Në Viti flitet për arsimin shqiptar në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë
Gjilan – Në Viti është mbajtur konferenca shkencore për arsimin shqip në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ku u fol për rolin dhe sakrificat në zhvillimin e arsimit shqiptar në periudha të ndryshme.
Në këtë manifestim shkencor e kulturor, morën pjesë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, përfaqësues të institucioneve lokale, profesor universitar etj.
Fjalën e rastit e mbajti kryetari I komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi i cili ndër të tjerash tha se kaluan 100 vite përpjekje, sakrifica të shumta të gjeneratave për lirinë dhe pavarësinë tonë kombëtare për të cilën kishin punuar dhe vepruar atdhetarët më të devotshëm të kombit tonë. “Shqipëria dhe shqiptarët vijnë në këtë përvjetor, më të fortë se kurrë më parë. Vijnë me suksese të radhitura në të gjitha fushat e jetës, andaj për të gjitha këto kemi arsye të ndihemi krenar, kemi arsye të mburremi sepse kemi kaluar moment mjaft të vështira dhe të rënda por kemi arritur suksese të mëdha”, tha kryetari Arifi.
Me kumtesë në këtë konferencë u paraqitë prof.dr Isak Shema i cili foli për zhvillimin e arsimit shqiptar në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ai tha se arsimi ka ndikuar fuqishëm në zhvillimin perspektiv të njerëzimit. “Për të sendërtuar vizionin e ndritur dhe ardhmërinë e popullit shqiptar, janë angazhuar shumë breza në vazhdimësi për të cilat ehe në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë shprehin mirënjohjen më të thellë. Ne I nderojmë me këtë rast, të gjithë ata të cilët dhanë kontributin në zhvillimin e arsimit dhe edukimit”, tha Shema. Ai mandej ka përmendur edhe themelimin e shkollave të para shqipe në Anamoravë, konkretisht në Stubëll të Epërme dhe Pozheran të komunës së Vitisë, si dhe ka shpalosur fakte dhe argument të procesit të zhvillimit të arsimit shqip në periudhën që nga viti 1900 e deri më sot.
Ndërsa prof. Ramush Leka ka prezantuar kumtesën “Korniza e Kurrikulës Para universitare e Republikës së Kosovës”. Ndër tjerash Leka ka theksuar se Ministria e Arsimit duke u bazuar në përvojat e vendeve tjera, zhvillon dokumente të cilat vërtet e ndihmojnë përmirësimin dhe sigurimin e cilësisë, siç është dokumenti i Kurrikulës së Kosovës që është dokument i ri i miratuar tani, por i rishikuar nga korniza e mëhershme e zhvillimit të arsimit në Kosovë.
Në këtë konferencë shkencore, me kumtesa u paraqitën edhe prof.dr. Qëndrim Gashi “Çfarë duhet matematika dhe çfarë matematike i duhet shkollës sonë?”, mr. Safete Statovci-Shala, Letërsia shqipe në tekstet shkollore të gjimnazit 2000-2010, prof. Fran Gjergji me kumtesën për Shkollat e para shqipe në komunën e Vitisë dhe prof. Mustaf Kadriu me temën për vlerësimin e arsimit.
Konferenca shkencore për arsimin shqiptar në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, u organizua nga Ministria për Arsim, Shkencë dhe Teknologji dhe komuna e Vitisë, respektivisht Drejtoria për Arsim./rajonipress/