Në kuadër të bashkëpunimit Kosovë-Gjermani, komuna e Vitisë u bë pjesë e projektit për përdorimin e qëndrueshëm të mbetjeve organike
Viti – Në kuadër të projektit për përdorimin e qëndrueshëm të mbeturinave/mbetjeve organike në Viti, gjatë kësaj jave dhe asaj në vijim, tri studente nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe një punonjës i Universitetit “Justus Liebig” në Giessen (Gjermani) do të jenë të angazhuar në mbledhjen dhe analizimin e mbeturinave/mbetjeve organike nga amvisëritë e përzgjedhura, restorantet, supermarketet dhe objekte të tjera në Viti dhe kryerjen e intervistave mbi këtë temë.
Bëhet me dije se kjo punë është pjesë e projektit trevjeçar “Përdorimi i qëndrueshëm i rrjedhave anësore organike (mbeturinave/mbetjeve organike) në Republikën e Kosovës: Zhvillimi i konceptit dhe zhvillimi i mënyrave të zbatimit duke marrë si shembull komunën e Vitisë.”
Në këtë projekt, që ka filluar nga qershori i këtij viti, janë të përfshirë disa punonjës të administratës komunale të Vitisë dhe OJQ “GLV Vitia”.
Qëllimi i projektit në fjalë është të zhvillohen mënyra për të përdorur mbetjet organike nga vendbanimet dhe bujqësia e Vitisë në sisteme të qëndrueshme prodhimi, siç janë prodhimi i kompostit, biogazit apo ushqimit për kafshë.
Më parë, në kuadër të këtij projekti në Viti, në bashkëpunim me GLV Vitia, u mbajtën punëtori në disa shkolla, ku nxënësit u morën me temën e përdorimit të qëndrueshëm të mbetjeve organike.
Përndryshe, në këtë projekt, që financohet nga Fondacioni Federal Gjerman për Mjedisin (DBU), janë të përfshirë Komuna e Vitisë dhe ajo e Kirchhain-it./rajonipress/