UBT

Në UBT funksionon shkolla më e madhe për siguri kibernetike dhe privatësi në vend e rajon

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

UBT, duke qenë një institucion i njohur në fushën e teknologjisë dhe inovacioneve, vazhdon të mbetet në një hap me zhvillimet e fundit teknologjike dhe si rezultat, edhe të përballet me sfidat më të mëdha të kohës moderne, ndër të cilat padyshim që mbetet edhe ofrimi i sigurisë dhe ruajtja e privatësisë.

Duke qenë kështu, para disa viteve, UBT ka themeluar Qendrën për Siguri kibernetike dhe Privatësi (SKP), si dhe ka arritur të bëjë konsolidimin e divizionit CERT/SKP, bazuar në modelin dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Që nga koha e themelimit e deri më tash, UBT-CERT dhe SKP kanë arritur të bëjnë krijimin dhe mirëmbajtjen e një rrjeti të gjerë botëror të bashkëpunëtorëve, të cilët numër llogariten të jenë mbi 40 organizata, qendra hulumtuese dhe institucione shtetërore të fushës së sigurisë kibernetike, me disa prej të cilave CERT/SKP ka realizuar projekte dhe aktivitete të përbashkëta, përfshirë organizimin e garave të ndryshme në vend dhe jashtë, mbajtjen e konferencave studentore, trajnimeve, punëtorive, si dhe një varg aktivitetesh tjera.

Aktiviteti dhe ndikimi i CERT/SKP nuk kufizohet vetëm brenda kufijve të Kosovës, andaj është regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht në organizatën e njohur “Trusted Introducer” dhe së fundmi është edhe në përmbyllje të procesit të akreditimit në ”FIRST”, e cila është organizata me e madhe e këtyre njësive të sigurisë kibernetike.

Në vazhdën e aktiviteteve, këtë vit u realizua projekti për krijimin e laboratorit të UBT-CERT, në të cilin, për katër muaj u mbajt programi i internshipit për studentët e Fakultetit të Shkencave kompjuterike dhe Inxhinierisë së UBT-së, ku gjatë kësaj kohe, ata kryen praktikën në punët rutinore dhe hulumtuese të divizionit CERT në UBT.

FIDANISHTJA

Falë këtyre zhvillimeve, avancimet në fushën e sigurisë kibernetike dhe TIK-ut nuk mungojnë dhe po rriten vazhdimisht përmes përvojave të fituara nga garat, nga konferencat dhe nga pjesëmarrja e CERT/SKP nëpër ngjarje të rëndësishme vendore e ndërkombëtare në fushën e teknologjisë, duke sjellë kështu zhvillime të reja në vend dhe në UBT.

Në këtë rrugëtim, CERT/SKP po bashkëpunon edhe me ekspertin e forenzikës kibernetike, Philip Polstra, me ç’rast ky divizion ka arritur të realizoj hapat e fundit të lëshimit në funksion të Laboratorit të Forenzikës Kibernetike.

Në këtë laborator do të gërshetohen përvojat dhe praktikat më të mira dhe më së shumti të aplikuara në botë, të fituara nga pjesëmarrja në konferencën dhe në trajnimin më të madh, “DEFCON”, të mbajtur në SHBA.

Të gjitha këto elemente, divizionin CERT/SKP në UBT, e shndërrojnë në një qendër të veçantë dhe në një shkollë të madhe kombëtare e ndërkombëtare, në të cilën ndodhet e gjithë infrastruktura dhe njohuria e krijuar rreth fushës së sigurisë kibernetike, si dhe mundësia e realizimit të çfarëdo projekti të kësaj fushe, duke e bërë kështu UBT-në institucionin e parë në rajon që zhvillon një shkollë të tillë./rajonipress/