Në “Republikën e Korrupsionit”

Nga Adrian Çollaku – Derisa me një mik timin që nuk e kisha takuar për një kohë goxha të gjatë, pinim kafe dhe bisedonim për gjendjen e përgjithshme në vend, ai më tregoi një ngjarje shumë interesante që i kishte bërë vaki. I kishte rastisur atij të sëmuret dhe të shtrihet për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Megjithatë, shkuan disa ditë, madje edhe javë, dhe për të nuk po çante kokën askush nga mjekët në qendrën e mjekësisë terciare.
“Mblidhi mendtë. Nëse nuk u jep para mjekëve, do të kalbesh këtu dhe askush nuk do të marrë në dorë. Mjekët nuk mund të të kërkojnë para për faktin se je ushtarak frikësohet por ti duhet ta dish vetë ”, rrëfen miku, t’i kishte thënë njëri nga pacientët e shtrirë në dhomën e njëjtë.
Një ditë prej ditësh duke parë që askush nuk merrej me të, pra duke e lënë jashtë “programit” për operim, ai u “bindet” fjalëve të “cimerit” dhe detyrohet t’ia gjejë “lidhjet” mjekut dhe natyrisht t’i luajë pak “gishtat”. Në të kundërtën, i rrezikohej jeta sepse assesi nuk po i vinte radha të futej në atë “listën” e fatlumëve që merrnin lajmin: bëhu gati për operacion.
Asgjë e pazakonshme, mund të thotë dikush. Sigurisht storie të ngjashme mund të kenë përjetuar e dëgjuar edhe shumë qytetarë të tjerë të Kosovës.
Imagjinojeni kur kjo i ndodh edhe atij që ka luftuar me armë në dorë për lirinë e këtij vendi, që ka rrezikuar jetën dhe familjen e tij, atij që megjithatë, ka një pozitë pak më të “fuqishme” në këtë shoqëri, çka mund të na ndodh neve të tjerëve. Qytetarëve të thjeshtë, atyre që nuk e kanë askënd në shtet, nuk e kanë asnjë të njohshëm. E çka është edhe më keq, që nuk kanë as para? Mund ta kenë mëshirën e Zotit, por kjo shpesh nuk mjafton!
Rastet si këto, të cilat tashmë janë shndërruar në normalitet tregojnë për gjendjen në të cilën është katandisur shëndetësia kosovare. Pos që korrupsioni është futur thellë në sistemin shëndetësor, qytetarët e Kosovës vazhdimisht po e humbin besimin te mjekët dhe te shëndetësia kosovare. Shumica e atyre kosovarëve që i kanë sadopak kushtet po ua mësyjnë vendeve të rajonit, pa përjashtuar këtu edhe Serbinë.
Hiç më mirë se në shëndetësi nuk i kemi punët as në sektorët tjerë, ndonëse shëndetësia është profesion human. Situatë e rëndë është edhe në arsim, cilësia e të cilit është duke rënë çdo ditë e më tepër, duke filluar nga klasat e para e deri te niveli më i lartë i studimeve, master apo doktoratë. Të mos hyj tani t’i numëroj të gjithë sektorët një nga një…
Shumëkush do të pyeste, përse në Kosovë po ndodh një gjë e tillë? Pse po ndodh një degradim i përgjithshëm, një degradim i të gjitha vlerave të shoqërisë?
Dhe përgjigja del shumë e thjeshtë.
Mungon përgjegjësia e zyrtarëve shtetëror, mungon ndëshkimi ndaj shkelësve dhe të korruptuarve… Dhe si rezultat sot kemi Kosovën që është shndërruar në “Republikë të Korrupsionit” dhe të “Skandaleve”.
Kjo megjithatë nuk është e keqja më e madhe. Më keq se kjo është se për këtë degradim me trende progresiviteti, nuk po shqetësohet askush.
Drejtuesit e shtetit, përgjegjësit kryesorë për një qeverisje demokratike, transparente, të përgjegjshme, llogaridhënëse…, kanë dështuar, sepse ata janë të përfshirë vetë nëpër afera korruptive. Madje ata janë bosët e të gjitha këtyre të këqijave.
Për ta dëshmuar këtë nuk duhet ndonjë filozofi e madhe, mjafton t’ua shikosh pasuritë që i kanë bërë brenda natës dhe e ke pasqyrën e qartë.
Derisa mungon vullneti politik për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, edhe sistemi i drejtësisë nuk do të arrij kurrën e kurrës t’i çrrënjosë këto dukuri me të cilat shteti i ri i Evropës, shumë shpejt do ta shndërrojnë në një shtet afrikan. Nuk është detyrë vetëm e prokurorëve që ta luftojnë korrupsionin, por luftimi i korrupsionit është detyrë e të gjithë zyrtarëve shtetërorë, në të gjitha nivelet, pa përjashtim.
Madje, edhe e qytetarëve. Sepse po t’i kemi edhe 1 mijë prokurorë e 1 mijë gjyqtarë shtesë, korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk do të luftohen pa “lejen” dhe “vullnetin” e bosëve të politikës…
Pra këtu fshihet djalli. E në këto rrethana, për integrimet evropiane, për të cilat qeveritarët tanë po na “xhigavin” çdo ditë, as që bëhet fjalë.