Fundamenti

Në pritje të aktakuzës, Natalie sërish në spital

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Natalie Velijaj pritet të dërgohet sërish në spital. Vendimin për këtë e ka nënshkruar dje gjyqtarja Alltene Murseli, në bazë të raportit të mjekëve të burgut të Lipjanit, të cilët pohojnë gjendjen e rëndë shëndetësore të të dyshuarës kryesore për “Skandalin e Pasaportave” . Pala mbrojtëse pret që Prokuroria shpejt ta ngrisë aktakuzën.

Problemet shëndetësore e të dyshuarës kryesore për zhdukjen e milionave të pasaportave biometrike, kanë bërë që gjyqtarja e rastit Alltene Murseli të mërkurën të nënshkruajë sërish vendim për ta dërguar në spital Natalie Velijajn.

Gjyqtarja konfirmoi për Express se kërkesën për shtrim në spital e ka nënshkruar në bazë të raportit të mjekëve të burgut të Lipjanit.

“Sot ( e mërkurë) e kemi marrë kërkesën prej drejtorisë së burgut edhe ajo është nënshkruar dhe përcjellë në drejtori të burgut. Vendimi është marrë në bazë të raportit të mjekëve burgut”, tha gjyqtarja Murseli për Express.

Ajo tha se nuk e di se kur do të dërgohet Velijaj sërish në spital duke thënë se tash kjo mbetet në dorën e mjekëve të burgut dhe drejtorisë atje.

Gjendjen jo të mirë shëndetësore të Velijaj e ka konfirmuar për Express edhe avokati i saj Nuhi Paçarizi.

“Sot kemi qenë në vizitë te ajo dhe na ka njoftuar që mjekët e burgut kanë kërkuar që të dërgohet sërish në spital për analiza të reja për shkak të gjendjes së saj shëndetësore”, ka thënë avokati.

Ndërsa Paçarizi ka bërë të ditur se Velijaj pret që këtyre ditëve të marrë edhe lajmin për ngritje të aktakuzës ndaj saj dhe dy të dyshuarve të tjerë në rastin- vëllezërit Fisnik dhe Betim Blakaj.

“Po ata (Prokuroria) kanë thënë që me 19 prill kanë përfunduar hetimet dhe ne tash jemi në pritje që dita- ditës të na njoftojnë për aktakuzën që pritet të ngrihet sepse me 12 maj bëhen një muaj të vazhdimit të paraburgimit”, ka thënë Paçarizi për Express.

Ai ka njoftuar se Gjykata e Apelit ia ka refuzuar mbrojtjes ankesën kundër vazhdimit të paraburgimit të Velijajt, për dy muajt e tjerë.

UBT

Sipas arsyetimit të kolegjit të kryesuar nga gjyqtarja e Apelit, Tonka Berisha masa e caktuar nga Gjykata Themelore një muaj më parë, do të zgjas ashtu siç është vendosur – deri më 12 qershor të këtij viti.

Gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se ende ekzistojnë arsyet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, respektivisht arrestit shtëpiak për tre të dyshuarit kryesor në rastin e njohur si “Skandali i Pasaportave” .

“Për shkak të sigurimit të prezencës së të njëjtëve në procedurë penale, mos ndikimit në dëshmitarët dhe parandalimit të përsëritjes të veprave penale, me qëllim të rrjedhës me sukses të procedurës penale”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit të siguruar nga Express.

Për fajësinë e tre të dyshuarve i bindur është Prokurori i EULEX’it Andrew Hudges i cili sipas burimeve të Express ka kryer një hetim të gjerë lidhur me rastin.

“Express” mëson se së fundi lidhje me rastin janë marrë në pyetje të gjithë personat të cilët kishin pranuar para nga llogaria e shtetases gjermane, Velijaj.

“Edhe ne rast se vetëm 10 euro i kanë pasur të pranuara nga llogaria e saj, ata janë marrë në pyetje”, ka bërë të ditur një burim brenda Prokurorisë.

Ndryshe, më 12 maj të këtij viti bëhen gjashtë muaj që kur tre të dyshuarit gjenden nën masa sigurie.

Shtetasja gjermane dyshohet se nuk i ka dërguar asnjëherë 1. 4 milionë euro të ndara nga buxheti i Kosovës respektivisht nga Ministria e Brendshme në llogarinë e kompanisë austriake OeSD për prodhimin e pasaportave biometrikë të kosovarëve.

E dyshuara ka akuzuar zyrtar të MPB’së se u ka dhënë ryshfet.

Deri tash askush nga ta nuk është arrestuar. Velijaj ka thënë se drejtorit të Departamentit për Prodhim të Dokumenteve, Besnik Berisha i ka dhënë 475 mijë euro si shpërblim për tenderin e pasaportave që kishte fituar kompania austriake OeSD.(express)