Hidromorava

Në procese të rënda duhet vendosmëri dhe guxim!

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Veton Nevzadi – Është fat i mirë për Kosovën që strategjinë e gënjeshtrës dhe të dhunës publike që përdorë lideri i VV nuk përkon më as me kohën e as me hapësirën ku plasohet ajo. Madje edhe në Amerikën Latine që njihet si absorbuese e këtij modeli nuk po “pijnë ujë” më këto broçkulla, e aq më pak në kontinentin e Evropës. Tepër absurde dhe ndjellakeqe tingëllojnë fjalët që i thonë, saqë krijohet përshtypja që këtyre individëve më shumë do t’u pengonte ndonjë sukses eventual i Thaçit, sesa zgjidhja e problemeve të qytetarëve të Kosovës dhe krijimi i një perspektive të sigurt dhe evropiane për ta, përfshirë këtu edhe qytetarët nga pjesa veriore e Kosovës

Personalisht nuk mendoj se çështja e Mitrovicës është e lehtë për t’u zgjidhur, një, për shkak të rrethanave në të cilat është krijuar ajo, dhe dy, për shkak të akterëve që e krijuan atë problem menjëherë pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Mirëpo nëse dikush mendon që një çështje e komplikuar është kaq e thjeshtë për tu zgjidhur, atëherë Mitrovica dhe veriu i Kosovës nuk kanë ikur askund. Askush nuk i ka futur në thes dhe nuk i ka transportuar dikund tjetër! Ja ku është, vetëm një orë rrugë! Mbase forca (nëse e kanë atë) nuk kërkon argument, mirëpo dyshoj shumë që janë të gatshëm të bëjnë diçka të tillë, njëjtë sikur që nuk kanë qenë të gatshëm një numër i madh i tyre atëherë kur është kërkuar një gjë e tillë.

E vërteta është se këta individë që aktualisht po i dhunojnë institucionet e tyre, dikur e përdorën dhunën për ta viktimizuar vetën, ndërsa tash të frustruar po shfaqin fytyrën e vërtetë të tyre, duke u munduar të dhunojnë skajshëm institucionet e zgjedhura, e bashkë me ato edhe parimet mbi të cilat funksionon sistemi demokratik i qeverisjes.

Janë të njëjtët që ofenduan, mallkuan dhe dhunuan secilin që u doli parasysh edhe me rastin e implementimit të pakos së Ahtisarit në Kosovë. Fatmirësisht tash kemi edhe rezultatet e para të implementimit të kësaj marrëveshje, e cila ishte kompromis i Kosovës për subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Nga kjo perspektivë natyrshëm lind pyetja për idetë ogurzeza të gjenive të politikës për komunat e pavarura serbe brenda Kosovës dhe për kantonizimin e territorit pas implementimit të këtij plani?

Praktika dëshmoi se ata ishin dhe janë parashikues të dobët të proceseve politike sepse nuk ia qëlluan asnjëherë, për më tepër e vunë padrejtësisht qytetarin në lajthitje duke e frikësuar për të ardhmen e tij. Për të qenë më konkret do të duhej të pyesim se sa funksionoi ky plan dhe a ja vlejti, siç thotë populli “barra qiranë”?

Eco Higjiena

Për shembull, në çfarë gjendje është tani komuna e re e Kllokotit e themeluar sipas Planit të Ahtisarit? Është bërë aq shumë zhurmë për të, është fyer gjithkah, ka ndodhur presion i tmerrshëm psikologjik ndaj qytetarit të kësaj ane. E dini se çfarë ka ndodhur me këtë komunë prej nga periudha për të cilën po flasim? Asgjë nga ajo që kanë paralajmëruar këta individë? Përkundrazi! Në cenzusin e vitit 2011 të bërë nga Agjensioni i Statistikave të Kosovës në bashkëpunim me OSCE-në, del që në këtë komunë jetojnë më shumë qytetarë të përkatësisë shqiptare, përkatësisht 415 qytetarë më shumë.

Praktika poashtu ka demantuar edhe komplote tjera hipotetike të parashikuara nga të njëjtët njerëz. Ku është problemi me Komunën e Novobërdës që aktualisht udhëhiqet nga një shqiptar? Ku saktësisht shteti ynë ka probleme me Komunën e Parteshit dhe të Ranillugut që komunikojnë shkëlqyeshëm secilën ditë me institucionet qendrore dhe me komunat fqinje.

Kosova po ecë përpara përmes këtyre proceseve të rënda për të cilat duhet vendosmëri dhe guxim. Në këto procese vendi ynë po reflekton nivelin e duhur të përgjegjësisë si shtet i ri në funksion të krijimit të argumenteve afirmative për betejën diplomatike të radhës drejt eliminimit të problemeve të trashëguara nga lufta.

Epokë e re po vjen për vendin tonë, ndërsa bilancin e proceseve të rëndësishme që kanë marrë rrugën e tyre do ta bëjë pikërisht koha. Njëjtë sikur me rastet që u përmendën më lartë.