RCCOLA

Në UBT u diskutua për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe rrugëtimin e saj drejt BE-së

/ 4 minuta lexim

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, me praninë e shumë studentëve dhe profesorëve të UBT-së, u mbajt një diskutim i hapur rreth temës: “Rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së dhe izolimi i rinisë”.

Në këtë ngjarje morën pjesë rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, presidentja e “Vienna Goes Europe”, njëherit themeluesja e peticionit “Visa 4 Kosovo”, Kati Schneeberger, si dhe studentja e Fakultetit të Shkencave Politike në UBT, Dea Zhubi.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi duke ritheksuar nevojën e liberalizimit të vizave për Kosovën, ka thënë se Kosova është drejt normave evropiane dhe me raste qëndron edhe më mirë se disa shtete të reja anëtare të Bashkimit Evropian.

“Ne në Kosovë kemi vizionin dhe misionin e njëjtë me Bashkimin Evropian. Pra, Kosova është drejt normave evropiane, drejt standardeve të integrimit evropian dhe mendoj se e kemi konfirmuar se duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe të jemi pjesë e vlerave të promovuara nga BE. Ne po punojmë shumë me Komisionin Evropian dhe me shtetet e reja anëtare për të zhvilluar ligjet, politikat, rregulloret sipas Bashkimit Evropian. Madje ndonjëherë kemi eksperienca që jemi para vendeve të Bashkimit Evropian për disa kritere, disa rregullore, sepse ne kemi dashur automatikisht kur të hartojmë diçka të re ta zbatojmë sipas standardeve të BE-së”, ka thënë rektori Hajrizi.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, në diskutim e sipër rreth marrëdhënieve midis Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ka përmendur aplikimin e javës së ardhshme të Kosovës për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke theksuar se nevojitet përmbushja e detyrave për t’i bindur vendet e tjera.

“Për aplikimin e Kosovës në javën e ardhshme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, pozicioni është se ju i përkisni BE-së, i përkisni Këshillit të Evropës. Mendoj, që kur dëshiron të bashkohesh në një bashkësi, veçanërisht në Këshillin e Evropës duhet t’i përmbushni detyrat ose obligimet, për t’i bindur vendet anëtare për t’u bërë pjesë e kësaj bashkësie”, ka thënë ambasadori Rohde.

Hidromorava

Presidentja e “Vienna Goes Europe”, njëherit themeluesja e peticionit “Visa 4 Kosovo”, Kati Schneeberger, është shprehur optimiste për liberalizimin e vizave për Kosovën, si dhe ka theksuar numrin e madh të personave që janë bërë pjesë e peticionit.

“Më shumë se 10 mijë persona kanë nënshkruar në peticionin e realizuar nga ne për liberalizimin e vizave për Kosovën. Lajmet e mira janë që Holanda ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe besoj që tema për liberalizimin e vizave të Kosovës të bëhet realitet”, ka potencuar Schneeberger.

Dea Zhubi, studentja e Fakultetit të Shkencave Politike në UBT, në këtë diskutim, duke folur në emër të gjithë bashkëmoshatarëve të saj, theksoi se njerëzit në Kosovë janë shumë optimistë, por ndihen edhe sikur pjesë e Bashkimit Evropian.

“Jetoj në një rreth me njerëz që janë optimistë. Njerëzit kanë shpresë dhe vullnetin për të ndryshuar, për të qenë pjesë e Evropës, për të shkëmbyer mendime, për të shkëmbyer vlera, virtyte me njerëzit evropianë. Sot, unë qëndroj këtu si një e re që jeton në një vend të izoluar, por nuk e bëj të njëjtën gjë, sepse ndihem si pjesë e Evropës”, është shprehur Zhubi.

Në prani të shumë pjesëmarrësve të tjerë, studentë dhe profesorë të UBT-së, u ritheksua nevoja e liberalizimit të vizave për Kosovën, si dhe anëtarësimi i saj në Bashkimin Evropian, duke e bërë të mundur shkëmbimin e përvojave dhe pikëpamjeve me shtetet anëtare të BE-së.