Në komunën e Kllokotit certifikohen 10 kandidatë për ndërmarrësi

Kllokot – Dhjetë punëkërkues të rinj të Komunës së Kllokotit, janë certifikuar për ndërmarrësi, plan biznesi dhe tatim – taksa. Certifikimi i këtyre punëkërkuesve të rinj është mundësuar përmes projektit “Ndërmarrësi dhe partneriteti – bazë e zhvillimit ekonomik” , i cili është implementuar nga OJQ “Elita” me seli në Viti, në përkrahje të ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë.
Nënkryetari i komunës së Kllokotit, Hasan Rashiti, ka thënë se ky aktivitet i shoqërisë civile, ka gjet përkrahjen e plot edhe të komunës, pasi përmes këtij projekti është mundësuar që një numër i punëkërkuesve të rinj, të aftësohen dhe ta kenë më të lehtë sigurimin e vendit të punës.
“Komuna si prioritet ka zvogëlimin e shkallës së papunësisë, dhe është e gatshme të përkrahë çdo iniciativë që ndihmon në punësimin e atyre që kërkojnë punë, prandaj edhe kemi mbështetur këtë projekt, i cili u ndihmon punëkërkuesve të rinj që të marrin iniciativa për hapje të bizneseve të reja me të cilat ata mund të sigurojnë vende pune për vete dhe të tjerë”, ka thënë Rashiti.
Edhe punëkërkuesit e rinj që kanë ndjekë këtë trajnim janë shprehur të kënaqur me njohuritë që kanë përfituar në këtë trajnim dhe kanë shprehur bindjen se këto njohuri do t`iu hyjnë në sigurimin e vendeve të punës. Blerim Fejza, nga Mogilla, ka thënë se çdo aftësim, është në interes të vetë kandidatëve që trajnohen, prandaj edhe njohuritë e përfituara nga këto trajnime do të aplikohen në praktikë.
E, Millorad Mitroviq, nga Kllokoti, ka thënë se këto trajnime ishin një përvojë e re për të dhe kolegët e tjerë, pasi mundësuan zgjerim të njohurive rreth ndërmarrësisë dhe hapjes së bizneseve të reja. OJQ Elita – Viti, një program të ngjashëm ka zhvilluar edhe në Komunën e Vitisë, ku janë certifikuar 40 punëkërkues të rinj në ndërmarrësi , plan biznesi dhe tatim taksa ka njoftuar për rajonipress, Aziz Zuka, zëdhënës i komunës së Kllokotit./rajonipress/