UBT

Në mungesë të nxënësve në Viti shuhen disa paralele

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Si pasojë e natalitetit, papunësisë së madhe, gjendjes sociale të vështirë dhe faktorë të tjerë, numri i nxënësve në shkolla nga viti në vit ka rënë dukshëm. Kështu që sipas drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Viti Fehri Qerimi, nga viti 2008 e këndej, po thuajse numri i nxënësve ka rënë në masë të madhe.

Këtë ai e dëshmon më së miri duke analizuar numrin e nxënësve në përgjithësi, kur para vitit të lartpërmendur numri i nxënësve në shkollat Komunës së Vitisë në përgjithësi ishte mbi 13.000, ndërsa tani kemi një numër mbi 12.000. Çka do të thotë kjo që nga atëherë, është shuar komplet një shkollë me një numër prej 1.000 nxënësish.

Kjo gjendje e tanishme në shkolla, është përcjellur si shqetësim edhe nga kryetari i komunës Nexhmedin Arifi si dhe drejtorët e shkollave të cilët në një takim të përbashkët vënë në dukje se në shumë shkolla të Komunës së Vitisë edhe sivjet ka rënie të numrit të nxënësve dhe të kuadrit arsimor.

Sipas tyre me probleme më të mëdha po përballet Shkolla e Mesme Teknike ”Hoxh Jonuz Zejnullahu” në Viti, në të cilën aktualisht janë shuar 2 paralele të klasave të dhjeta dhe katër mësimdhënës do të përfundojnë në shtëpi. Si pasojë e reduktimit të nxënësve në këtë shkollë ka edhe disa drejtime të tjera për të cilat për shkak të mungesës së interesimit të nxënësve në vitin Akademik shkollor 2013/2014, nuk po arrihet të plotësohet as gjysmë norme. Duke e parë një situatë të tillë, drejtori i i shkollës në fjalë Fetih Hetemi ka thënë se nëse kjo shkollë nuk ndihmohet edhe nga komuna, brenda 2 viteve numri i nxënësve në këtë shkollë do të reduktohet në 1.000 nxënës.

Mobi Casa

Për vitin shkollor 2013/2014, përveç në Shkollën Teknike në Viti, numri i nxënësve ka rënë edhe në disa shkolla të tjera si : në shkollën ” Kenan Halimi” në Skifteraj është shuar klasa e nëntë, në shkollën fillore ”Halil Alidema” në Pozheran janë shuar klasat e para, Po në paralelen e ndarë të kësaj shkolle në Qifllak, shuhet komplet numri i paraleleve, dhe pasi që janë vetëm 3 nxënës për këtë vit shkollorë, do të thotë se kjo shkollë do të mbyllet dhe të njëjtit do të transferohen për të vijuar mësimet në shkollën fillore në Pozheran. Gjithashtu numri i nxënësve është reduktuar edhe në shkollat fillore ”Dëshmorët e Kombit” në Viti, ”Nijazi Rexhepi” në Sllatinë të Epërme, në Remnik, Binqë, Kabash, Debëllde, Vërban etj.

Me rënien e këtij numri aq të madh të nxënësve për të cilën Drejtoria e Arsimit nuk ka dalur ende me ndonjë shifër konkrete, natyrisht se edhe numri i mësimdhënësve edhe për këtë vit shkollor do të reduktohet dukshëm.

Krahasuar me numrin e punonjësve arsimor të cilët përfunduan në shtëpi vitin e kaluar, këtë vit ky numër do të jetë edhe më i madh. Fehri Qerimi bënë të ditur se numri i vendeve të shpallura për këtë vit është 54, ndërsa kanë aplikuar për punësim në sferën e arsimit gjithsej 254 aplikues.

Sipas tij, problematikë edhe këtë vit janë 2 lëndët deficitare siç është matematika dhe gjuha angleze, ku në mungesë të kuadrit deficitar, DKA është e obliguar t`i ketë parasysh punonjësit të cilët nuk kanë kualifikim adekuat, madje edhe atë superiorë. /rajonipress/