ARKATANA

Në kërkim të personazhit nga fotografia e luftës në Kosovë

/ 6 minuta lexim

Këpucët plot lloç, të cilat i mban në dorë, teksa këmbëzbathur qëndron në hollin e një hoteli në kryeqytet, tregojnë se Jeff Bowden ka pasur një ditë të vështirë.

Kërkimi i tij për të gjetur djaloshin kosovar, të fotografuar 13 vjet më parë, në kohë lufte, rezulton i pasuksesshëm. Megjithatë gazetari i lirë amerikan Bowden nuk është i dëshpëruar, shkruan sot “Koha Ditore”. Ai ende vazhdon kërkimin. “Këpucët lahen, lodhja kalohet, është e rëndësishme se sfida mbetet, por më duhet ndihmë”, thotë ai. Bowden ka një vit që i ka hyrë një misioni, që nuk ka të bëjë asgjë me profesionin. Është një kërkim i bazuar mbi dëshirën personale të tij për të gjetur personazhin e një fotografie të cilën e kishte realizuar fotografia e luftës Alexandra Boulat, tashmë e ndjerë. Fotografia është bërë në fund të vitit 1998 në Kosovë, nga fotografia e cila kishte punuar për media të mëdha botërore si: “Time”, “Newsweek”, “National Geographic Magazine”. “Lokacionet se ku ka mundur të bëhej fotografia janë të diskutueshme”, thotë Bowden.

Në ditët e para të dhjetorit ai ka qenë në disa fshatra të Kaçanikut për ta kërkuar djaloshin e fotografisë, por pa sukses. “Vetura na ngeci në dy vende të ndryshme dhe ishte shumë ftohtë. Gjatë ditës hetuam se edhe informacioni nuk ishte edhe aq i saktë. Mendoj se duhet ndërruar lokacionin”, thotë ai, teksa nuk pranon të fotografohet me arsyetimin se “nuk është i rëndësishëm ai, por djaloshi”. Në një libër album të botuar para dy vjetëve me plot fotografi nga lufta në Kosovë, por dhe në versionin elektronik të këtij albumi, lokacioni i fotografisë së bërë nga fotografia e njohur botërore, Alexandra Boulat, thuhet të jetë rajoni i Drenicës.

“Shqiptarët e shpërngulur strehohen në pyje, teksa shohin se si Ushtria jugosllave djeg fshatin e tyre”, thuhet në përshkrimin e fotografisë. Aty shihet një djalosh që, sipas përshkrimet, besohet të ketë qenë mbi 10-vjeçar, i veshur me një këmishë të bardhë, por të zhyllosur mbi të cilën ka një xhemper të kaltër, teksa me një fytyrë të mrrolur dhe me duart e kryqëzuara shikon “fshatin e tij teksa digjet”. Fotografia është edhe pjesë e botimit “Fotografet e luftës” që është botuar në vitin 2006, një vit para se fotografia franceze që e ka realizuar fotografinë të vdiste.

UBT

“E di që shumë njerëzve do t’u dukej paksa e çuditshme sesi një amerikan, i cili bile as që e ka bërë fotografinë, po e kërkon këtë djalë, që tashmë është bërë burrë, vetëm për ta shikuar nëse gjendja e tij ka ndryshuar”, thotë Bowden, teksa shpjegon arsyen se përse është hedhur në kërkim të “djaloshit” kosovar. “Ai gjithmonë do të mbetet një djalosh për mua”, thotë ai. E gjithçka kishte nisur para dy vjetëve, kur Bowden do të ishte për pushime në Dubrovnik të Kroacisë. Një vizitë në një galeri të këtij qyteti, ku ishte e hapur një ekspozitë e fotografive të luftës, Bowden do të ndalej, veçanërisht në fotografinë ku kryepersonazhi i saj është një djalosh kosovar.

“Nuk e mbaj mend ekspozitën, sepse krejt çka mbaj mend është ky djalosh. U ula dhe e kam shikuar për dy orë. Kam menduar për shikimin e tij të thellë dhe të inatosur. Dhe për gjendjen e tij të keqe normalisht”, kujton Bowden. Vizita në këtë ekspozitë do të ndodhte edhe të nesërmen. Bowden kujton sesi po atë ditë është hedhur në kërkim të autores së fotografisë. Disa muaj më vonë, të njëjtën fotografi, familja e Bowden, përkatësisht vajza e tij, do t’ia bënte si dhuratë. “Megjithatë jo të gjithë në shtëpi pajtoheshin që ajo fotografi të rrinte në shtëpi, sepse nuk ishte diçka e bukur”, kujton Bowden. Fotografisë do t’i gjendej vendi në murin e zyrës së Bowden, i cili nuk do të vononte shumë që t’i hynte kërkimit më të thellë për origjinën e fotografisë dhe për mundësinë e gjetjes së “djaloshit”. Bowden thotë se një vit më pas ka shkuar tek nëna e fotografes franceze për të kërkuar më shumë detaje. Por nuk kishte marrë shumë ndihmë pasi që nuk kishte shumë të dhëna. “Nëna e Alexandras më pyeti se përse dua ta gjeja këtë personazh kur nuk ka diçka të rëndësishme. Në fakt këtë pyetje ma kanë bërë shumë veta, por përgjigjja është për të gjithë e njëjtë”, thotë Bowden. Ai ripërsërit shpesh se si për të është e rëndësishme që ta gjejë personazhin e fotografisë për të plotësuar një dëshirë që atij i kishte lindur në Dubrovnik. “Por mbi të gjitha ka të bëjë me humanen. Djaloshi nuk është ndonjë personalitet. Ai mund të jetë kudo në këtë kohë. Mund të mos pranojë fare të flasë e as të bisedojë me mua. Por unë jam duke e kërkuar”, thotë Bowden. “Por nëse ai do të pranonte të bëja një tregim për të, të shkruaja ndonjë shkrim në gazeta a revista, apo vetëm t’ia bëja një fotografi, do të më mjaftonte”.

Bowden do të hidhej shpejt në kërkim të informacioneve nga Kosova. Fillimisht do të kontaktonte fotografët ndërkombëtarë që kanë qenë gjatë luftës në Kosovë në tentativë të gjetjes së lokacionit të sigurt e më vonë do të nisej vetë në Kosovë. Por tek në shtator të këtij viti Jeff Bowden do të vinte në Kosovë. Atë e kishin telefonuar se djali ishte gjetur. “U emocionova”, thotë ai. Por Bowden do të dëshpërohej. Djali i cili ishte lajmëruar se është personazhi i fotografisë nuk do të dilte si i vërtetë. “Bisedova me të në forma të ndryshme në tentativë për të më dhënë argumente, por nuk ia doli. As ai por askush nga familja nuk mundi të më tregonte se ku është lokacioni.