Në Sllakovc të Gjilanit vëhet gurëthemeli i dy shtëpive për familjet ne nevojë
Gjilan – Feriz Imeri i Sllakovci i Epërm i Gjilanit mezi i ndalte lotët e gëzimit pasi sot Komuna e Gjilanit me donatorët po i ndërton shtëpinë e re. Ferizi së bashku me familjen e tij tetë anëtarëshe deri tash ka jetuar në gjendje të rëndë të banimit.
“Po ndihna shumë mirë, shumë i kënaqun…ma i kënaqun se sot kurrë s’jam kanë. Falëmneres shumë prej kryetarit Lutfi Haziri e prej shoqnisë që po m’bajnë me shpi të re. S’di çka me thanë pos që jam shumë i gëzuem”, tha plaku Feriz Imeri, teksa i rrjedhnin lotët e gëzimit.
Pos Feriz Imerit, Komuna e Gjilanit me donatorin “Vali Ranch” e ka vënë gurëthemelin edhe për shtëpinë e familjes së Adem Mumqillës, poashtu tetë anëtarëshe, e cila ka jetuar në gjendje të rëndë të banimit.
Në vënien e gurëthemelit të dy shtëpive në Sllakovc të Epërm ka qenë i pranishëm kryetari i Komunës, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, sikurse edhe pronari i kompanisë “Vali Ranch”, Fehmi Fetahi.
“E falënderoj shumë kompaninë “Vali Ranch” me pronar Fehmi Fetahun që i është bashkangjitur aksionit të Komunës. Sot janë gëzuar dy familje të Sllakovcit të Epërm, të cilat janë me shumë anëtarë, me shumë fëmijë e që kanë jetuar në kushte jashtëzakonisht të vështira, me shtëpi të pabanueshme”, ka thënë me këtë rast kryetari Lutfi Haziri, i cili ka shtuar se gjatë këtij muaji do të përfitojnë shumë familje të kësaj natyre.
“Përfundimisht, në këtë muaj të mëshirës e solidaritetit, së bashku me ekipet e Komunës besoj shumë po punojmë që ta përmbyllim planin e renovimit të shtëpive, e rindërtimit të shtëpive dhe pagesës së qirave për kategori të banimit”, tha Haziri.
Pronari i “Vali Ranch”, Fehmi Fetahi, është ndier i kënaqur që po merr pjesë në ndërtimin e këtyre shtëpive, ndërsa ka falënderuar kryetarin Haziri për iniciativën për të ndihmuar familjet në nevojë në Gjilan.
Përndryshe, këto donacione kanë ardhur pas iniciativës së kryetari Haziri, i cili në tetorin e vitit të kaluar organizoi mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”, në të cilën u lajmëruan shumë donatorë./rajonipress/


