Në Viti shënohet 16 vjetori i bombardimeve mbi caqet serbe
Viti – Në sheshin “Richard Holbroke” në Viti, është mbajtur një tubim me rastin e 16 vjetorit të bombardimeve të NATO-së mbi caqet serbe, sulmo këto që ndikuan drejtpërdrejt në ndaljen e represionit dhe çlirimin e Kosovës.
Me këtë rast kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka falënderuar forcat veri atlantike për intervenimin e tyre në Kosovë, intervenim i cili mbrojti popullatën e pambrojtur të Kosovës dhe të cilin e kishte kërkuar për 20 vite rresht ish-presidenti Rugova, u shpreh Haliti.
Ai ka përmendur kontributin e dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, si dhe të miqve ndërkombëtar, të cilët me mundin dhe sakrificën e tyre, sollën lirinë që e gëzojmë sot. Kjo ngjarje u organizua Këshilli i Veprimit Rinor Lokal i Komunës së Vitisë, ndërsa për të pranishmit është shfaqur një film i shkurtër me pamje të luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Njëkohësisht edhe gjatë ditës, është zhvilluar një ndeshje në volejboll në qendër të qytetit, që i dedikohej falënderimit për forcat veri atlantike në përvjetorin e sulmeve për çlirimin e Kosovës./rajonipress/


