Eko Higjiena

Në prag të muajit të bekuar Ramazan, komunës së Gjilanit iu shtua edhe një xhami e re

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Falë bamirësve vullnetarë të fshatit dhe mërgimtarëve nga diaspora, sot, nën këndimin e tekbireve dhe salavateve, në mënyrë solemne u hap xhamia e re në fshatin Miresh të Gjilanit.

Ashtu siç e do rendi, kjo ceremoni filloi me leximin e ajeteve kuranore, të cilat i lexoi imami i kësaj xhamie Selim ef. Selimi. Më pas, një fjalë rasti mbajti edhe kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit, Iljaz ef. Mustafa, i cili foli rreth vlerës dhe rëndësisë që ka ndërtimi i xhamive në fenë islame. Ai përmendi ajetin kuranor, ku Zoti i Madhëruar thotë se “E drejtë e përkujdesjes së xhamive të Allahut është vetëm e atij që i ka besuar Allahut dhe ditës së fundit, e që e falë namazin, jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt pos Allahut”.

Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe në emrin e Myftiu Tërnava, të pranishmit i përshëndeti drejtori i Diasporës, Ekrem ef. Simnica, i cili përcolli urimet e Myftiut Tërnava për hapjen e kësaj xhamie.

Ai në fjalën e tij, një theks të veçantë i kushtoi falënderimit të mërgimtarëve tanë, të cilët si çdoherë, edhe për këtë xhami kanë dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh, duke ndihmuar për ndërtimin e xhamive sa herë që është kërkuar.

Drejtori Simnica porositi banorët që këtë xhami mos ta shfrytëzojnë vetëm për falje të namazit, por që në këtë xhami të jetësohet edhe një amanet që e kemi për brezat e rinj, atë të mësim-besimit.

Ai në fund uroi edhe për fillimin e muajit Ramazan, duke iu dëshiruar që të kenë agjërim të pranuar dhe që edhe njëherë ta gëzojnë këtë muaj dhe këtë xhami.

RCCOLA

Kryetari i Këshillit të BI-së së Gjilanit, Naim ef. Aliu, përmendi një fakt të rëndësishëm sa u përket ndërtimit të xhamive.

Ai tha se nga tetëmbëdhjetë xhami sa kishte Gjilani para luftës, kjo xhami të cilën po e përurojmë sot është e dyzetepesta. Andaj me këtë rast, unë nga ky vend shpreh falënderimet më të sinqerta për të gjithë banorët e Mireshit për këtë kontribut, duke lutur Zotin që t’ua pranojë në peshojën e veprave të tyre të mira.

Në emër të banorëve të fshatit, një fjalë rasti e mbajti Selami Huruglica, i cili foli rreth aksionit dhe nismës për ndërtimin e kësaj xhamie.

Ai falënderoi me rend të gjithë ata që në çfarëdo forme kanë kontribuuar që sot ne të falemi në këtë xhami.

Hytben e parë në këtë xhami e mbajti sekretari i Përgjithshëm i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet ef. Sadriu, i cili përgëzoi dhe uroi banorët për këtë xhami. Ligjërata e tij kryesisht u fokusua në vlerën dhe rëndësinë e ndërtimit të xhamive./rajonipress/