UBT

Në zgjedhjet e ardhshme LDK do të qeverisë me Gjilanin

/ 23 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Në një intervistë për Rajonipress , Lutfi Haziri flet për zhvillimet politike në Gjilan, për qeverisjen aktuale,për rolin e LDK-së në asamblenë komunale, për forcimin e LDK-së dhe dëshirën për ta rimarrë pushtetin,për Izmi Zekën e Qemajl Mustafën, për ultimatumin dhënë Mustafës, për dosjet e PDK-së, për procesin e decentralizimit,për rolin e tij si deputet,për kandidimin e tij për kryetar të Gjilanit etj.

Lutfi Haziri ka qenë kryetar i Kuvendit Komunal 2000-2005 dhe më vonë anëtar i Qeverisë së Kosovës në detyra të ndryshme si zëvendëskryeministër dhe ministër i MAPL-së, deputet i Parlamentit në dy legjislatura dhe aktualisht Kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane. Në kuadër të angazhimeve për pushtetin lokal ka udhëhequr delegacionin e komunave të Kosovës në kongresin e pushtetit lokal dhe regjional të KE-së në Strazburg. Aktualisht është edhe kryetar i degës së LDK-së në Gjilan.

Rajonipress: Zoti Haziri jeni në krye të një subjekti politik në Gjilan që ka fuqi edhe në Asamblenë Komunale edhe në organet tjera ekzekutive. Cili është roli i LDK-së në qeverisjen komunale?

Haziri: Roli i LDK-se është rol shumë konstruktiv në qeverisjen komunale,LDK shumë herë ka paraqitur alternativa të reja në favor të qytetarëve të Gjilanit,LDK ka qenë kundër secilës iniciativë apo projekt që ka qenë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe me interesat e qytetarëve të Gjilanit, nuk jemi parti bojkotuese jemi parti e hapur dhe pranojmë çfarëdo iniciative që është në interes të qytetarit dhe në interes të ligjeve në fuqi, nuk bllokojmë asamblenë komunale ashtu siç kanë bërë më parë partia që sot udhëheq me qytetin.

Vetë fakti që LDK ka udhëheq me komunën e Gjilanit prej vitit 2000 e deri në fund të vitit 2007 tregon qartë për rolin themelues dhe ndërtues që kemi pasur në komunë. Ndërtimi i institucioneve komunale, themelimin e organeve të komunës, vendimmarrje të hapura dhe transparente, prioritete në debat me qytetarët, plane zhvillimore lokale, e mbi të gjitha angazhim konstruktiv me partitë politike shoqëritë civile dhe institucionet tjera në komunë. Kultura jonë shtetërore është kulturë ndërtuese, por si partia më e madhe opozitare me 14 ulëse në Asamble ne po ballafaqohemi me një politikë diferencuese dhe përjashtuese të subjektit që sot udhëheq me Gjilanin.

Rajonipress: A është LDK në krye të detyrës dhe sa është e fuqishme ajo për tu përballur me sfidat që edhe i keni paralajmëruar,siç janë bojkoti dhe zhvillime tjera ?

Haziri: Mos harroni LDK sot përfaqësohet shumë fuqishëm në kuvendin komunal, pjesë e këtij kuvendi janë 14 zëra të LDK-së që përfaqësojnë shumë denjësisht interesat e qytetarëve të Gjilanit, si njerëz shumë profesionist,me eksperiencë shumë të madhe politike dhe ekspert të lëmive të ndryshme, ata kanë obligim që t`i mbrojnë interesat e qytetarit.

LDK në asnjë rast në asnjë mënyrë nuk i ka shërbyer negativisht pushtetit komunal. Ekzistojnë shume raste që LDK ka ngrit dhe adresuar çështje në organet kompetente që merren me mbrojtjen e ligjshmërisë, dhe padyshim ka raste që LDK ka dal fitimtare në adresimin e këtyre çështjeve.

Pra nga ajo që thash më lartë LDK do t`i përdor të gjitha mekanizmat legal dhe demokratik me qëllim që qytetari të mos jetë objekt i kësaj qeverisje, por të jetë subjekt serioz.

Po ju përmendi faktin se kemi adresuar mbi 54 kërkesa zyrtare që përfshin edhe interesin e qytetarëve e jo vetëm të subjektit politik. Fatkeqësisht duhet të themi se reagimet janë të vonshme apo nuk ekzistojnë fare.

Kërkesat tona lidhen me projekte, investime, projekte kapitale siç është lumi Mirusha, rekomandime konkrete siç është Arsimi Shëndetësia, subvencione siç është rinia sporti, kategoria sociale, mbrojtja e veteranëve të luftës, invalidëve, pensionistëve dhe kategorive të tjera e mbi të gjitha lidhet ngushtë edhe me zhvillimin dhe rritjen e Gjilanit përmes investimit të infrastrukturës, zhvillimit të bujqësisë, mbështetjes së biznesit lokal dhe zhvillimit lokal ekonomik.

Rajonipress: I keni dhënë ultimatum Qemajl Mustafës dhe Izmi Zekës. Sa realisht mundë të jetë serioz ky kërcënim dhe a donë të thotë kjo që LDK nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e punës në Asamblenë Komunale.

Haziri: Ne kemi kërkuar përgjigje në kërkesat tona të ligjshme që i kemi adresuar në adresë të këtyre pushtetarëve. Ne kemi kërkuar gjithashtu që ata të jenë transparent dhe të hapur sepse i obligon ligji, është obligim ligjor për pushtetin që t`i përgjigjet secilës kërkese që LDK adreson në adresë të tyre. Ata kanë bërë një zgjidhje të gabuar sepse edhe atëherë kur janë munduar të përgjigjen në disa kërkesa janë përgjigjur me një cinizëm të paparë dhe jo profesional ku ka edhe raste reagimesh ku pushtetarët kanë fyer njerëzit profesionist të LDK-së, por ata po harrojnë se LDK përfaqësohet po sa ata në kuvendin komunal.

Zeka i jashtëligjshëm

Për LDK-në ushtruesi i detyrës i asamblesë komunale është i jashtë ligjshëm, prej momentit kur është zgjedhur si zëvendës ministër në Qeverinë e Kosovës.
Konventa Evropiane prej nga buron ligji për qeverisjen lokale nuk lejon asnjëherë që autoriteti qendror të ndërhyj e lëre më të udhëheq me pushtetin lokal.

Sa i përket zotit Mustafa roli i tij është i qartë si i zgjedhur i qytetarëve përkundër që mënyra se si kanë kaluar zgjedhjet në komunën e Gjilanit për mes tri rundeve dhe proceseve të dyshimta zgjedhore ne megjithatë e kemi pranuar zgjedhjen e tij, por me udhëheqjen e tij po tregon pa fuqi karshi presioneve partiake në vendimmarrje, punësimeve partiake, ndarja jo e drejtë e investimeve publike, dështime në projekte kapitale i pa mbështetur nga qeveria e tij, diskriminues ndaj biznesit privat i pa drejtë ndaj biznesit të vogël dhe familjar sepse ua ka trefishua tarifat komunale dhe favorizues dhe me konflikt interesi në biznese ku tash më publikisht edhe Gjykata për Kundërvajtje e ka konstatuar vlerësimin e Agjensionit Kosovar kundër Korrupsionit.

Besimi i qytetarëve në LDK mbi të gjitha

Këshilltarët Komunalë nga radhët e LDK-së do t`i ftojnë drejtorët e drejtorive në raport para komiteteve, G.P i LDK-së do ta fton Kryetarin e komunës para asamblesë komunale, kryesia e LDK-së do të kërkon që ministrit respektive të ndërhyjnë në vendosjen e ligjit dhe ligjshmërisë në komunën e Gjilanit në mënyrë që të stabilizohet institucioni komunal në të kundërtën ne nuk kemi shumë alternativa pos të ndahemi nga kjo vendimmarrje e keqe në asamblenë komunale, nga kjo qeverisje e keqe komunale dhe të zbatojmë forma alternative të opozitës. Besimi i qytetarëve në LDK është mbi të gjitha dhe nuk lejojmë që ky besim të zbehet.

Rajonipress: Keni akuzuar disa herë Qemajl Mustafën dhe qeverisjen e tij. Çka nuk pajtoheni me të, në cilat fusha e segmente dhe çka kishit bërë ju ,po të ishit në vend të tij.
Përkundër akuzave tuaja në adresë të pushtetit lokal asnjë veprim hetimor nga njerëzit që janë në pushtet nuk është ndërmarrë. Ndërkohë është një kuadër i LDK-së që udhëheq një spital rajonal e që ka aktakuzë të ngritur. Si e komentoni ju këtë zhvillim dhe a dëmtohet LDK-ja nga hetimet e një anëtari të kryesisë?

Haziri: Pjesërisht kësaj pyetje ju përgjigja në pjesën time të përgjigjes më lartë.
Kryetari i komunës është përfaqësuesi më i lartë i zgjedhur në nivelin komunal dhe ai duhet të jetë i barabartë në raport me qytetarin, partitë politike përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të gjithë ata që kanë interes të përditshëm me shërbimet komunale e jo të jetë udhëheqës i kushtëzimeve çfarë ka ndodh me vendimet mbi kushtëzimet me shërbimet publike, kushtëzime në shërbime komunale dhe ekskluziv në raport me kërkesat e përditshme që parashtrohen duke lejuar që vartësit e tij të sillen me injorancë, ofendim, dhe kërcënues në raport me opozitën si dhe “miqve” e “dashamirëve” partiak tu jep pronë komunale në mënyrë të paligjshme e të zhyt komunën në miliona euro borxhe në mënyrë të padrejtë .

LDK nuk merret me dosje

Gjilani është qendër administrative regjionale më e madhe në Anamoravë ,gjykatat funksionojnë të pavarura sa i përket LDK-së dhe ne nuk ndërhyjmë në pavarësinë e tyre.
Ne besojmë në gjyqësinë kosovare. Prokuroria dhe Policia e Shtetit janë dy institucione të besueshme për ne të cilat punojnë në përputhje me Ligjin. Nuk ju takon partive politike që të merren dhe sillen në rolin e gjykatësit dhe policit që njerëzit nga PDK-ja e kanë pasur në kohën kur kanë qen opozitar në Gjilan.

Një dosje prej 1600 faqesh është dorëzuar në Prokurori nga Qemajl Mustafa në atë kohë përkundër proceseve gjyqësore asnjë fakt dhe asnjë rast nuk është mbyllur në dëm të LDK-së. Gjithë ata që janë akuzuar nga Lidershipi i PDK-së në Gjilan në raport me LDK-në para gjyqit kanë dalë të drejtë dhe të pastër.

LDK-ja nuk merret me dosje nuk pranon dhe lejon që të merret me dosje sepse është metodë e kulturës së vjetër politike dhe shantazhit të llojit të vet, por të gjeturat nga institucionet e Kosovës si auditori i pavarur, auditori i brendshëm, policia dhe prokuroria e shtetit dhe në fund përfundojnë në gjykatë.
LDK nuk rrinë duarkryq karshi shkeljes së ligjit, por ato do t`i kërkon vetëm përmes gjyqësorit të konfirmohen dhe të vendosen përfundimisht.

Sa i përket lakimit të një anëtari të Kryesisë i cili ushtron një detyrë shtetërore. Drejtori Regjional i Spitalit zgjidhet nga ministri i Shëndetësisë dhe i përgjigjet MSH-së.
Nën menaxhimin e tij CRS-ja është zhvilluar në infrastrukturë, kuadro dhe ka përmirësuar dukshëm menaxhimin institucional dhe shërbimin që ofron spitali.

Vet fakti që ka pas një mbështetje të vazhdueshme dhe ka thith edhe donacione që është ky i fundit me autoambulancat tregon qartë se besimi në menaxhim është forcuar.
Fatkeqësisht kundër Xhavit Hajdarit po pretendohet të organizohet një fushatë për largimin e tij nga detyra e drejtorit. Padrejtësisht po vendoset në një presion partiak duke dashur që ti vidhet vendi dhe të parapërcaktohet drejtori tjetër. Gjykata do ta thotë fjalën e vet në rastin e një vendim rregulloreje mbi tarifat në spital e cila sipas MSH-së është e ligjshme.

Rajonipress: Jeni deputet në Kuvendin e Kosovës. Sa keni qenë aktiv për ta bindur Qeverinë e Kosovës që mos ta anashkalojë rajonin e Anamoravës.K a mjaft akuza në drejtim të juajin dhe deputetëve tjerë se po qëndroni vetëm si kukulla në Parlament?

Haziri: Unë jam në mandatin e dytë si deputet në Kuvendin e Republikës. Nga pozita e zëvendës kryeministrit jam zgjedh deputet në janar të vitit 2008 dhe kam filluar aktivisht ta ushtroj detyrën e deputetit.

Dështimi u adresohet deputetëve të PDK-së

Gjërat kanë qenë më mirë në raport me investimet në Gjilan deri në vitin 2009. Unë kam ushtruar detyrën e GP- të LDK-së ndërsa tani jam Kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane. Specifikisht për komunën e Gjilanit kam punuar jashtë zakonisht shumë për projektin kapital për lumin Mirusha, hapjen e vendkalimit kufitar Stanqiç, ndërtimin e rrugëve Gjilan – Bujanoc, Gjilan – Preshevë, Gjilan – Ferizaj dhe Gjilan – Prishtinë , të drejtat civile dhe politike të qytetarëve shqiptarë nga Presheva dhe Bujanoci, projekte në infrastrukturë në arsim shëndetësi, sport e kulturë, por duke qen deputet i opozitës unë do të thoja që në radhë të parë dështimi u adresohet deputetëve që vijnë nga radhët e PDK-së sepse ka munguar një koordinim më i mirë i bashkëvendëseve dhe një presion i përbashkët në raport me Qeverinë,përkundër që jam shumë i angazhuar në liberalizim të vizave dhe integrimeve evropiane

Gjilani nuk ka mbetur asnjëherë jashtë angazhimeve të mia, Jam shumë i lumtur që jam bashkëthemelues i projektit kufitar Gjilan- Preshevë – Kumanovë në të cilin marrin pjesë 17 komuna të tjera por edhe këtu nuk kemi progres përkundër që ka qen projekti i pranuar edhe në Bruksel.

Gjilani ka diplomë të paqes edhe nga Këshilli i Evropës të cilën ia solli qeverisja e LDK-së përmes së cilës do të fitohej bileta e investimeve dhe donacioneve të mëdha, por askush nuk investon kur Qeveria Thaçi 2 e injoron dhe e dërgon në depresion ekonomik jo vetëm Gjilanin, por gjithë rajonin e Anamoravës. Këtu mungon bashkëpunimi komunë – deputet – qeveri i konfirmuar edhe nga vetë zoti Mustafa.

Rajonipress: A e ka merituar Anamorava një injorim të këtillë kur dihet se taksapaguesit gjilanas përbejnë një pjesë të madhe të buxhetit të Kosovës.

Haziri: Sipas shënimeve që posedon dega e LDK-së në Gjilan taksapaguesit e Gjilanit në forma të ndryshme që përfshin bizneset, doganat, tatimet tjera kontribuojnë në qeverinë e Kosovës me 110 milion euro. Ky kontribut tregon qartë se sa të diskriminuar në aspektin buxhetor nga Qeveria jemi ne qytetarët e Gjilanit.

Padrejtësi më të madhe se mos me marr pjesë me 15 % që ne i japim nuk ka. Asnjë projekt kapital nuk po ecën mbarë, asnjë privatizim nuk ka përfunduar mirë, asnjë premtim nuk është realizuar, asnjë fjalë e premtuar nuk është mbajtur ,por kjo logjikë e diskriminimit nga qendra po vazhdon duke e vendos nga qyteti i Gjilanit në raport me fshatrat. psh. Diskriminohen në investime vende si Zhegra, Cërnica, Pogragja, Dobërqani në raport me investimet komunale.

Kjo logjikë diskriminohet edhe brenda qytetit duke lënë lagje si Arbëria, Dardania , Zabeli apo Dheu i Bardhë. Gjithçka është kozmetike duke tentuar që të mbulohen gjurmët dhe plagët e pashëruara në mungesë të prezencës së shtetit e komunës.

Rajonipress: T`i kthehemi degës së LDK-së në Gjilan. A jeni plotësisht i angazhuar që LDK-ja në Gjilan të kthehet ndonjëherë në pushtetin lokal?

Haziri: Ne jemi te angazhuar maksimalisht qe qytetarit tanë t`i kthejmë dinjitetin. Ne po punojmë pandërprerë që ta shtrijmë aktivitetin tonë në secilën anë duke mobilizuar strukturat tona nga aktivet, nëndegët dhe dega, pra jemi më shumë se kurrë afër qytetarit.

Mobi Casa

Në zgjedhjet e ardhshme LDK do të qeverisë me Gjilanin

Angazhimi jone lidhet direkt me kërkesat dhe brengat që kanë qytetarët tanë dhe jemi të bindur se në zgjedhjet e ardhshme LDK do të qeverisë me Gjilanin.

Po ashtu ne do të ndërtojmë komunikim edhe me shoqërinë civile dhe qytetarin e Gjilanit duke i vendosur ata në plan të parë për hartimin e programit qeverisës komunal dhe pronar të vetëm të këtij programi do të jenë qytetarët.

Ne jemi të vetëdijshëm se kemi pasur lëshime e kemi bërë gabime në të kaluarën kur kemi qeverisur ,por kjo nuk mund të përsëritet më. Mësimet e nxjerrura nga qeverisja 2000-2007 janë dhe mbeten mësimi më i mirë se Gjilanit duhet t`i kthehet qeverisja e mirë, transparenca, involvimi i qytetarëve në vendimmarrje dhe funksioni i saj çfarë duhet ta ketë një qendër administrative në një pjesë të Kosovës. Gjilanasit e meritojnë një qeverisje e cila e garanton të ardhmen më të mirë.

Rajonipress: A mendoni se duke qëndruar larg bazës,larg njerëzve dhe aktivistëve të LDK-së mund të ktheni besimin e gjilanasve për ta rimarrë pushtetin e humbur?
A po forcohet LDK-ja në Gjilan dhe çfarë pritet në të ardhmen nga ky subjekt politikë,pos akuzave të së shtunave në adresë të pushtetit?

Haziri: Unë do të thoja që tash jam larg qendrës si Prishtina e më afër Gjilanit si qytet. Unë jam nga këtu dhe si deputet dhe përfaqësues i zgjedhur jam i përqendruar në zhvillimin e komunës së Gjilanit në veçanti.

LDK-ja çdo ditë po forcohet jo vetëm për shkak të kësaj mënyre të keqe të qeverisjes, por mbi të gjitha se ajo po unifikohet mes veti dhe po afrohet tek qytetari. Filozofia Rugoviane po forcohet për interes të zhvillimit të Gjilanit dhe Kosovës. Të rinjtë e Gjilanit po afrohen më shumë duke u bërë motor i lëvizjes dhe rezistencës demokratike për një Gjilan me shpresa.

Gratë e Gjilanit çdo ditë e më shumë po bëhen kreator të politikave dhe përkrahëse të zhvillimit si dhe sektorët e kategori të tjera po e gjejnë veten në komisione punuese dhe në politik bërje me ne.
LDK –ja është parti e qytetarëve dhe jo e funksionarëve dhe sa herë që qytetarët sikur tani kanë pasur rolin e tyre LDK ka dal fituese.

Rajonipress: A është Lutfi Haziri kandidatë për kryetar të Gjilanit. Nëse po, cili do të jetë vizioni i juaj për Gjilanin Evropian?

Qëllim kryesor kthimi i LDK-së në qeverisje

Haziri: Lutfi Haziri është kryetar i Degës së LDK-së në Gjilan dhe i vetmi prioritet i imi është që ta zhvilloj degën e LDK-së dhe të angazhohem sinqerisht për përgatitjen e subjektit politik që në zgjedhjet e ardhshme të del fitues. Përderisa nuk ka kërkesa ligjore apo edhe të kryetarit të LDK-së për debatin mbi kandidaturat mendoj se është e hershme të flitet për emrat e prëveçshëm.

Por për tu përgjigjur në interesimin tuaj unë mund të them edhe këtë ,që përderisa të jem kryetar i Degës asnjë opsion nuk përjashtohet për derisa qëllim kryesor mbetet rezultati dhe kthimi i LDK-së në qeverisje.

Rajonipress: A ka kandidatë tjetër pos jush LDK për tu përballur ta zëmë me Qemajl Mustafën apo ndonjë kandidatë tjetër?

Haziri: LDK ka shumë emra të çmuar e potencial për të konkurruar denjësisht e për të fituar gjithkund nga grupet tjera politike. Mënyra se si ne i përcaktojmë kandidatët është e rregulluar dhe ne i përcaktojmë përmes një debati të brendshëm, konstruktivitetit dhe konsensusit e jo me diktat e delegime çfarë ndodhë në subjektin tjetër

Rajonipress: Keni qenë kryetar i Gjilanit më herët. Çka do të kishit vepruar tani po të ishit në pozitën e Qemajl Mustafës. Çka do të kishit veçuar në agjendën tuaj të investimeve.

Haziri: Siç e thash edhe më herët kam qen kryetar i komunës së Gjilanit prej vitit 2000 deri në fund të dhjetor të vitit 2004.

Jam krenar që jam kryetari i parë legjitim dhe i falënderohem LDK-së për besimin dhe mbështetjen që ma ka dhënë në atë kohë. Po ashtu jam krenar që aktivitetin tim institucional e kam filluar në gusht të vitit 1999 si zv. Kryetar i komunës.

Në këtë detyrë kam qen i angazhuar të ndërtoj shtet e institucione dhe e kam arrit përmes një procesi pajtimi politik, e bashkëpunimi me të gjithë. Po ju përkujtoj që buxheti i parë në Gjilan ka qen 70.000 marka gjermane e barasvlershme me 35.000 euro sot. Por nuk ka qen e rëndësishme paraja atëherë çfarë është sot.

Ne kemi ndërtuar institucione me qytetarët dhe kemi themeluar buxhetin e parë komunalë për interes të qytetarëve. Sot paraja është bërë interes i komunarëve e po dëmtohet interesi i qytetarëve për kundër që është 20 milion euro kemi arritur buxhetin komunal ende mbetemi të pakënaqur në krahasim me investimet në komunat tjera.

Sot komunës i duhen investime në projekte kapitale si përfundimi i lumit Mirusha, rregullim i kolektorit të ri për ujërat e zeza, menaxhimi i drejtë i deponisë së mbeturinave e cila nga një qendër më e mira në Ballkan është bërë vendi i sëmundjeve, ndërtimi i rrugëve kryesore në komunën e Gjilanit, lidhja e Gjilanit me autostradën e kombit, bashkëpunimi dhe mbështetja e biznesit privat në komunën e Gjilanit, zhvillimi dhe ndërtimi i qendrave të biznesit, mbështetja dhe zhvillimi i bujqësisë, bashkëpunimi ndërkufitar i domosdoshëm dhe hapja e vendkalimit në Stanqiç , transparenca në vendimmarrje, largimi i gjitha kushtëzimeve për qytetarë ulja e tarifave ndaj bizneseve familjare dhe private mbështetje dhe subvencion rinisë kulturës dhe sportit e mbi të gjitha kujdesi ndaj pensionistëve dhe të moshuarve.

Rajonipress: A ndihet fajtor Lutfi Haziri për procesin e decentralizimit. Ku qëndron zanafilla e këtij sherri që e sakatoj Gjilanin. Në fakt kush e ka iniciuar i pari këtë projekt?

Nuk ndihem fajtor, por krenar për decentralizimin

Haziri: Të falënderohem për pyetjen. Nuk ndihem fajtor, por ndihem krenar për këtë proces.
Decentralizimi si mjet i bisedimeve në zgjidhjen statusit të Kosovës ka sjellë 17 shkurtin e vitit 2008.
Gjilani nuk ka humbur asgjë pos që ka dekoncentruar dhe pranuar që një pjesë e qytetarëve të qeveriset vet siç është rasti me Parteshin apo Kllokoti i Vitisë apo edhe Ranillugu i Kamenicës.

Nuk kam dëgjuar asnjë ankesë që Pasjaku ka ndonjë ankesë në raport me Artanën, por aty kemi shkollë të re rrugë të reja, punësime më shumë në Komunë e së fundmi edhe xhami të re. Nuk e di a mundet t`i bind dikush qytetarët t`i kthej në qeverisje të Gjilanit. Kryetari i Parteshit është denoncuesi i parë i strukturave paralele dhe ka mundësuar që policia e Kosovës të vepron.

Kllokoti po shndërrohet në qendër urbane. Argumenti i dytë është që nuk janë lejuar korridore dhe krijime të hapësirave dhe plane të Serbisë në Anamoravë, por është përkthye në të drejtë të qytetarëve për qeverisje lokale dhe tani më në këto vende kemi investime më shumë qeverisje më transparente se sa vetë Gjilani.

Argumenti i tretë është që për shkak të prezencës së serbëve të Kosovës në këto vendbanime ne i kemi ofruar njerëzve të drejta e jo të tjerëve. Kemi eliminuar korridorin Mitrovicë – Vushtri – Obiliq – Lipjan apo edhe Mitrovicë – Istog e Mitrovicë – Kamenicë, si skenar serb.

Mund të flitet shumë për këtë proces, por unë do të thoja se pse nuk vazhdoi decentralizimi me Zhegër, Hogosht apo edhe Roganaj e Pozhoran, sepse sa më afër qytetarit pushteti është më i vlerësuar dhe fundja edhe më i pranuar, zaten ky është standard të cilën Kosova do të detyrohet ta bëj për shkak të integrimeve në BE.

Të gjithë ata që kanë kundër argumente dhe dëshirojnë komuna të mëdha të tipit të komunave të “Titos” ato kanë qenë komuna të kontrolluara dhe qeverisura nga një parti dhe një regjim, dhe të gjithë ata që vazhdojnë me pas kundër argumente sipas parimit të pakos së Ahtisarit viti 2012 në të cilin jemi tash shënon vitin e vlerësimit të funksionalizimit të decentralizimit në Kosovë.

Nëse nuk pëlqehet decentralizimi mund të rishikohet

Është vit i cili e realizon kërkesën time në atë kohë që ky proces duhet të rishikohet se sa funksional është. Nëse nuk është funksional dhe nuk pranohet e pëlqehet nga qytetarët mund të rishikohet dhe anulohet në tërësi.

Unë jam për një rishikim sipas mandatit ,por në tri pyetjet e mia parlamentare kryeministri është përgjigjur se kur të vjen koha do të ndodhet e koha po ecën, sepse në vitin 2013 rishikohet sektori i sigurisë ku FSK-ja pritet të shndërrohet në Ushtri të Kosovës, nëse nuk përgjigjet Kryeministri prapë me kohën e tij.

Këto mandate ndërkombëtare duhet të respektohen për interes të vet zhvillimit të proceseve në Kosovë e jo për diçka tjetër.
Fjala e fundit është që sektori i pushtetit lokal në Kosovë duhet të reformohet detyrimisht për shkak të qeverisjeve të këqija, burgosjeve të kryetarëve të komunave shkarkimeve të zyrtarëve komunalë dhe tjetërsimit të pronës komunale.

Kjo ndodhë pas rishikimit të ligjit mbi zgjedhjet lokale dhe ligjit për vetëqeverisjes lokale e jo vetëm për shkakun që qytetarët serbë të Parteshit apo ata turq të Mamushës kanë përfituar statusin e Komunës.

Gjilanit 17 shkurti përveç luftës, sakrificës rezistencës aktive i ka dhënë edhe adutin dhe argumentin kryesor bashkësisë ndërkombëtare, gatishmërinë për të jetuar afër njëri tjetrit dhe për të qeverisur qytetarët secili aty ku ka përgjegjësinë.

Rajonipress: Zoti Haziri a mund të na sqaroni abstenimin tuaj në Ligjin për kodin penal.

Haziri: Abstenimi im në leximin e tretë në kodin penal që lidhet me nenin 37, 38 dhe 39 lidhet me pakënaqësinë time për trajtim të kësaj çështjeje nga ana e Qeverisë e jo e Parlamentit.

Involvimi i presidentes për ta rregullua këtë interes ka treguar që partitë që janë në pushtet shfrytëzojnë atmosferat politike për qëllimet e tyre të ngushta partiake.
Qeveria ka qen sponsor i këtij ligji dhe nuk është dashur që ta sjell Ligjin me probleme në Kuvend, sepse sikur që dje ka dërguar prapë ligjin pas dorëheqjes së Kuçit, prapë në Kuvend e që këtë veprim ka mundur ta bëj edhe më herët./rajonipress/