KKVITI

Ne shkojmë përpara

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Kombëtarja e Shqipërisë e ka bërë një hap shumë të madh drejt realizimit të ëndrrës së kahershme të shqiptarëve – kualifikimit në Kampionat Evropian. Kuqezinjtë kanë shkëlqyer të dielën, duke e zhvilluar një lojë jashtëzakonisht të mirë, të cilën e mbizotëruan gjatë 90 minutave, dhe në saje të kësaj arritën t’i fitojnë tri pikë tepër të rëndësishme në përpjekjet e tyre për ta kaluar Grupi I kualifikues për “Euro 2016”.

Shqiptarët e mposhtën me rezultat 2:1 Armeninë, të cilën e kanë shkelur me lojën që e aplikuan. Ekipi i Gianni De Biasit, si asnjëherë më parë, gjatë gjithë lojës ka qëndruar në pjesën e fushës së kundërshtarit, të cilin e kanë sulmuar pareshtur, kryesisht nga ajri.

Përkundër dominimit të plotë, fitorja u arrit me vështirësi, saktësisht vetëm gjatë 15 minutave të fundit të lojës.

Mysafirët kanë kaluar në epërsi prej 0:1 qysh në minutën e 4-të, nëpërmjet një auto-goli të Mërgim Mavrajt. Ky ishte thuajse shansi i vetëm i tyre, sepse shqiptarët iu vërsulën portës së mysafirëve, të cilës nuk iu larguan derisa e tundën dy herë. Fillimisht Mërgim Mavraj i barazoi shifrat në 1:1, kur shënoi me kokë. “Sikurse shkruan edhe në Kuran, pas vështirësisë vjen lehtësimi. Ashtu ndodhi edhe për mua dhe për skuadrën”, ka thënë Mavraj.

Ndërsa, “Elbasan Arena” ka shpërthyer në festë në minutën e 82-të, kur Shkëlzen Gashi i inkuadruar në lojë shënoi po ashtu me kokë. “Ekipi luajti perfekt, kurse tifozët na ndihmuan shumë. Golin ua dedikoj gjithë shqiptarëve”, ka thënë Gashi.

RCCOLA

Këto dy gola erdhën pas përjashtimit nga loja të një futbollisti armen. Por, fitorja e Shqipërisë ka mundur të jetë edhe më bindëse, por mungesa e fatit ua ka mohuar një gjë të tillë. Kjo pasi kuqezinjtë nuk kanë mundur të shfrytëzojnë plot shanse, që i krijuan me mençuri dhe me mund të madh. Madje, katër herë shtylla e ka shpëtuar ekipin armen, në të cilën kanë përfunduar gjuajtjet e Taulant Xhakës, Mërgim Mavrajt e Sokol Cikalleshit. Po ashtu, gjyqtari nuk ua ka dhënë një penalti të pastër shqiptarëve, përballë të cilëve armenët janë vërejtur vetëm në një aspekt – të barrikaduar para portës së tyre. Shkurt dhe shqip, me lojën e shfaqur, kuqezinjtë dëshmuan se e meritojnë pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian “Franca 2016”, për herë të parë në histori, gjë që të parët tanë nuk e kanë shijuar, kurse gjeneratat e tashme vazhdojnë ta ëndërrojnë…

De Biasi debuton me fitore si shqiptar

Gianni De Biasi ishte i lumtur që fitoi me ekipin kuqezi, në ndeshjen e parë të tij me pasaportë shqiptare, të cilën e mori një ditë më herët. “Ishte ndeshje e rëndësishme, dhe e dija se Armenia është vështirë e kalueshme. Në pushim të ndeshjes u thashë lojtarëve të luajnë sikur të mos jenë në disavantazh. E qëlluam tri herë shtyllën dhe fituam me meritë. Gëzohem që shqiptarët po festojnë, ndërsa neve na mbetet të punojnë akoma”, ka deklaruar De Biasi i emocionuar.

Cana: Po i bashkojmë shqiptarët

Kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana, tha se ekipi kuqezi gjithnjë po i bashkon rreth vetes gjithë shqiptarët. Andaj, tifozët e merituan të shpërblehen me fitore. “Sonte e bëmë një hap shumë të rëndësishëm, përkundër vështirësive. Ne po rritemi dhe vetëm po rritemi. Fitorja ishte e merituar. Kemi bërë gjithçka të mos i dëshpërojmë këta njerëz. Ne tani në çdo lojë po luajmë për fitore. Kemi jetuar me shekuj të ndarë, kurse tani po bashkohen shqiptarët në ndeshjet tona, dhe po mundohem t’i bëjmë të lumtur”, ka thënë Cana./zeri/