Në Viti mbillen lule e drunjë dekorativ për ditën ndërkombëtare të tokës

Viti – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës sot në Viti, nga institucionet komunale të udhëhequra nga kryetari i komunës Sokol Haliti me bashkëpunëtorë, pjesëtarë të KFOR-it amerikan, pjesëtarë të policisë, drejtorë të drejtorive e zyrtarë komunal, punonjës të institucioneve arsimore, punonjës të kompanisë së pastrimit “Eco Higjiena”, Njësisë së zjarrfikësve dhe të tjerë janë mbjellur lule dhe drunjë dekorativ në parkun e qytetit dhe në disa pjesë tjera të qytetit në Viti.
Aktivitetet kanë filluar nga parku i qytetit, ndërsa Haliti u shpreh se qëllimi i këtij aktiviteti është vetëdijesimi i qytetarëve për mbrojtjen e ambientit.
Ai i njoftoj se vitin 2025 përmes një vendimi e ka shpallur si vit të mbrojtjes së mjedisit dhe të pyjeve në këtë komunë dhe bëri me dije se komuna e Vitisë është duke synuar të krijoj një park në hapësirë prej mbi 1 hektarë brenda Vitisë.
Përndryshe Dita e Tokës është një ngjarje vjetore që shënohet në të gjithë botën me 22 prill, për të demonstruar mbështetjen për mbrojtjen e mjedisit./rajonipress/