Hidromorava

Në Kosovë përgjohen 700-1.000 veta në muaj

/ 13 minuta lexim
Hidromorava

Në Kosovë nuk ka ende ligj për përgjimin e telefonave. Zgjerimi i kompetencave në disa resorë sigurie e drejtësie për të kërkuar përgjim i ka shndërruar masat e fshehta të përgjimit të telefonave në një industri të keqpërdorimeve.

Shifrat e përgjimit janë enorme 700-1.000 persona përgjohen në muaj, përderisa 80 për qind e aktakuzave aktualisht ngriten mbi masën e përgjimit

Akoma pa u përmbyllur hetimet ku ishte përfshirë masa e fshehtë e përgjimit të telefonit, Skënder Gashi, ish- sekretar permanent i Ministrisë së Transportit, ishte njoftuar se po përgjohej. Rrëfimet e dala nga përgjimi në vitin 2011 kishin vërshuar ministrinë. Fjala ishte për një ndikim të tij të kalohej në provimin për patentë shofer një femër (F.G.) që thuhej se kishte afërsi me të.

Kjo bisedë ishte nxjerrë nga policia dhe nga punonjësit e PTK. Ndaj këtij personi nuk është ngritur aktakuzë. Gashi thotë se në rastin e tij të gjithë kanë abuzuar. Ligjërisht ai është dashur të thirret në gjykatë dhe në prani të tij të shkatërrohet materiali përgjues, e kjo nuk ka ndodhur.

Në Kosovë nuk ka akoma ligj që rregullon mirëfilli çështjen e përgjimit të bisedave telefonike dhe menaxhimi i materies së përgjimit nga përgjegjësit në rastet si ky tregon se paligjshmëria dhe abuzimi janë vënë në raporte mirëkuptimi.

Fati i bisedave telefonike në transkriptet e përgjimit

Përderisa përgjimi i Gashit figuron të jetë bërë me lejen e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, një tjetër komunikim telefonik i një zyrtari në këtë ministri pritet ta sqarojë një prokuror i EULEX-it. Kjo u përket hetimeve për rastin më të madh deri më tani të dyshimeve për korrupsion, ku supozohet të jenë keqpërdorur 80 milionë euro në Ministrinë e Transportit.

Në këtë proces hetimesh ndaj ish- ministrit Fatmir Limaj është prezantuar nga prokuroria një komunikim me sms që ka për kryepersonazh ish- shefin e kabinetit të tij, Endrit Shalën.

Burime nga prokuroria dhe shtylla e Krimit në polici kanë pohuar se adresa e këtij materiali është në Policinë e Kosovës. Ndërsa personi që dyshohet se ka gisht në nxjerrjen e këtij komunikimi, në materien e të cilit ka pasur ndryshim të dhënash, është një polic me emrin F. Rexha, në atë kohë polic i njësisë Anti Drogë.

Në gjykatë e prokurori nuk konfirmojnë të jetë dhënë leje për masën e përgjimit apo nxjerrje e komunikimeve në këtë rast. Ngjarja që pretendohej të përdorej si inkriminim i Shalës dhe shefit të tij Limaj në shkëmbimet e sms-ve në numrin e Shalës dhe një biznesmeni nga Gjilani F.Z., është janar-mars 2009. Rrëfimi që nis dhe përfundon me mesazhet origjinale ka vetëm një sms kontestues, një shifër prej 500 mijë eurosh që F.Z. përmendte për degën e Partisë Demokratike në Gjilan.

Materiali që sipas avokatit të Limajt, Tahir Rrecaj i kishte shkuar më herët Limajt kur ishte ministër dhe ishte zhdukur nga shtëpia e tij, ishte rigjetur në prokurori. Nga ky version del që biznesmeni F.Z. i thotë Shalës se ka mbetur i pakënaqur nga një darkë e krerëve të PDK -së që nuk e kishin ftuar atë.

“Shoq. unë i kam dhënë 5 mijë euro për partinë ti e din, i ke pa vetë e ata m… kanë thirrur të tjerë“. Ky ishte mesazhi që në versionin që posedon prokuroria kishte pësuar metamorfozën më inkriminuese duke u shndërruar nga 5 mijë në 500 mijë euro. Pasi materiali kishte rënë në dorë të Limajt, për t’ia dokumentuar shefit të tij se ishte i kurdisur, Shala kishte marrë nga PTK versionin origjinal të komunikimit të tij telefonik.

Ngjarjet në ministri po rrokulliseshin drejt paketave milionëshe ku dyshohet akoma se i ka abuzuar Limaj & Co. Ndërkohë që polici F.Rexha kishte lëshuar policinë për të marrë një punë në PTK, ku është edhe tani.

Ky ish polic ka një version tjetër, krejtësisht mohues. “Kjo është trillim. Kurrë askund nuk mund të ketë asnjë dëshmi se unë kam nxjerrë mesazhe aq më pak montu sms e biseda”, ka thënë Rexha. Por, as ai dhe as PTK nuk sqarojnë punësimin e tij në PTK sa çel e mbyll sytë.

Prokuroria që ka urdhëruar verifikimin e komunikimeve pritet të vendosë rreth tyre. Këtë verifikim e ka kërkuar edhe mbrojtja e Limajt. Rrecaj ka thënë se bëhet fjalë për një montim të porositur. “Është një dokument që është falsifikuar në polici me porosi të dikujt. Kemi kërkuar verifikimin e tij deri në Monaco dhe prokuroria duhet të nisë hetimet edhe mbi këtë“, ka thënë Rrecaj.

Personazhi i sms-ve Endrit Shala nuk ka dashur të komentojë këtë histori. Ai është përgjigjur shkurt se do të bëjë padi. Por, nuk ka sqaruar se ndaj kujt. Nga misioni për sundim të ligjit i BE-së nuk kanë folur nëse kjo do të pranohet si provë e as nëse ka pasur urdhëresë për përgjim apo nxjerrje telekomunikimesh.

As në Policinë e Kosovës nuk ka kanë dashur të flasin për sigurinë e përgjimit, përfshirjen e policëve në abuzim me materialin përgjues rrjedhimisht as për rastin e Rexhës. Një përgjigje e ardhur përmes zëdhënësit thotë se ”policia përgjon me lejen e gjykatës”.

Kur është pyetur për rastin e Rexhës ish shefi i Shtyllës së Krimit, Gazmend Hoxha, ka pohuar se ka dëgjuar për këtë dhe ka thënë se “me sa di ai (F.R.) nuk ka qenë në polici kur thuhet se ka ndodhë ai marifet”.

Kryeprokurori i Qarkut në Prishtinë Aleksandër Lumezi shfaq hapur brengën se segmenti që mund të abuzojë më shumë me përgjimin është policia. “Kemi pasur zyrtarë të policisë që kanë nxjerrë të dhënat. Disa kanë aktakuza. Mund të ketë edhe të tjerë. Një gjë dihet që jo gjithçka mund të jetë e sigurt”, thotë ai.

Lumezi madje thotë se çështja e përgjimeve nuk është diçka për t’u ndier rehat. “U them qytetarëve që kanë ankthin se gjithkush gjithkënd po e përgjon se kjo nuk ndodh. Megjithatë këtu thuhet se janë mbi 30 shërbime spiunazhi dhe çështja e përgjimit të paligjshëm nuk them që nuk mund të ndodhë“, thotë ai.

Në shumë raporte të organizatave të ndryshme është thënë se përgjime të paligjshme në Kosovë kanë bërë shërbime spiunimi si IHPSO që drejtohej nga Ramë Maraj i afërt me LDK, dhe nga SHIK-u i afërt me partinë në pushtet PDK. Por, deri më tani askush në Kosovë nuk e ka marrë mundimin të hetojë këto dy shërbime.

Lejet për përgjim, manteli ku fshihen parregullsitë

Shtegu tjetër i abuzimit është mundësia e keqinterpretimit apo fshehjes së të dhënave gjatë transkriptimit të bisedave të përgjimit. Ajo që është parë në disa leje të dhëna për përgjim është se gjykatësit mund të lajthiten nga policët hetues. Kjo sidomos kur kërkohet që bashkë me kërkesën për përgjim të një numri të mund të futen edhe numra të tjerë.

Një shembull të kësaj në gjykatë e kanë treguar në rastin e djegies së ndërtesës së shoqatës “Drenusha”, në Viti, ku 12 numra përnjëherë ishin kërkuar të përgjohen. Ndërsa Lumezi përmend përfshirjen e policëve në nxjerrje informacioni të përgjimit. Rastet si këto që përmend prokuroria për përfshirjen e policëve në nxjerrje informacioni gjithsesi kanë shtuar ankthin për sajim e komplote.

Ndonëse pjesëtarë të policisë kanë treguar raste kur gjatë bastisjeve në pista dyshimi u kanë gjetur të hetuarve kopjet e urdhëresave për përgjim që supozohet të jenë nxjerrë nga prokurorët.

Eco Higjiena

Pavarësisht se Prokuroria, Gjykata e as policia nuk japin të dhëna, burimet brenda operatorëve telefonikë flasin se mesatarisht 700 deri 1.000 përgjime bëhen në muaj përmes 12 njësive të policisë.

Që me përgjime është tepruar e konfirmon kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë Hamdi Ibrahmi.

Pa dhënë shifra ai thotë se gjykata është vërshuar nga kërkesat për përgjime telefonash. “E them lirisht se ka shumë më shumë kërkesa se që duhet. U kam kërkuar gjykatësve të kenë kujdes me to. Kjo është kërkuar edhe nga Këshilli Gjyqësor. Mendoj se ka dozë të tepruar të përgjimeve”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka thënë se Prokuroria e di sa për qind e gjithë aktakuzave bëhen mbi masën e përgjimit. Këtë shifër nuk ka pranuar ta japë Prokuroria e Shtetit. Por, sipas monitorimeve të proceseve gjyqësore dhe raporteve të prokurorisë del se 80 për qind e aktakuzave ngriten përmes përgjimit.

Megjithatë kryeprokurori Lumezi që nuk jep shifrat nuk mendon se po teprohet me kërkesat për përgjime. Gjithashtu kreu i Gjykatës së Qarkut, Ibrahimi, thotë se është komplet e panjohur pjesa e lejeve për përgjim që lëshohen nga gjykatësit e EULEX-it. ”Ne nuk kemi qasje në këto vendime”, thotë Ibrahimi.

Përgjimi aktualisht rregullohet me Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale dhe bie në segmentet e policisë, gjykatës, prokurorisë, doganave dhe Agjencinë e Inteligjencës.

Kodi Penal, neni 257, parasheh përgjimin kur ekziston dyshim i bazuar se një ose më shumë persona kanë kryer ose kanë tentuar të kryejnë vepër penale e dënueshme me mbi katër vjet burgim. Kjo në rast se informacioni do të ndihmonte në hetimin e veprës penale dhe ai nuk do kishte mundësi të merrej me veprime të tjera hetimore.

Megjithatë gjykatësit që japin vendime për përgjim apo nxjerrje të sms-sve nuk janë në gjendje të kontrollojnë ligjshmërinë e procesit dhe as mbrojtjen e materialit nga keqpërdorimi.

Më tepër se kontrollin Gjykata e Prokuroria e kanë hallin tek dhomat e dëshmive në polici ku ruhet materia përgjuese. Këto janë kthinat ku skandalet e vjedhjeve të dëshmive janë bërë rutinë dhe nuk është zbardhur asgjë. Të vetmit rreth të cilëve mbeten dyshimet e hapura janë pjesëtarët e policisë. Pohimeve se policia është bërë pararojë e abuzimeve me provat nuk mund t’u bëhet argat më i mirë.

Ruzhdi Jashari, shef i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, rrëfen se përmes përgjimeve ndodh shkelja e të drejtave të njeriut për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale. “Përgjimi mbetet një mënyrë tjetër abuzimi ku është e vështirë të mbikëqyret“, thotë Jashari.

Prokurorët e gjykatësit konfirmojnë se materialet e përgjimit shpesh dërgohen të pakrasitura nga bisedat intime. Por, një gjë nuk kanë mundur të konfirmojnë Prokuroria e as Gjykata. Asnjë person asnjëherë nuk është thirrur siç obligon ligji (neni 265 i KPP) që pasi të përfundojnë hetimet t’i tregohet se ka qenë i përgjuar për këtë apo atë rast për t’u shkatërruar në prezencë të tij materiali i nxjerrë nga përgjimi i telefonit. Këtë obligim ligjërisht nuk e ka vetëm AKI.

Abuzimi me masën e përgjimit, mjegullimi dhe shfrytëzimi shpesh në mënyrë gangsterioze i informatave hetuese kanë lënë shumë shteg për dyshime e pasiguri.

Tagri i dëshmive

Një hetues tjetër që gjithashtu ishte përgjuar rrëfen se nuk është thirrur kurrë nga organet e drejtësisë për t’u shkatërruar materiali i përgjimit. Ky hetues që nuk ka dashur të citohet me emër ka të deponuar një padi për një ish-punëtor të PTK-së me emrin Burim Doqi dhe dy ish kolegë të tij (policë të huaj) për nxjerrje të komunikimeve telefonike, e dënueshme sipas nenit 176 të KPK.

Prokuroria ende nuk ka dhënë vendim për këtë lëndë. Ndërsa PTK nuk ka dhënë përgjigje për rastin e Rexhës e as të Doqit.

Menduh Abazi, zëdhënës i PTK-së, ka pohuar se ka pasur disa raste dyshimesh në punëtorët që punojnë tek shërbimi i përgjimit të cilëve u është ndërruar vendi i punës. Kjo ka qenë stacioni i parë i dyshimeve për abuzim që nuk është shkuar më tej. “Derisa nuk ka prova apo veprime nga organet e gjyqësisë ne nuk kemi mundur të bëjmë më shumë”, arsyetohet Abazi.

Sipas KPP, urdhri për përgjim të shpejtë mund të bëhet nga prokurori në rastet kur koha deri te lëshimi i vendimit të gjykatës rrezikon hetimet ose jetët e njerëzve. Ky urdhër humb fuqinë nëse gjykatësi brenda 24 orëve nuk jep leje me shkrim.

Ligji për telekomunikimet, sipas prokurorisë, lë mangësi rreth procesit të përgjimit në tri dimensione ku shtrihet hetimi i telekomunikimit: përgjimi i telefonave, regjistrimi i thirrjeve telefonike dhe përgjimi përmes rrjetit kompjuterik.

Në këtë paqartësi aktualisht po gjendet operatori IPKO, i cili vazhdon të ketë fërkime me institucionet e sigurisë dhe gjyqësorit rreth rigjenerimit të sms-ve dhe qasjes në të dhëna. Ky operator nuk mundëson rigjenerim të sms më tepër se 6 muaj dhe kjo u lehtëson punë përdoruesve të numrave të saj të përfshirë në krim.

Zyrtarët e IPKO-s thonë se po kryejnë obligimet ligjore. Me këtë operator vetëm EULEX duket se e ka zgjedhur problemin rreth procedurave hetimore.

Ekrem Hoxha, shef i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, “nuk ka njohuri” nëse operatorët telefonikë në ofrimin e këtij shërbimi po bien ndesh me ligjin, duke treguar shpërfilljen e ART-së ndaj kësaj situate.

Operatorët e telefonisë mobile vazhdojnë të mbesin fushë e pakontrolluar. Askush-askujt nuk i ka kërkuar llogari për përmasën e shkeljeve dhe njerëzit që punojnë në segmentin e përgjimit, që shpesh nuk u bëhet kurrfarë verifikimi. Parlamenti, autoriteti që mund të formojë komision special për inspektim të kompanive, nuk i ka shkuar asnjëherë ndërmend për këtë.

Një draftligj mbi përgjimin tani ka filluar të punohet nga Zyra e Kryeministrit. Florin Krasniqi, që kryeson Komisionin parlamentar për mbikëqyrje të AKI, dhe Ahmet Isufi, që kryeson atë për Siguri Publike, po presin që ky ligj t’u ofrojë “mundësi më të mëdha” për ta kryer këtë obligim ligjor.

(Artikulli është mbështetur nga fondacioni danez për gazetari hulumtuese SCOOP. Përgjegjësinë për këtë shkrim e mbajnë autorët dhe SCOOP-i)