Në prag të furtunës, zvogëlohen gjasat për zgjedhje

Sinjalet e ndërkombëtarëve janë serioze, se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme në kohën kur pritet një furtunë arrestimesh dhe kur pritet të ikin nga pushteti koka të mëdha.
Vizita “inspektuese” që iu bë dy ditë më parë institucioneve të Kosovës nga kryeprokurori i Prokurorisë së dhomave të veçanta të Gjykatës së Posaçme për Kosovën dhe takimi i tij me kryeprokurorin e shtetit po vlerësohet nga njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët politikë si një sinjal serioz për përshpejtimin e procesit të operimit të Gjykatës Speciale, përshpejtimin e procedurës edhe për shpalljen e aktakuzave të para nga Specialja. Tani me bazë vlerësohet se edhe disa nga politikanët që pritet të jenë pjesë e “gjuetisë” së Gjykatës Speciale janë nën ethet e fillimit të veprimit të kësaj gjykate. Nga ana tjetër, për të neutralizuar sadopak dhe zbutur këto ethe të nxehta, po përdoren edhe deklaratat aty këtu, nga disa individë, për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, që duket se janë vetëm për konsum politik, për ta nxjerrë PDK-ja LDK-në se ka frikë nga zgjedhjet.
Sinjalet e ndërkombëtarëve janë serioze, se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme në kohën kur pritet një furtunë arrestimesh dhe kur pritet të ikin nga pushteti koka të mëdha. Profesori i së drejtës, Mazllum Baraliu, thotë se tani të gjitha vonesat që janë bërë me vetë fajin e BE-së duhet të kompensohen dhe kjo gjykatë të funksionalizohet, që të hiqet përfundimisht hipoteka e dyshimeve të ngritura. “Ai tha faktikisht dhe shprehu gatishmëri që shumë shpejt mund të funksionalizohet Gjykata, respektivisht Prokuroria Speciale. Mirëpo, ajo që krahas kësaj duhet të theksohet është nevoja që bashkësia ndërkombëtare dhe eksponentët e kërkesës për themelimin e këtyre dhomave, që janë jashtë sovranitetit dhe integritetit të juridiksionit kosovar, deri tani janë vonuar së funksionuari me këto institucione, derisa ata bënin më herët një presion të paparë për themelimin e tyre nga institucionet tona, që sa më parë të miratohet Ligji për Gjykatën Speciale, ajo u bë me kohë”, u shpreh ai.
Pengu i Kosovës Sipas Baraliut, Kosova i ka kryer obligimet që i takojnë dhe të aktivizohet kjo gjykatë, që të hiqet përfundimisht ky lloj pengu si gur mbi qafë, që ia kanë vënë gjithë Kosovës, shtetit dhe qytetarëve, që të zbardhet e vërteta për dyshimet që janë ngritur dhe duhet të trajtohen.”Kjo gjykatë përfundimisht duhet të funksionalizohet, të jetë shumë efikase dhe të veprojë më me shpejtësi, jo sikur ka qenë tribunali i Hagës, me vite të tëra dhe me dekada, por që brenda dy-tre vjetësh të kryejë këtë proces dhe e vërteta të dalë sheshit”, tha profesori i së drejtës, Mazllum Baraliu, për “Kosova Sot”.
“Veprimi i kësaj gjykate nuk do të duhej ndërlidhur në asnjë mënyrë me zhvillimet politike në vend, qoftë edhe me mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme. Problemet tona janë çështje ‘Made in Kosova’ dhe rrjedhat politike e të tjera nuk do të duhej fare të ndërlidheshin për interferime në zhvillime politike me veprimin e kësaj gjykate. Ata duhet ta bëjnë punën e tyre, të merren me të gjithë ata njerëz që janë të dyshuar, por jo pa prova, sikur që ka ndodhur në raste të caktuara, kur edhe pa dëshmitarë janë trajtuar procese të ndryshme gjyqësore kundër individëve të caktuar. Do të duhej të ishin shumë të përkushtuar, efikas dhe të drejtë, në mënyrë që ky proces të kryhet sa më parë dhe të hiqet hipoteka, e cila po e ngarkon shumë opinionin politik vendor dhe qytetarët”, theksoi më tutje Baraliu.
Analisti Florim Zeqa u shpreh se vizita e shkurtër e prokurorit Shvedimen është sinjal serioz dhe paralajmërim për përshpejtimin e procesit të operimit të Gjykatës Speciale. “Menjëherë pas kësaj vizite, disa nga politikanët tanë i kanë mbërthyer ethet e fillimit të shpejtë të një vale të re arrestimesh. Deklaratat e disa prej liderëve partiakë, gjoja për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, s’janë gjë tjetër veçse tendencë për tërheqjen e vëmendjes së opinionit vendor në prag të arrestimeve të para nga Gjykata Speciale. Paralajmërimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme nga lideri i PDK-së po përdoret për konsum të brendshëm partiak, me qëllim të nxjerrjes nga loja të LDK-së pikërisht para fillimit të arrestimeve”, është shprehur ai. Vizita e prokurorit Shvedimen, sipas tij, është një sinjal i qartë se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, në kohën kur pritet të fillojë furtuna e arrestimeve, e cila pritet që të largojë nga pushteti disa prej “kokave” më të mëdha në majat e pushtetit qendror dhe lokal në Kosovë. “Mbase arrestimet e ‘Peshqve të mëdhenj’ do të shkaktojnë tronditje dhe vakum strukturor në qeverisjen qendrore dhe atë lokale, andaj pashmangshëm do të kërkohet nevoja e krijimit të një ‘Qeverie Teknike’ deri në përfundim të procesit të arrestimeve,…e tek më pastaj të merret vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, në kushte dhe rrethana të reja politike. Mbase, ky edhe do të jetë momenti më krucial dhe një sfidë e vështirë e politikëbërjes kosovare, e cila kërkon maturi e guxim, vendosmëri dhe pragmatizëm politik për mbajtjen e shtetit në binarë të shëndoshë. Çdo pakujdesi politike Kosovës mund t’i kushtojë shtrenjtë në procesin e ardhshëm të shtetndërtimit, liberalizimit të vizave dhe integrimeve evropiane”./kosova sot/