Nebojsha Simiq ka vozitur i dehur mbi 153 km/h

Gjilan – Nebojsha Simiq nga Budrika e Poshtme e Parteshit është paraqitur në seancën e parë gjyqësore që po e udhëheq gjykatësja Emine Salihu. Simiq dyshohet për veprën penale “ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”. Simiq dyshohet se nga aksidenti me veturën e tij duke vozitur i dehur dhe me shpejtësi mbi 153 km/h ka vdekur pasagjerja Aleksandra Gavrilloviq.
Është krijuar një situatë e tendosur të mërkurën në Gjykatën Themelore të Gjilanit. Gjykimi i filluar sot ndaj Nebojsha Simiqit (1988) nga Budrika e Poshtme e Parteshit ka ngjallur interesim si tek publiku ashtu edhe tek avokatët raporton rajonipress.
Gjykatësja Emine Salihu nuk e ka lejuar ekipin e rajonipress që të bëjë foto me arsyetimin se gjykimi i Simiqit ishte shumë i ndjeshëm.
Seanca e parë gjyqësore ka filluar me kërkesën e avokatëve mbrojtës Azem Vllasi e Ymer Huruglica rreth marrëveshjes për pranimin e fajësisë, por trupi gjykues e ka refuzuar propozimin me arsyetimin se kërkesa është bërë për një vepër penale që parasheh dënim më të lehtë.
Avokati mbrojtës i palës së dëmtuar Aleksandra Gavrilloviq, Shemsedin Piraj tha për rajonipress se vendimi i trupit gjykues ishte i drejtë.
Aktakiuza e ngritur nga prokurori Arben Kadriu e ngarkon Nebojsha Simiqin me vendbanim në Cyrih të Zvicrës se më 20 korrik 2013 në magjistralen Gjilan – Ferizaj, në Partesh i pandehuri duke drejtuar automjetin e tij nën ndikim të alkoolit dhe nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve, ashtu që i njëjti ka shkelur ligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor.
Simiq duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve në rrugë, duke vozitur automjetin në gjendje të dehur, nga shpejtësia ka humbur kontrollin mbi automjetin, lëshon shiritin e rrugës dhe kalon në anën tjetër, rrokulliset disa herë dhe përfundon i përmbysur në rrugë, ku si pasojë e këtij aksidenti lëndime të lehta pësojnë i pandehuri dhe pasagjeri Dragan Periq kurse nga plagët vdes pasagjerja Aleksandra Gavrilloviq.
Në aktakuzë thuhet se në bazë të ekspertizës së komunikacionit shkaktarë i aksidentit është i pandehuri Nebojsha Simiq, i cili nuk e ka përshtatur shpejtësinë derisa sipas simulimit kompjuterik i njëjti në gjendje të dehur ka lëvizur në shpejtësi prej 153 km/h.
Gjykimi ndaj Nebojsha Simiqit vazhdon më 18 shtator./rajonipress/