FIDANISHTJA

Në Komunën e Gjilanit nis projekti “Gjilani riciklon”

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilani – Komuna e Gjilanit është fituese e projektit “Gjilani riciklon”, i cili pritet të implementohet në 15 shkolla (në 9 shkolla 9-vjeçare dhe në 6 shkolla të mesme dhe në objektet komunale të Gjilanit. Synohet reduktimi, ndarja dhe riciklimi i mbeturinave, duke i kthyer ato në vlerë dhe në dobi qytetare; hapësira shkollore të pastërta, ambiente të këndshme dhe gjelbëruese.

Projekti “Gjilani riciklon” ka për qëllim të nxisë ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe edukimin e brezave të rinj për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, duke kontribuar në mbështetjen e shërbimit të ri që do të ofrohet prej Komunës së Gjilanit për ndarjen e mbeturinave me qëllim për stimulimin e riciklimit të tyre.

Shkollat, nxënësit dhe personeli arsimor do të kenë një rol kyç në realizimin e objektivave për një ambient të pastër, pa deponi mbeturinash dhe për një kulturë eko-mjedisore, duke nisur nga shkollat, oborret – hapësirat gjelbëruese e në nivel qyteti.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ky projekt duhet të jetë rezultativ, dhe që të jetë kështu shkollat duhet të japin mbështetjen e plotë. Ai ka rikujtuar se Komuna e Gjilanit e ka fituar çmimin e Komunës së gjelbër, dhe deri me 2020 gjithçka që është mbeturinë duhet të riciklohet dhe të mbyllen deponitë e mbeturinave. Ky është synimi ynë, ashtu siç e kërkojnë edhe kriteret e BE-së për hapësira ambientale pa mbeturina.

“Riciklimi është hap i madh i një komune dhe shteti të gjelbër, e kjo arrihet pikërisht nga shkollat”, është shprehur Haziri dhe ka shtuar se shkollat janë implementues të projektit, duhet të merret seriozisht, dhe rezultati me qenë i prekshëm.

Haziri ka porositur që ky projekt me dal gjithsesi i realizueshëm; të motivohen nxënësit për ambient të pastër; të përdorim më shumë biçikletën që të kemi ambient të pastër.

Mobi Casa

Haziri ka vlerësuar pozitivisht pastërtinë dhe mirëmbajtjen e hapësirave shkollore brenda dhe jashtë. Ai ka lavdëruar shkollat për menaxhimin në nivel të mbeturinave. “Kam vizituar shkollat, dhe më ka pëlqyer mirëmbajtja e tyre. Dukej puna e mirë dhe ky përkushtim duhet të jetë gjithherë i pranishëm”, është shprehur kryetari Haziri.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), Nazmi Musa, ka theksuar se Komuna e Gjilanit është përfituese projektit të Gizit “Gjilani riciklon” përmes të cilit synohet gjelbërimi i hapësirave shkollore.

Fadil Osmani, zyrtar në Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik, duke u përgjigjur në interesimet e të pranishmëve që mbeturinat të ndahen edhe në lagje të qytetit, ka thënë se në lagjet « Dheu i bardhë » dhe « Dardania » do të nisë ndarja e mbeturinave e pastaj do të zgjerohet edhe në lagje të tjera dhe në gjithë komunën.

Ndër objektivat dhe qëllimet kryesore të “Gjilani riciklon” është ngritja e vetëdijës qytetare tek nxënësit, mësuesit dhe shoqëria për rëndësinë e procesit të reduktimit të mbeturinave – redukto, ripërdor, riciklo; ngritjen dhe fuqizimin e qytetarisë aktive në procesin e ambientit; krijimin e grupeve të ambientalistëve të rinj “Green Clubs” në të gjitha shkollat e Gjilanit, dhe krijimin e sistemit të qëndrueshmërisë së tyre, me qëllim të aftësimit të tyre, që të kontribuojnë në mbrojtjen e ambientit përmes projekteve.

Projekti është përkrahur prej Komunës së Gjilanit dhe Organizatës qeveritare gjermane (Giz), ndërsa do të implementohet prej Organizatës joqeveritare Green Art Center (GAC).

Objektivat, qëllimet dhe synimet e projektit janë prezantuar në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) , të premtën, nga drejtoresha ekzekutive e Green Art Center (GAC), Merlina Beu Mucaj.

Projekti “Gjilani riciklon” do të impelementohet me kohëzgjatje prej 12 muajve (gush 2015-gusht 2016) ./nexhat buzuku/rajonipress/