Në Komunën e Kamenicës janë dhënë 31,352 doza të vaksinës

Kamenicë – Koordinatorja e Shtabit, Florentina Kryeziu, gjithashtu prezantoi rezultatet për numrin e rasteve, dhe tregoi se në Komunën e Kamenicës janë dhënë 31,352 doza të vaksinës. Ajo tha se ka teste të mjaftueshme për të gjithë për t’u testuar nëse shohin se kanë shenja apo simptoma të virusit.
Është mbajtur mbledhja e dytë e Shtabit Emergjent Komunal për menaxhimin e pandemisë me COVID-19. Shtabi Komunal Emergjent ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën pjesëmarrës ishin: Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, koordinatorja e Shtabit Emergjent, Florentina Kryeziu, Komandanti i Stacionit Policor, Florim Klaiqi, si dhe anëtarët e tjerë të shtabit.
Mbledhjen e hapi i pari i komunës, Kadri Rahimaj, i cili bëri një përmbledhje të gjendjes me pandeminë në Komunën e Kamenicës.
Gjatë takimit u diskutua lidhur me situatën dhe gjendjen në shkolla, si dhe masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit.
Numri i të infektuarve është rritur, e sidomos nëpër shkollat e Kamenicës, prandaj Shtabi Emergjent mori vendimin e themelimit të një ekipi mobil nëpër shkolla që do të bëjë testimin e nxënësve, nga e hëna e javës së ardhshme.
“Duke parë numrin e rasteve që është në rritje, është e rëndësishme që të ofrohen kushte për testim pa rrezikuar përhapje më të madhe të virusit” tha Rahimaj.
Koordinatorja e Shtabit, Florentina Kryeziu, gjithashtu prezantoi rezultatet për numrin e rasteve, dhe tregoi se në Komunën e Kamenicës janë dhënë 31,352 doza të vaksinës.
Ajo tha se ka teste të mjaftueshme për të gjithë për t’u testuar nëse shohin se kanë shenja apo simptoma të virusit.
Komandanti i Stacionit Policor, Florim Klaiqi bëri thirrje për respektim të masave duke ditur se kjo është forma e vetme e kalimit të kësaj situate.
Orari për vaksinim në Qendrën e Vaksinimit në Kamenicë: 07:00-15:00
Orari për testim në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kamenicë: 07:00-21:00
Ju lusim që të respektoni rregullat e Institutit, duke mbrojtur kështu veten dhe të tjerët.