Në listën e Murat Yakin edhe Albian Hajdari, qendërmbrojtës i skuadrës Tiçineze. Fc. Lugano

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Të rinjtë me rrënjë shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Kosova Lindore e aty-këtu edhe nga Shqipëria, Ulqini dhe Kraja, me prirje në futboll nga viti në vit po tregohen mjaft të suksesshëm, si në skuadrat ku luajnë ashtu dhe me përfaqësuesen e Zvicrës.

Qysh para dy dekadave me ekipin e Zvicrës, kur përzgjedhës ishte Köbi Kuhn, pati luajtur, anamoravasi Milaim Rama, anëtar i FC. Thoune, FC. Augsburg dhe FC. Schaffouse.

Ai, njëfarë mënyre paralajmëroi se të rinjtë shqiptarë të mbikëqyrur nga trajnerë profesionistë në çfarëdo kushtesh ambientohen lehtë dhe shpejtë.

Zaten ashtu edhe ndodhi. Me skuadrën e Zvicrës, vite me radhë shkëlqyen futbollistët; Valon Behrami, Blerim Xhemaili dhe Amir Mehmedi.

Ndërkaq, Frederik Veseli, në vitin2009 si kapiten i shpresave U-17, të Zvicrës u kurorëzua me titullin e më të mirit në botë, duke e mundur në ndeshjen finale Nigerinë 1 me 0.

Me skuadrën e Zvicrës zenitin e arrijnë Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, të cilët me lojën e tyre të bukur patën gjunjëzuar Serbinë në botërorin “Rusi 2018”.

Ata edhe sot konsiderohen si truri i skuadrës së Zvicrës. Loja e tyre atraktive pëlqehet nga mijëra sportdashës në të katër anët e globit. Falë lojës së tyre të shkëlqyer luajnë në skuadra të njohura tash sa vjet.

Në përfaqësuesen e Zvicrës ,patën nderin të jenë të ftuar edhe futbollistët; Pajtim Kasami, Shani Tarashaj, Florian Kamberi, Florent Hadergjonaj dhe Kastriot Imeri.

ARKATANA

Në “Euro 2024” që mbahet në Gjermani, muajin e ardhshëm të ftuar nga përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, janë futbollistët me rrënjë shqiptare; Granit Xhaka; Xherdan Shaqiri, Ardon Jashari, Andi Zeqiri, Uran Bislimi dhe Albian Hajdari.

Për herë të parë në skuadrën e Zvicrës është i ftuar Albian Hajdari, qendërmbrojtës standard i skuadrës tiçineze FC. Lugano, anëtare e elitës së futbollit helvetik.

Në këtë skuadër që aktualisht renditet në vendin e dytë me gjithsej 65 pikë, luajnë edhe futbollistët e shquar, Amir Shaipi, portier në rrugë të mirë për të qenë edhe pjesë e ekipit të parë të Zvicrës, Kreshnik Hajrizi, mbrojtës dhe sulmuesit Uran Bislimi dhe Shkëlqim Vladi.
Duke analizuar listën me emrat e lojtarëve të ekipit të Zvicrës, shohim konkurrencë tejet të fortë për 11-shin e parë.

Mirëpo, sipas parashikimeve tona në ekipin e parë të Zvicrës, do të jenë gjithsesi Shaqiri, Xhaka dhe Jashari.

Ndërkaq, me gjasa të mëdha për t’u aktivizuar të paktën në 45 minutat e pjesës së dytë të lojës do të jenë edhe lojtarët; Andi Zeqiri, Uran Bislimi dhe Albian Hajdari.

Luajtën apo nuk luajtën s’ka edhe aq rëndësi. Parësore është që këta djelmosha janë prezent në një ngjarje të madhe sportive, që mbledh ajkën e futbollistëve më të mirë të Evropës./arif ejupi/rajonipress/