janë pajtuar me familjen e të ndjerit Remzi Buzuku dhe tani në pyetje vjen negocimi për pranimin e fajësisë, por kjo po kundërshtohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit.

Rasti i Flamur Shaqirit i gjykuar për vrasjen e Remzi Buzukut dhe plagosjen e 11 personave tjerë në kafiterinë “Cabana” në vitin 1999 ka hapur debat profesional mes avokatit mbrojtës Shemsedin Piraj dhe përfaqësuesve të Prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Avokati mbrojtës Shemsedin Piraj thotë për rajonipress se gjithçka ka nisur për të hyrë në procesin e negocimit të fajësisë pasiqë Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer në rigjykim lëndën e Flamur Shaqirit dhe pasiqë familja e të dëmtuarit kanë arritur të pajtohen me ndërhyrjen e njerëzve vullnetmirë.“Pasi janë krijuar këto rrethana unë i kamë bërë një kërkesë zyrtare Prokurorisë Themelore të Gjilanit që të marrë parasysh procesin e negocimit të fajësisë pasiqë kisha biseduar me vet klientin Flamur Shaqirin i cili edhe ishte pajtuar për çështjen e negocimit” tha Piraj.

Piraj tha se marrëveshja për pranimin e fajësisë si institucion i rëndësishëm nëpërmjet të cilit mundësohet që i akuzuari të pranon faji e në këmbim të kësaj të pranojë lehtësira të caktuara që lidhen me dënimet përkatësisht sanksionet penale nuk po zbatohet si duhet në Kosovë.

Piraj ka marrë një përgjigje negative nga Prokuroria Themelore e Gjilanit për të cilën thotë se interpretimi i dispozitave ligjore lidhur me lehtësirat të cilat duhet t`i përfitojë i akuzuari gabimisht po interpretohen nga kjo prokurori.

Piraj nuk ka heshtur , por ka gjetur një rrugë tjetër për të kërkuar ndihmën e prokurorëve të EULEX-it. Ai i ka shkruar zyrtarisht kryeprokurores së EULEX-it Jonatan Ratel nga e cila kërkon ndërhyrjen e saj për të sqaruar rastin e Flamur Shaqirit dhe për të definuar se kush ka të drejtë në këtë rast rreth procesit të negocimit të tij.”Konsiderojë se është e arsyeshme ndërhyrja e prokurorëve të EULEX-it me qëllim të gjetjes së drejtë dhe ligjore lidhur me negocimin për pranimin e fajësisë me të akuzuarin Flamur Shaqirin” thuhet në kërkesën e Piraj drejtuar kryeprokurores Ratel.

Ndërkaq kryeprokurori i Prokurorisë Themelore Jetish Maloku tha për rajonipress se rasti i Flamur Shaqiri është në proces të negocimit me avokatin mbrojtës dhe të vet të akuzuarin.”Ky është rasti i dytë në Kosovë ku zbatohet pranimi i fajësisë dhe unë e kam autorizuar prokurorin i cili shumë shpejt edhe do të vendos për rastin” tha Maloku.

Hidromorava

Ndryshe Flamur Shaqiri kishte ikur nga burgu dhe ishte strehuar në Amerikë ku rastësisht ishte vërejtur nga ish polici i UNMIK-ut, dëshmitarë në këtë rast. Gjykata e Qarkut në Gjilan e kishte dënuar me 19 vite burgim derisa Gjykata Supreme e Kosovës e kishte ngritur këtë dënim në 20 vite. Së fundit Gjykata Supreme e ka anuluar edhe vendimin e Gjilanit edhe të vet Supremes duke e kthyer rastin në rigjykim.

Ndryshe Gjykata e Qarkut në Gjilan e kishte dënuar Flamur Shaqirin më 25 nëntor 2011 , me 19 vite burgim për veprën penale “vrasje e rëndë”. Pas ankesave të palëve Gjykata Supreme e Kosovës e kishte ngritur dënimin për një vit më shumë duke shkuar në 20 vite burgim.

Sipas aktakuzës ai dyshohej se më 28 nëntor 1999 në kafiterinë “Cabana” pas një mosmarrëveshjeje me Bajram dhe Kemajl Bunjakun, i revoltuar në sjelljet e tyre së pari ka thyer xhaminë e kafiterisë, pastaj është larguar nga aty dhe pas 10 minutave është kthyer sërish dhe pa paralajmërim dhe me dashje direkte me pushkën automatike AK-47, ka shtënë në mënyrë rafalë në kafiteri, ku e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Remzi Buzukun, ndërsa ka tentuar t`i privojë nga jeta Mohamet Moharrem-polic i UNMIK-ut nga Kajro, Ali Mustafa polic i UNMIK-ut, Jeton Mahmutin, Bajram Bunjakun, Burim Sylën, Selami Dubovën, Hysen Shkodrën, Halit Jakupin, Refik Hasanin, Fadil Hotin dhe Driton Shabanin.

Të gjithë këta persona sipas aktakuzës ishin duke festuar për ditën e 28 Nëntorit dhe që të gjithë kanë kërkuar ndihmën e spitalit të Gjilanit dhe disa edhe janë udhëzuar në Qendrën klinike kirurgjike në Prishtinë si dhe në spitalin ushtarak të Bondstillit.

Shaqiri akuzohej për vrasje të rëndë dhe ndaj tij kanë dëshmuar 14 dëshmitarë. Gjatë hetuesisë, Flamur Shaqiri nuk e ka pranuar veprën.”Në ditën kritike më 28 nëntor 1999 kam kremtuar për festën e Flamurit dhe kam ndërruar kafiteritë duke qenë nën ndikimin e alkoolit, mirëpo momenti kritik nuk më kujtohet, se me automatik kam privuar nga jeta Remzi Buzukun dhe kam lënduar 11 persona të tjerë”është shprehur ai.

Shaqiri për 12 vite ishte fshehur jashtë Kosovës. Ai kishte ikur nga burgu dhe ishte arratisur në Amerikë. Atje rastësisht ishte vërejtur nga polici i UNMIK-ut nga Kajro i cili edhe ishte i plagosur në ditën kritike. Pasi ka lajmëruar policinë amerikane Shaqiri është arrestuar dhe është dorëzuar tek autoritetet kosovare.

Shaqiri në Amerikë kishte ndryshuar edhe identitetin dhe kishte bërë jetë komode në SHBA. Ka pasur mjaft mospajtime nga palët e dëmtuara edhe gjatë shqiptimit të dënimit po edhe për tërë rrjedhën e procesit ./rajonipress/

Mund të ju interesoj: