Në Kosovë, mjedisi vdekjeprurës

Prishtinë – Qytetarët e Kosovës nuk thithin ajër të pastër. Një pjesë e tyre pinë ujë që nuk i plotëson standardet dhe nuk është i shëndetshëm, ndërsa një pjesë jetojnë mbi tokën e kontaminuar, kryesisht afër industrive të rënda, shkruan Koha Ditore.
Raportet zyrtare thonë se pluhuri i shkaktuar kryesisht nga veprimtaria e KEK-ut është ndotësi kryesor i ajrit në Kosovë, në veçanti në rajonin e Prishtinës.
Ndotjes së ajrit i kontribuojnë edhe industritë e tjera të rënda dhe automjetet. KEK-u po ashtu bën edhe ndotjen e ujit dhe të tokës. Përveç industrive, uji ndotet edhe nga vetë qytetarët. Të gjitha ujërat e zeza, kanalizimi i Kosovës, përfundojnë në lumenj. Toka është kontaminuar në pjesët rreth industrive të rënda, sidomos në afërsi të kombinatit “Trepça” dhe të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Të gjitha institucionet thonë se ligjet dhe strategjitë janë në nivel me ligjet për mjedisin të Bashkimit Evropian. Por ligjet që kufizojnë ndotjen e ajrit, të ujit dhe të tokës nuk respektohen në Kosovë. Kostoja për zbatimin dhe implementimin e këtyre ligjeve është e papërballueshme për të gjitha vendet kandidate për të hyrë në BE, duke përfshirë edhe Kosovën.
Raportet e ndryshme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare japin rezultatet alarmante për mjedisin.
Kostoja vjetore e degradimit mjedisor në Kosovë, sipas Bankës Botërore, llogaritet të jetë rreth 223 milionë euro, apo ekuivalente me 5.3 për qind të Bruto Produktit Vendor (GDP).