Në vend të vrasjes, strehimore për qentë endacak

Gjilan – Komuna e Gjilanit e para ka mbështetur kapjen e qenve endacak dhe jo vrasja e tyre. Me mbështetjen e kryetarit të Komunës dhe të angazhimin në terren të zyrtarëve nga Drejtoria e Bujqësisë, sot në Gjilan ka nisur kapja e qenve endacak prej “shoqatës për strehimin e qenve dhe maceve të Kosovës së Jugut”, e cila për gjashtë muaj do të mbaj qentë të strehuar dhe rehabilitimin e bënë vet shoqata me mjetet e saja dhe për këtë periudhë komuna nuk do të financoj asgjë, ngase është ofruar shërbim falas prej shoqatës. Pas kësaj kohe Komuna e Gjilanit do ta vazhdoj projektin duke bashkëpunuar me shoqatën.
Me këtë rast Alban Spahiu, veterinar në drejtorinë e Bujqësisë, ka thënë se tash e tutje eliminimi i qenve siç ka ndodhur vite më parë më nuk do të ndodhë, por do të bëhet një formë tjetër, pra kapja dhe strehimi i tyre. “Nga shoqata do të bëhet tash e tutje vetëm trajtimi human i qenve, duke filluar nga kapja, e deri tek strehimi i tyre. Qentë sipas tij në këtë shoqatë do të sterilizohen dhe pastrohen, do të kenë mbikëqyrjen e mjekut dhe specialistëve dhe do të jetë një shumim më i kontrolluar i qenve endacak. Njëkohësisht Komuna ka shprehur disponimin që të përkrahë këtë projekt edhe pas gjashtë muajve, sepse interes është largimi i qenve endacak dhe ruajtja e tyre në një qendër siç është ndërtuar ajo në Zhegos nga ana e kësaj shoqate. Kjo shoqatë në disa fusha poashtu do të jap edhe më tutje asistencë falas, falë mbështetjes që ka nga qendra në Holandë, ka potencuar Spahiu.
Ndërsa, Mentor Gashi, zëvendës drejtor i organizatës ka thënë se punë e tyre është mbledhja e qenve dhe maceve në gjithë Kosovën, mirëpo këtë projekt e kanë filluar në Komuna të caktuara. “Ne kemi marrë mbështetjen shumë të madhe nga ana e kryetarit të Komunës Qemajl Mustafa dhe nga drejtoria e Bujqësisë dhe është Komuna e parë që ka pranuar të bashkëpunoj me organizatën tonë në këtë drejtim. Ndërtimi i strehimores është bërë me shpenzime të organizatës dhe strehimi i qenve në këtë strehimore në gjashtë muajt e parë bëhet me shpenzime të organizatës ku hyjnë mirëmbajtja, ushqimi, mjekimi, rehabilitimi, sterilizimi, pastrimi, kastrimi, etj dhe pas gjashtë muajsh është detyrë e Komunës ta vazhdoj projektin, sepse në të kundërtën ne si shoqatë përsëri i kthejmë qentë në rrugë. Gashi ka thënë se shpenzimet e një qeni të rritur për një muaj janë rreth 40 euro ndërsa për të vegjlit e tyre është 20 euro në muaj” tha Gashi.
Ndryshe, Komuna e Gjilanit për ruajtjen e sigurisë së qytetarëve, në mungesë të strehimores në këtë anë, ka bërë vrasjen e tyre përmes shoqatave të ndryshme, ndërsa tash e tutje siguria do të jetë edhe më e madhe, sepse kapja e qenve do të bëhet në vazhdimësi dhe përkujdesja institucionale do të bëhet edhe për qentë. Strehimorja e qenve endacak është në përfundimin e rregullimit të saj dhe inaugurimi i saj do të bëhet më datën 11 shtator 2013, në fshatin Zhegoc të Komunës së Gjilanit./rajonipress/