Në Podujevë në njëvjetorin e vdekjes së Hizdri Halit Gubetini, kampion i shumëfishtë i Aeronautikës organizohet Akademi solemne

Familjarë, shokë e miq të shumtë nga Kosova dhe Shqipëria, janë tubuar sot në varrezat qendrore të qytetit të Podujevës, për ta përkujtuar në njëvjetorin e vdekjes Hizdri Gubetinin, kampion i shumëfishtë i Aeronautikës së Republikës së Kosovës dhe fitues i dhjetëra garave ndërkombëtare.
Hizdriu pati vdekur papritmas më 5 dhjetor të vitit 2021, nga një sulm në zemër, derisa po bënte dekorimin e oxhaqeve më gurë të imët në stanet e Dellovcit të Therandës.
Ai më 21 tetor 2021 në Festivalin Ndërkombëtar të Turqisë ”Oludeniz Air Games 2021”, me lëshim milimetrik nga lartësitë e qiellit pati zënë vendin e parë, duke lënë pas vetes aeronautistët e 55-vendeve të botës.
Hizdriu ka shënuar rezultate të shkëlqyera duke thyer rekorde edhe të mëhershme edhe në garat e organizuara ndërkombëtare në: Itali, Turqi, Qipro, Bullgari, Serbi, Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Kosovë.
Kurse një fluturim të jashtëzakonshëm dhe me plot akrobacione që do të kujtohet gjatë e pati bërë mbi malet e Moknës të komunës së Burimit, duke qëndruar mbi pesë orë në lartësitë e qiellit të hapur.
Drejt sukseseve të njëpasnjëshme e çonte vetëm dashuria tepër e madhe për Aeronautikën.
Ai të shumtën e herëve fluturaken e huazonte nga kolegët apo e merrte me qira, ngase një të tillë nuk e kishte.
Me këtë sport të rrallë ka filluar të merret dhe i biri, Almir Gubetini, student i vitit të dytë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Kosovës.
Në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore të Hizdriut, përveç familjarëve dhe kolegëve mori pjesë edhe Zoti, Përparim Rama, kryetar i komunës së Prishtinës.
Madje, ai mbajti edhe një fjalë rasti duke thënë” Hizdriu do të na mungojë gjatë të gjithëve”.
Mirëpo, mungesën e tij fizike do ta plotësojmë me përvjetor si ky, duke njohur kontributin e tij të çmuar dhënë këtij sporti të rinj në Republikën e Kosovës dhe të Shqipërisë, përgjatë dy dekadave.
Ndërkaq, enkas nga Shqipëria për në Podujevë kishte udhëtuar Alket Islami, kryetar i Aeronautikës së Shqipërisë i cili Hizdriun e kishte mik të veçantë.
Ai sa herë që evokon kujtime nga ndejat me Hizdriun, s’mund t’i ndalë as lotët. Vdekjen e parakohshme të Hizdri Gubetinit e konsideron humbje të madhe të Aeronautikës shqiptare.
Pas përurimit të memorialit përkujtimor në emër të familjes Gubetini, pjesëmarrësit i kanë përshëndetur Hazbi Gubetini( axha i Hizdriut) i cili javën që shkoi kishte shkuar nga Biasca e Zvicrës në Kosovë, me kusht që të jetë pranë fëmijëve të Hizdriut, në këto çaste të rënda dhembje dhe pikëllimi.
Me fjalët e tij të pranishmit i ka emocionuar edhe i biri i Hizdriut, 19 vjeç, Almir Gubetini.
Ai ka thënë:”Dhimbjen për vdekjen e hershme të babit do të mundohem që ta zbus nëpërmjet fluturimeve”. Me fisnikërinë dhe shpirtin e tij të bardhë shpresoj të takohem në lartësitë e qiellit”./arif ejupi/rajonipress/