Në Viti 10% aksidente më pak se viti i kaluar
Viti – Ndërkohë duke folur për periudhën e raportimit një vjeçar, togeri Burim Musliu theksoi se gjatë vitit që po e lëmë pas, pra 2023, krahasuar me vitin e kaluar, kemi më pak raste për 10 %. Sa i përket aksidenteve në komunikacion, vitin 2022 janë shënuar 96 aksidente, kurse gjatë vitit 2023, janë 76 raste.
Gjendja e Sigurisë në Komunën e Vitisë, është vlerësuar e qetë dhe stabile dhe krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit janë shënuar më pak raste që prishin rendin dhe qetësin publike, u tha në mbledhjen e shtatë të rregullt të Këshillit Komunal për Siguri në bashkësi për komunën e Vitisë.
Zv. Kryetari i komunës Hasan Aliu, kryesues i këtij këshilli, duke folur rreth situatës së sigurisë, tha se ka qenë një periudhë kryesisht e qetë dhe stabile, përkundër disa rasteve aksidentale, konkretisht rastit të fundit në Gërmovë ku humbi jetën një qytetare e komunës së Vitisë, si pasojë e një aksidenti të komunikacionit.
Ai gjithashtu kërkoi një angazhim që situata e sigurisë të jetë e tillë edhe në ditët në vazhdim, kur kemi ardhje të mërgimtarëve për pushimet dimërore, si dhe kremtimin e festave të fundvitit, në mënyrë që të kalohen ato pa eksese.
Togeri Burim Musliu, nga stacioni policor në Viti, bëri të ditur një raport një mujor të rasteve që kanë ndodhur në komunën e Vitisë, ku tha se për gjatë periudhës nga mbledhja e fundit e KKSB-së, në fillim të nëntorit e deri më tani, kanë ndodhur 4 raste të dhunës në familje, 1 aksident me fatalitet, 8 persona të arrestuar për grabitje.
Ndërkohë duke folur për periudhën e raportimit një vjeçar, togeri Musliu theksoi se gjatë vitit që po e lëmë pas, pra 2023, krahasuar me vitin e kaluar, kemi më pak raste për 10 %.
Sa i përket aksidenteve në komunikacion, vitin 2022 janë shënuar 96 aksidente, kurse gjatë vitit 2023, janë 76 raste.
Në këtë mbledhje, koordinatori i EVSB-së Imri Emërllahu, paraqiti një sërë kërkesash dhe shqetësimesh të qytetarëve të komunës së Vitisë, si nevoja prioritare që kërkojnë zgjidhje që lidhen me rrezikshmërinë në rrugë, shenjave të komunikacionit, qentë endacak etj.
Në këtë mbledhje, u prezantua plani i punës së KKSB-së për vitin 2024, sikur edhe u dha një Informatë rreth raportit të punës së këtij këshilli për periudhën janar-dhjetor 2023, të cilat i paraqiti Ibadete Hyseni, zyrtare për Barazi Gjinore dhe anëtare e KKSB-së.
Në fillim të kësaj mbledhje, para se të votohej për rendin e ditës, disa nga anëtarët e këtij këshilli paraqitën shqetësimin e mos kompensimit të anëtarëve për mbledhjet e mbajtura këtë vit, gjë që rezultoi edhe me lëshimin e mbledhjes nga tre anëtarët e KKSB-së, Bujar Ostërgllava, Adnan Zenuni e Shyqeri Halabaku./rajonipress/