Në tetor, Dushku sjell në atdhe dokumentarin për Shqipërinë

Aktorja amerikane me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, në muajin e ardhshëm do të rikthehet në Tiranë.
Ardhja e saj nuk do të jetë vetëm për të vizituar shtetin amë, por edhe për një eveniment të rëndësishëm – do të sjellë dokumentarin “Ende pa emër” dedikuar Shqipërisë.
Lajmin e ka bërë të ditur bashkëprodhuesi i këtij dokumentari, mjeshtri i fotografisë Fadil Berisha, i cili ka thënë për Gazetën Shqiptare se premiera e shfaqjes së filmit dokumentar do të bëhet më 5 tetor në kryeqytetin e Shqipërisë, ndërsa më pas do të vijojë edhe premiera në SHBA (gjatë muajit nëntor).
Filmi dokumentar është një pasqyrë e promovimit të pasurive dhe vlerave të Shqipërisë, ku janë përfshirë personalitete të forta, imazhe mahnitëse dhe shenja kulturore, si ushqimi, muzika, moda, sporti dhe jeta e natës.