Eko Higjiena

Në vizitë te vila e Izet Qazimit, atje ku bëjnë roje kosheret e bletëve

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Jemi në javën e dytë të janarit, në kulmin e dimrit. Bora ka mbuluar male dhe shtigje e reshjet e saj nuk kanë të sosur.

Në periferi të Tërnocit, ngjitur shpatit të një mali, gjendet një ndërtesë e bukur e ngritur me dërrasa druri dhe disa hapa më tej përreth saj janë të vendosura kosheret e bletëve të mbuluara me borë.

Kjo është Vila e Izet Qazimit, vëllait të ish Komandat Lleshit, alias Ridvan Qazimi, dëshmorit të kombit, një nga udhëheqësit e UÇPMB-së dhe kryenegociator i bisedimeve me palën serbe dhe NATO-n, gjatë periudhës së konflikteve të armatosura në Luginë të Preshevës.

Personazhi i reportazhit tonë Izet Qazimi, është një bletar i njohur jo vetëm në Tërnoc, por edhe më gjerë në rajon. Ai, ka zgjedhur profesionin e bletarisë nga pasioni për ta zhvilluar një biznes familjar, shumë të çmuar e të adhuruar nga njerëzimi.

Historia na mëson se bletaria është e lashtë sa vetë njeriu. Duke bërë fjalë për gjurmët e bletarisë iliro-shqiptare, studiuesit thonë se ilirët kanë qenë bletarë të shkëlqyer dhe mjeshtër të mirë të prodhimit të mjaltit.

Statistikat e dëshmojnë se “një bletë në një vit mjaltë prodhon sa 1/12 e një luge çaji. Imagjinoni sa bletë duhen për të prodhuar mjaltë sa për të gjithë njerëzit”. Gjithashtu, një bletë duhet të shëtis nëpër 1500 lule për të siguruar nektarin për mjaltë. Mjalti një ushqim i ëmbël, që nuk prishet kurrë, sjell dobi të panumërta për shëndetin e njerëzve, duke shëruar shumë sëmundje.

Uji Dea

Mjalti, ky biznes i i ëmbël, që nuk njeh kufij, është mjaft i përhapur në Komunën e Bujanocit, e që sipas një llogarie ka më shumë se 7000 koshere bletësh e mbi 18 bletarë, të cilët sa vijnë e shtohen.

Në mesin e këtyre bletarëve është edhe Izet Qazimi, i përmendet për punën e zellshme në fushën e bletarisë dhe mjaltin e pastër e të papërzier, pa patur nevojë të shitet në treg, meqë vijnë vetë klientët për ta kërkuar në shtëpi pa pyetur rreth çmimit e sasisë.

Izet Qazimi, ka një përvojë pesë gjatë vjeçare në kultivimin e bletarisë, të cilën e ka arritur në saje të punës dhe përkushtimit. Në fillim me pak koshere bletësh për të arritur në 170 sish, nga të cilat përfiton mbi 3000 kilogram në vit. Ai, merr pjesë nëpër panaire e seminare lokale dhe rajonale të organizuara në Luginë, Kosovë e Shqipëri.

Përveç profesionit të bletarisë Izet Qazimi, ka hapur edhe një biznes tjetër familjar, atë të Kompanisë bioteknologjike “Pastrimi”, e cila ofron larjen dhe tharjen me cilësi të lartë të tepihut dhe në këtë drejtim nuk ka kokurrencë.

Moto e veprimtarisë së tij “Jepi jetë ambientit ku jeton”, është shembull i mirë i këtij veprimtari të zellshëm si Izet Qazimi, për të mos qenë barrë e shoqërisë për një vend pune, në këtë krizë të thellë ekonomike nëpër të cilën po kalon Lugina e Preshevës dhe Tërnoci, vendlindja e Komandant Lleshit. / Reportazh i Jetapress-it/