KKVITI

Në Kosovë s’ka Universitet privat, ka vetëm kolegje

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Asnjë institucion i arsimit të lartë privat në Kosovë, nuk ka titullin Universitet. Të gjitha këto institucione të akredituara si institucione të arsimit të lartë nuk gëzojnë as titullin e kolegjit universitar, por vetëm mund të quhen sipas akreditimit, kolegje.

Agjencia për Akreditim e Kosovës (AAK) ka bërë të ditur se bazuar në rezultatet e deritashme të procesit të akreditimit, të cilat u janë shpërndarë institucioneve mund të quhen vetëm kolegje, si dhe të lëshojnë dokumente vetëm me këtë thirrje.

Në një bisedë për “Zërin” kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë (KKC) të agjencisë Ferdije Zhushi-Etemi ka thënë se nuk ka Universitet privat në Kosovë, e madje as kolegj universitar. Ajo ka theksuar se një kolegj mund ta marrë emërtimin universitet, pasi që të kalojë nëpër fazën e kolegjit universitar dhe kur t’i plotësojë të gjitha kërkesat.

“Ky institucion pas një periudhe mund të aplikojë edhe për universitet, por kjo gjithmonë do të ndodhë kur ministri do të marrë një rekomandim nga agjencia e akreditimit, që një institucion ta bëjë Universitet”, ka sqaruar ajo.

Megjithëkëtë, Zhushi-Etemi nuk sheh mundësi që tash së shpejti ndonjë prej tyre të marrë këtë titull. “Të gjitha institucionet kanë qenë në stadin e parë dhe meqenëse evoluimi apo zhvillimi prej kolegji në kolegj universitar shkon në bazë të programeve të doktoratës që duhet të ofrojnë, kandidatët e diplomuar në doktoratë, kjo gjë ende nuk ka ndodhur në Kosovë, prandaj ne nuk kemi as kolegj universitar, kështu që agjencia do të ndëshkojë edhe institucionet që mbajnë emrin kolegj universitar pa qenë të akredituara si të tilla”, ka thënë Zhushi-Etemi.

Agjencia deri në nëntor të këtij viti do të pranojë aplikacionet për fazën e re të procesit të akreditimit. Dorëzimi i aplikacioneve do të zgjasë deri në fund të nëntorit. Ajo ka paralajmëruar se kriteret e akreditimit në këtë fazë do të ashpërsohen për shkak se institucionet tashmë e kanë një përvojë.

Uji Dea

“Procesi i sigurimit të cilësisë është një proces, i cili i mban institucionet të angazhuara. Institucionet në këtë kohë kanë qenë në fazën e mësimit të procesit të sigurimit të brendshëm të cilësisë dhe atij të jashtëm. Këtë vit do të kemi riakreditimin institucional të shumicës së kolegjeve private. AAK-ja nuk konsideron se institucionet nuk e njohin këtë proces, por përkundrazi do të jemi më rigorozë për shkak se është faza e dytë e riakreditimit kur ne do të shikojmë nëse institucioni ka përmbushur rekomandimet, të cilat i kemi vënë në procesin e parë”.

Procesi i akreditimit që do të ndodhë këtë herë do të ketë risi. Zhushi-Etemi ka thënë se nuk do të ketë akreditim një vit për shkak se ai akreditim është bërë me kusht që t’i mundësohet institucionit që të zhvillohet.

“Institucioni ose do t’i plotësojë standardet plotësisht dhe do të akreditohet për afat të plotë të akreditimit ose nuk do të akreditohet në aspektin institucional, apo për ndonjë program të caktuar”. Akreditimi i plotë i institucioneve, sipas saj, do të bëhet për afat pesëvjeçar, ndërsa i programeve akreditimi i plotë do të jetë trevjeçar.

Me kërkesë të agjencisë tash duhet të definohen rezultatet e të nxënit nga institucionet. Zhushi-Etemi ka theksuar se përshkrimi i programeve duhet të bëhet në bazë të rezultateve të të nxënit.

“Nëpërmjet rezultateve të të nxënit do të dihet se çka pritet që studenti të dijë në përfundimin e një programi si dhe punëdhënësi duhet të jetë i informuar për çka është përgatitur ai student dhe mund t’i ofrojë punësim në ndërmarrjen e tij”, tha ajo.

Ndërkaq, rekomandimet e shpërndara institucioneve përfshijnë dhe kërkesa tjera se si duhet të bëhet progres në ngritjen e cilësisë, çfarë duhet bërë të zhvillohen programet, cili duhet të jetë rezultati i profilit ekzistues…