Eko Higjiena

Në qendër të Gjilanit, inaugurohet shtatorja e tribunit të kombit Ramiz Cernica

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, pikërisht në festën e 28 nëntorit, është inauguruar në qendër të Gjilanit shtatorja e tribunit të kombit, Ramiz Cernica, në ngjarjen ku morën pjesë përfaqësues institucionalë lokalë e qendrorë, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues të FSK-së, policisë e qytetarë.

Paraprakisht, nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina – Bunjaku me bashkëpunëtorë, ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve, për të nderuar veprën
heroike të tyre në shërbim të atdheut.

Në ngjarjen e inaugurimit të shtatores, në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, ka folur drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri, i cili tha se sot po e nderojnë tribunin Ramiz Cernica, një personalitet të jashtëzakonshëm, një udhëheqës të shquar dhe një kontribues të pamohueshëm për historinë dhe kulturën tonë.

Ai tha se Ramiz Cernica ishte luftëtar, patriot e organizator i mbrojtjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ishte pasqyra e rezistencës së shqiptarëve kundër
robërisë.

“Në ditën e flamurit, së bashku po e plotësojmë mozaikun e pasur historik e kombëtar këtu, në zemër të Gjilanit, edhe me figurën e derdhur në bronz të tribunit të kombit, Ramiz Cernica. Largpamësi Ramiz Cernica e donte tokën e trashëguar nga stërgjyrësit e tij, nuk dorëzohej asnjëherë, përkundër regjimit diskriminues ndaj shqiptarëve, dhe se ishte i bindur se një ditë ne do ta gëzojmë të drejtën tonë, lirinë tonë dhe bashkimin tonë në tokat tona”, ka thënë Zeqiri.

Në emër të këshillit organizativ ka folur veprimtari Ismet Sylejmani, i cili e ka vlerësuar lartë veprën heroike të Ramiz Cernicës.

Eco Higjiena

“Para 78 viteve, heroi legjendar i Kuvendit të Kosovës në Prizren, tribuni trim e sypatrembur Ramiz Cernica, me qëndrimin e tij burrëror në mbrojtje të Kosovës në Parlament, në rrethim me kordon të hekurt ushtarak e policorë të ushtrisë dhe policisë pushtuese jugosllave, ia ka ndërtuar vetës së tij përmendoren në zemër të popullit, por edhe ia ka shkrirë shtatin e tij të derdhur në bronz”, tha ndër të tjera Sylejmani.

Në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti ka folur zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla.

“Sot, në ditën më të madhe kombëtare të 28 nëntorit, ditës së flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë, po e bëjmë inaugurimin madhështor ashtu siç ishte vetë tribuni e heroi i madh i kombit, Ramiz Cernica. Kështu, mes nesh, madhështor e krenar, heroi Ramiz Cernica do qëndrojë përjetësisht duke na përkujtuar pandërprerë se ku ishim, çka përjetuam, si rrugëtuarm, si rezistuam dhe si luftuam, deri në ditët e sotme të lirisë, pavarësisë e shtetësisë”, është shprehur Syla.

Në këtë ngjarje ka folur edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Luan Aliu dhe deputeti i Kosovës Lindore, Shaip Kamberi, të cilët thanë se inaugurimi i shtatores së Ramiz Cernicës është akt i kujtesës dhe i vlerësimit për një njeri që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit tonë.

Në fund, në emër të familjes ka folur djali i Ramiz Cernicës, Milaim Hoxha, i cili e ka falënderuar kryetarin e Komunës, Alban Hyseni dhe të gjithë kontribuesit për vendosjen e shtatores së babait të tij.

Ndryshe, gjatë ditës, në shënim të 28 nëntorit, në Gjilan janë paraparë të mbahen edhe disa aktivitete kulturore: ‘Performancë, 28 nëntori dita e pavarësisë’, teatri i qytetit (13:30), koncerti “Festa e Pavarësisë” – QK ‘Cello Duo”, teatri i qytetit (14:00) dhe koncerti festiv ‘Urime festa e flamurit’ – AKV Gjilani, teatri i qytetit (18:00).