Eko Higjiena

Në Kosovë inxhiner, në Gjermani nxënës!

/ 3 minuta lexim

Sami Gani Mehmeti, 43 vjeçar në Kosovë ka mbaruar elektroteknikën dhe ka diplomën e inxhinierit nga Universiteti i Prishtinës, me nota të mira. Pas kësaj ai ka punuar si mësimdhënës i elektroteknikës, por, në Gjermani e gjithë kjo nuk i vlen aspak.

Se diplomat e Kosovës nuk njihen në Gjermani, Samiu, baba i dy fëmijëve, e ka kuptuar para rreth 12 viteve kur, i ikur nga lufta ishte strehuar këtu, ku jeton sot, në Solingen.

Pasi kalon pak kohë si i papunë, ai nis të punojë në ndërtim dhe në restorante. Në fakt këto nuk ishin profesionet e tij të preferuara, pasi që ai dëshironte të punonte vetëm në profesionin e tij, në elektroteknikë.

“Por unë nuk jam një tip që rri ulur dhe pret se çka do të bjerë nga lart”, thotë 43 vjeçari. Bashkëshortaja e tij ka studiuar historinë në Kosovë ndërsa tash punon si shitëse në Solingen.

Jeta e Samiut mori një kthesë pozitive vitin e kaluar, kur në postën e tij erdhi një ofertë për projektin “Partizipation Plus”.

Bëhet fjalë për një projekt të mbështetur nga Fondi Social Evropian dhe që do të vazhdojë deri në vitin 2013. Ai u ofron ndihmë refugjatëve dhe të huajve me të drejtë qëndrimi që të gjinden në tregun e punës. Në projekt marriun pjesë 121 persona me prejardhje të huaj.

Mobi Casa

Samiu konkurroi dhe u shndërrua kështu njëri ndër “rrëfimet e suksesit” të këtij projekti.

Ai ka filluar një praktikum në firmën Losch Elektrotechnik. “Pas vetëm dy muajsh, shefi më pyeti se a do të doja të kryeja një kualifikim profesional”. Kështu, ish mësimdhënësi i elektroteknikës, tash, si 43 vjeçar ulet sërish në bankat e shkollës.

“Nxënësit tjerë më shikojnë nganjëherë me habi”, thotë ai duke qeshur.

“Drejtimi i elektroteknikës është i lehtë për mua. Por gjermanishtja është e vështirë”. Ashtu sikurse e shoqja, edhe Samiu ndjek një ditë në javë një kurs të gjermanishtes, shkruan solingertagblatt.de. Po ashtu ai shikon lajmet në televizionet gjermane dhe madje pranon me kënaqësi ndihmë nga fëmijët e tij, të cilët të dy janë duke vijuar gjimnazin.

“Qëllimi ynë është integrimi”. Ai u thotë gjithmonë fëmijëve: “Ju duhet të mësoni mirë në shkollë, dhe pastaj do t` ia dilni”.