UBT

Ne udbashët!

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Xhemal Ahmeti – Dy paranoja i lënë pa gjumë kosovarët: SHIK-u i Kadri Veselit dhe UDB-a jugosllave. S’ka debat, polemikë e ngatërresë pa këto dy vampirë. Nuk ka rëndësi se a flitet për ekonomi, politikë, kulturë apo bujqësi shiku dhe udba janë aty: Si zgjidhje, si formulat që «ndriçojnë» gjithçka. Ato veprojnë si lugetër besnikë në mendësinë e një vendi të pamësuar me lirinë.

Për «krahun e luftës», ozna dhe udba nuk paskan vepruar vetëm në kohën kur Kosovën e sundonte aparati shumetnik jugosllav nga Beogradi, por ato të ripagëzuara më shkurtesa të reja përdhunokan edhe sot e kësaj dite jetën e kosovarëve. Jo si dikur me agjentë sadistë, të veshur me pardesytë lëkurëzezë, nga Shumadia, Gjilani, Strumica apo Gjakova, por nëpërmjet vetë vendorëve ish-titistë që nuk duruakan dot lirinë pa ish-Jugosllavinë. E këta, udbashët, paskan parti të mëdha, gazeta, televizione, institucione, paskan shumëçka.

Ish-pacifistët deshkan ta vrasin historinë për t’i pranuar sot si e vetmja ushtri; para, gjatë dhe pas luftës me Serbinë. Misionin mirëpo ua sabotuaka SHIK-u. Dje duke ua eliminuar çdo dëshmitar të historisë, sot duke pengëzuar pushtetin që e vërteta të kalbet brenda së pandorës kuti. E këta po si ata, paskan parti të mëdha, gazeta, televizione, institucione, pra gjithçka.

Fundamenti

Kështu shkuaka puna në Republikën e Korruptuar. Sipas këtyre dy krahëve, dy masave, dy mendësive që dominojnë polemiken shesheve dhe mediave llogaria e ka vetëm një barazim të mundshëm, atë që e tha i ndjeri kabaretist gjerman Wolfgang Gruner se: “Korrupsioni (shtetëror) është ujitja e moçaleve ekzistuese”. Po. Sepse ne, mediat, masat, operojmë më shumë me binomin udba-shiku se sa vetë politikanët. Ne nuk lejojmë që të flitet për ekologjinë, barazinë sociale, punësimin, dinjitetin njerëzor, solidaritetin, stabilitetin, shëndetësinë, arsimimin sepse çdo teme ia vëmë drynin me logot: udba-shiku. Pikë. Në këtë rast moçali janë mendësia, baza, turmat dhe jo vetëm reprezentantët e tyre që më mirë u vjen të flasin për histori se sa për mirëqenie, ekonomi, përgjegjësi.

Pse. Sepse përtej këtyre sagave pret realiteti; skamja, radikalizmat, institucionet e kriminalizuara, eksodi i grave dhe fëmijëve me autobusë (herë të shikut, herë të serbëve e herë të udbës), papunësia, shkollat pa dritare, me një fjalë pret liria cullak që nga acari dhe paranojat donë të ikë edhe vetë.

A nuk do të ishte më racionale që ta qepim të gjithë: le të merren komisione, historianë, shërbime, ekspertë, gjykata me udbashë e shikasë e ne të sigurojmë drunjtë për ta përballur – pa u katandisur sërish botës – dimrin e radhës, të madh! Apo pikërisht për këtë na shërbejnë paranojat: ta maskojmë paaftësinë tonë për liri e punë me histori, lugetër, legjenda dhe histeri, pa marrë parasysh se kështu matematika na jep vetëm një rezultat: të gjithë paskemi qenë dhe jemi udbashë.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.