Fundamenti

Në Mitrovicë plagoset zëvendësshefi i Zyrës së Kosovës

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Dushan Milisavleviq, zv. shef i Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, është plagosur të premten pak para mesnate nga persona të panjohur, ndërsa nga spitali në veri kanë bërë të ditur se ai është jashtë rrezikut për jetë.

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, ka thënë për Kosovapress se ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:30 në rrugën Sutjeska në veri të Mitrovicës, kur persona të panjohur deri tani që ndodheshin në një automjet në lëvizje, kanë shtënë në drejtim të viktimës.

“Policia ka intervistuar katër persona në lidhje me rastin, ndërsa hetimet po zhvillohen në mënyrë të intensifikuar për të ndriçuar rastin sa më parë”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër, Adriana Hoxhiq, shefe e Zyrës në veri, ka thënë për mediat serbe se cak i sulmit nuk ka qenë vetëm viktima, por edhe tre kolegë tjerë të saj.

Fundamenti

Sipas saj, incidenti ka ndodhur kur katër punëtorë, kolegë të saj nga Zyra Administrative në veri, kanë dalë nga një lokal në veri të Mitrovicës, dhe sulmuesi me maskë në kokë ka shtënë në drejtim të punëtorëve, me ç’rast ka qëlluar në këmbë njërin prej tyre.

“Sulmuesi ka ikur me shpejtësi me automjetin që e priste afër vendit të ngjarjes”, ka thënë Hoxhiq, duke shtuar se Zyra e saj në bashkëpunim me EULEX-in do të bëjë gjithçka që është e mundur për të krijuar ambient të qetë në veri.

Ndryshe, viktima, por edhe shtëpia e tij që ndodhet në Zveqan, është sulmuar edhe disa herë më parë nga bashkëkombësit e tij.(express)