Në Turqi, Vedat Muriqin mund ta quani ‘sulltani’ i golave
Vedat Muriqi po kalon momentet më të mira në karrierë që prej ardhjes në Rizespor.
Sulmuesi kosovar u transferua në Rizespor në dimrin e vitit të kaluar nga Geclerbirligi për shumën e 900 mijë eurosh, shkruan Zëri.
Ndërkaq, tani ai është shëndërruar në sulmuesin kryesor të Rizesporit, derisa në çdo ndeshje luan nga minuta e parë.
Besimin e trajnerit, Muriqi e ka shpaguar tashmë pasi vetëm këtë sezon, ka shënuar 12 gola në Superligën turke.
Ylli prizrenas është paraqitur në 27 ndeshje këtë sezon në kampionatin elitar turk, duke e gjetur golin në 12 raste, si dhe ka dhuruar shtatë asistime.
Gjithashtu, Muriqi është paraqitur edhe në dy ndeshjet e Kupës së Turqisë.
Por, kush i prinë listës së golashënuesve në Superligën turke?
I pari është anëtari i Galatasarayt, Mbaye Diagne me 26 gola, kurse vendin e dytë e zë Pappis Cisse i Alanyasporit me 13 gola.
Vendin e tretë, katërt dhe pestë e ndajnë Hugo Rodallega, Burak Yilmaz dhe Vedat Muriqi me nga 12 gola.
Ndryshe, Rizespori i Muriqit këtë sezon ndodhet në vendin e 11-të me 34 pikë të grumbulluara./Zëri/


