Uji Dea

Ne mund të vazhdojmë të mashtrohemi, por nëse flasim troç…

/ 10 minuta lexim
Fundamenti

Nga Adriatik Kelmendi – …i bie se e vetmja mënyrë për t’i anuluar dy marrëveshjet në formën e tyre të tashme është që pushteti dhe opozita të bëhen të sinqertë në radhë të parë me popullatën dhe votuesit e tyre. Të gjejnë formën që të ulen bashkë dhe me kompromise të të gjitha anëve dhe me konsensus t’i miratojnë parimet që do të ndiqen në mënyrë që Kosova të dalë fituese në të dyja rastet. Në të kundërtën, konfrontimi brendashqiptar vetëm sa do të sjellë rezultate për ata që nuk ua duan edhe aq shumë të mirën po këtyre shqiptarëve.

TASH NE MUND të vazhdojmë ta mashtrojmë vetveten, por nëse flasim troç i bie se as pushteti e as opozita nuk janë duke menduar seriozisht se si të dilet nga qorrsokaku, në të cilin momentalisht ndodhemi. Dhe, si gjithmonë, faturën do ta paguajë populli.

Pushteti nuk ka propozim konkret e përtokë, i cili do të jepte garanci se brenga e opozitës lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe dhe Marrëveshja për Demarkacionin do të merrej seriozisht në konsideratë, dhe se të njëjtat mund të modifikohen ose edhe të hidhen poshtë. Arroganca e numrave të Kuvend nuk po sjell rezultate në terren dhe për më tepër do të duhej ta shfrytëzonte kundërshtimin opozitar të marrëveshjeve për të forcuar pozicionin negociues përballë Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Në këtë aspekt, sidomos veprimi i mençur i mbledhjes së nënshkrimeve të qytetarëve nga ana e partive të opozitës, do të duhej t’i shërbente shumë më tepër koalicionit qeveritar si argument për t’i rishqyrtuar marrëveshjet sesa opozitës. Nëse i themi gjërat troç, peticioni, mbrapshtë, si rëndom, po kthehet si matës forcash ndërmjet përkrahjes që (nuk) gëzon opozita ose pushteti, gjë që sërish është një mashtrim për konsum të brendshëm, në vend se të ishte aset për t’u përdorur në bindjen e BE-së e SHBA-së se marrëveshjet megjithatë çalojnë.

Tutje, mosmbajtja e zotimeve dhe obligimeve ligjore për të raportuar në Kuvend për marrëveshjet me palët e tjera, në këtë rast me Serbinë dhe Malin e Zi, ka nxitur mospajtimin dhe kundërshtimin legjitim të opozitës së bashkuar tashmë në këto kauza. Nëse asgjë tjetër, së paku diskutimi dhe ekspertiza e gjerë do të mund të ndikonin që edhe produkti final i këtyre marrëveshjeve të ishte më i favorshëm se ç’është tash. Në këtë aspekt, kjo është një shkarje e rëndë e koalicionit PDK-LDK-komunitetet dhe ka merituar protestën e ashpër, në mënyrë që të mbetet si leksion, i cili nuk duhet përsëritur as nga këta e as nga asnjë shumicë parlamentare në të ardhmen.

NË ANËN TJETËR, tri partitë opozitare VV, AAK e NISMA (VAN) ende nuk e kanë krejtësisht të qartë se cili është qëllimi final.

A është rinegociimi i marrëveshjeve pas anulimit ose hedhjes poshtë të këtyre ekzistuese (së paku, AAK e NISMA thonë se nuk janë kundër bisedimeve me Serbinë dhe nuk janë kundër një Asociacioni me më pak kompetenca të komunave me shumicë serbe)?

A është që të njëjtat të hidhen në referendum?

A është për rënien e Qeverisë Mustafa dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja?

Apo është vetëm qëllimi i pensionimit të Mustafës dhe riformatizimi i qeverisë tash ose pas zgjedhjeve?

Me hapat e ndërmarrë dhe ata të propozuar deri më tash nga VAN, nëse flasim troç e nuk mashtrohemi, i bie se realisht lufta kryesore është për këtë të fundit.

NËNSHKRIMET NDËRKOMBËTARE nuk hiqen vetëm me një hap pishmani. Meqë Marrëveshja për Asociacionin/Bashkësinë po shihet si derivat i Marrëveshjes së Parë për Normalizim Marrëdhëniesh… të 19 prillit 2013, atëherë i bie se vetëm Kuvendi me 2/3 e votave të deputetëve mund ta hedhë poshtë gjithë atë marrëveshje. Mirëpo, së pari ky Kuvend duhet të funksionalizohet, gjë që opozita nuk po dëshiron ta bëjë tash për tash. E dyta, duhet të sigurohen së paku 80 vota të deputetëve, gjë që sërish, për arsye të ditura, nuk është e mundur të ndodhë.

Ndërkohë, nëse mbetet si hallkë trajtimi i Marrëveshjes së Asociacionit/Bashkësisë nga Gjykata Kushtetuese, i propozuar nga presidentja Jahjaga, së pari do të duhej të kishim konsensus se do të respektohet procedura, të pritet aktgjykimi dhe të pranohet i njëjti, varësisht se cili do të jetë ai, nga të gjitha subjektet partiake.

UBT

Sa i përket Marrëveshjes me Malin e Zi, ajo mund të mos ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës dhe nënshkrimi i saj nuk do të jetë më i vlefshëm, por do të duhej filluar një proces të ri. Edhe kjo hedhje poshtë nga Kuvendi nuk do të mund të ndodhë pa pranuar VAN që të kthehet dhe të vazhdojë punën aty.

REFERENDUMI! Së pari nuk ka ligj për referendumin në Kosovë. Nëse do të duhej të miratohej ligji, do të duhej të votohej nga Kuvendi. Për t’u votuar në Kuvend do të duhej që në të të kthehej VAN-i. Mirëpo, edhe nëse këta hapa ndërmerren, ideja e referendumit të organizuar nga përfaqësuesit e popullatës shumicë për një çështje që kërkohet nga popullata pakicë (pavarësisht se pas kësaj kërkese qëndron edhe Beogradi), as nuk lë shije të një shteti demokratik dhe të barabartë për të gjithë qytetarët njësoj, si vlerë evropiane, e as nuk do ta zgjidhte problemin.

Ky referendum do të mund të ishte legal, por jo edhe legjitim në kontekstin e një Kosove evropiane, dhe i njëjti do të mund të nxiste komunitetin pakicë serb që të kundërpërgjigjet me një referendum tjetër, i cili gjithsesi nuk do të ishte legal, por do të përdorej si argument legjitim i kundërshtimit nga një pakicë me të drejta të garantuara kushtetuese në Republikën e Kosovës. Për më tepër, nuk kemi pse të shërbehemi me metodat e njëjta që i ka përdorur edhe Beogradi, para e pas luftës (pavarësisht konteksteve të ndryshme që nuk lejojnë krahasim të drejtë), kundër përpjekjeve të shqiptarëve për të drejta dhe pavarësi, e të cilat, siç dihet, gjithnjë mbeten për konsum të brendshëm. Edhe ky opsion është vetëm një flluskë jo e sinqertë në kontekst të situatës.

AS OPSIONI I ZGJEDHJEVE të reja nuk zhbën si me shkop magjik asnjë marrëveshje me Serbinë në kuadër të negociatave të Brukselit e as nuk është garanci për ndryshim të vijës kufitare me Mal të Zi. Krejt çka eventualisht mund të sjellin zgjedhjet është ndryshimi i koalicionit qeverisës, kur VAN-i nëse mbetet bashkë, do ta kishte partner koalicioni në qeveri me LDK-në ose me PDK-në, ose sërish PDK e LDK do të bënin koalicionin e njëjtë, vetëm me emra të tjerë udhëheqës.

E para, “Vetëvendosje!” asnjëherë deri më sot nuk e ka deklaruar si mundësi futjen në një listë të përbashkët zgjedhore me AAK-në dhe NISMËN, për shumë arsye, por, mbi të gjitha, për shkak të kritikave që i kanë pasur edhe për “pastërtinë” e liderëve të këtyre të fundit, por edhe pse në fakt të tria dallojnë dukshëm në programet dhe orientimet ideologjike të prezantuara.

AAK-ja dhe NISMA, sipas të gjitha gjasave, në zgjedhje të ardhshme do të shkojnë bashkë. Sidoqoftë, nuk ka asnjë sondazh ose vlerësim kualitativ që sheh se të tria këto parti do të mund të merrnin bashkë 50 për qind të votave të elektoratit, në mënyrë që ta formonin vetëm qeverinë.

Në anën tjetër, në asnjë palë zgjedhje pas luftës PDK e LDK nuk kanë zbritur më poshtë se 22 për qind të votave dhe nuk besohet se diçka e tillë do të mund të ndodhte në zgjedhjet e parakohshme. Të mos harrohet se PDK-ja vazhdon të ketë numrin më të madh të komunave në qeverisje, ka ende lidhjet e strukturës së trashëguar të SHIK-ut, ka biznese të fuqishme përkrahëse, ka klientelizmin më të madh për shkak të të qenit në Qeveri për kohë të gjatë dhe ka militantët ndoshta më të kalitur për të bërë gjithçka që të sigurohen votat. Krahasueshëm, edhe LDK-ja ka shumë komuna, ka strukturën më të vjetër dhe më të përhapur, ka klientelizmin e pushtetit dhe ka biznese prapa.

Duke pasur të gjitha këto parasysh e duke e vlerësuar si të pamundshme lënien në opozitë të PDK-së dhe LDK-së bashkë, nëse flasim troç, ka pak gjasa që një koalicion paszgjedhor qeveritar me VAN-in dhe njërën nga këto të dyja do të kishte vullnetin për t’i anuluar marrëveshjet.

Mirëpo, nëse qëllimi është PENSIONIMI I ISA MUSTAFËS, atëherë me zgjedhje të reja ky do të ishte opsioni më i mundshëm. Vetë Mustafa – i cili edhe në këtë koalicion nuk kishte parapëlqyer ta kishte postin e kreut të ekzekutivit, por synonte atë formal të udhëheqjes së Kuvendit – pak ka gjasa se do të donte ta vazhdonte aventurën kryeministrore. Me moshën, gjendjen shëndetësore dhe bagazhin politik – dy herë kryetar Prishtine, dy mandate kryetar i LDK-së dhe kryeministër – pensionimi do të dilte si zgjidhja ideale për të. Por, siç u tha, pa qartësi për anulim të marrëveshjeve.

E NE MUND TË vazhdojmë të mashtrohemi, por nëse flasim troç i bie se e vetmja mënyrë për t’i anuluar dy marrëveshjet në formën e tyre të tashme është që pushteti dhe opozita të bëhen të sinqertë në radhë të parë me popullatën dhe votuesit e tyre. Të gjejnë formën që të ulen bashkë dhe me kompromise të të gjitha anëve, si dhe me konsensus t’i miratojnë parimet që do të ndiqen në mënyrë që Kosova të dalë fituese në të dyja rastet.

Në të kundërtën, konfrontimi brendashqiptar vetëm sa do të sjellë rezultate për ata që nuk ua duan edhe aq shumë të mirën po këtyre shqiptarëve.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

http://koha.net/?id=31&o=940