Në mungesë kuorumi dështon vazhdimi i seancës së tetë të Kuvendit Komunal të Gjilanit

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Ka dështuar sërish vazhdimi i seancës së tetë të Kuvendit Komunal të Gjilanit, pasi opozita (LDK, AAK, VATRA, LS) e kanë braktisur atë. Në mungesë kuorumi, kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku e ka ndërprerë seancën dhe ka thënë se pikat e mbetura të rendit të ditës do të barten në mbledhjen e rregullt të asamblesë, e cila mbahet në fund të këtij muaji.

Edhe seanca e sotme, sikurse fillimi i saj, në qershor, përkatësisht vazhdimi në korrik, përpara se Kuvendi të shkonte në pushim, u karakterizua me tensione ndërmjet pozitës dhe opozitës, gjë që çoi te ndërprerja e saj.

Opozita ka insistuar që kryetari i Komunës, Alban Hyseni duhet të kërkojë falje për lëshimin e seancës, të cilën ai e kishte bërë pas ndërhyrjeve dhe ndërprerjeve të shpeshta nga opozita, gjatë fjalimit të tij në Kuvend.

Uji Dea

Sot, Kuvendi do të duhej të vazhdonte me raportin e kryetarit të Komunës për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, raportin e punës për vitin 2021 të Komisionit Komunal të Aksionarëve në kompanitë publike lokale “Higjiena”, “Stacioni i Autobusëve” dhe “Tregu”, vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit komunal të aksionarëve në NPL “Stacioni i Autobusëve”, “Tregu” dhe KRM “Ecohigjiena” në Gjilan si dhe propozim-vendimin për shpalljen e interesit publik për pjesën e parcelës nr.309-0 ZK Stublinë, për hapjen e varrezës për groposjen e kafshëve të ngordhura.

Përndryshe, në fillim të seancës, Kuvendi mbajti një minutë heshtje në nderim të mjekut Visar Huruglica dhe afaristit Basri Kqiku, të cilët vdiqën dy ditët e fundit./rajonipress/