Në takim me Lajçakun, Kurti përsërit: Dialogu të përfundojë me njohjen reciproke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, kanë pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin është biseduar për vazhdimin e dialgut Kosovë-Serbi.

Në komuniaktën e lëshuar nga zyra e Kryeministrit, thuhet se në takimin e sotëm është potencuar vullneti dhe gatishmëria që tashmë e ka treguar Republika e Kosovës, për t’u angazhuar në një dialog parimor e të balancuar, nga i cili përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se në takim u bisedua për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se qëllim i vizitës së tij në Prishtinë është “çuarja përpara” e këtij procesi.

Lajçak foli shkurtimisht për gazetarët pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ai tha se me Kurtin ka biseduar për “vazhdimin e dialogut” dhe për takimin e tij të radhës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në Bruksel më 18 gusht.

“Takimi i radhës do të zhvillohet sapo të përgatitet”, tha Lajçak.

“Kjo është një nga arsyet përse jam sot këtu. Duam të sigurohemi që takimi të ketë substancë dhe do të prodhojë diçka”.

“Të dy udhëheqësit janë të gatshëm të takohen, BE-ja është gati t’i mirëpresë, por po përgatisim agjendën”, tha Lajçak, duke mos dhënë ndonjë datë specifike.

Lajçak tha se nuk do ta vazhdojë vizitën në Serbi, por se do të kthehet në Bruksel.

Ai tha se mund të takojë Vuçiqin në Nju Jork, ku, javën e ardhshme, nis punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Nga Bashkimi Evropian, vizita e Lajçakut nuk u paralajmërua më herët.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se jo domosdoshmërisht komentojnë çdo takim pune apo ndërveprim të tij me partnerët në rajon.

“Këto vizita pune, njësoj si ajo e sotmja në Kosovë, po zhvillohen në kuadër të çuarjes përpara të procesit të dialogut dhe vazhdimit të diskutimeve për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, tha Stano në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.

Lajçak dhe këshilltarët e Qeverisë gjermane e asaj franceze për dialogun qëndruan edhe të premten e kaluar në Prishtinë, ku, po ashtu, takuan Kurtin.

Pas atij takimi, Lajçak tha se bisedimet ishin “të thella dhe të rëndësishme”, por nuk dha detaje.

Tre diplomatët evropianë, javën e kaluar, takuan në Beograd edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq tha se ata i kanë propozuar “kornizë të re” për dialogun me Kosovën. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS