Në Kamenicë diskutohet draft plani për të drejtat e fëmijës, identifikohen gjashtë fusha kyçe të veprimit

Kamenicë – Është mbajtur konsultimi publik për Draft-Planin e Punës të Ekipit Komunal për të Drejtat e Fëmijës në Kamenicë (2025–2027). Ekipi komunal për të Drejtat e Fëmijës i cili ka hartuar Draft-Planin e Punës të Ekipit Komunal për të Drejtat e Fëmijës për periudhën 2025–2027, ka mbajtur konsultimin publik për këtë dokument.
Koordinatorja e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, znj. Nazmije Demolli Kastrati, theksoi se ky plan është hartuar nga anëtarët e Ekipit Komunal për të Drejtat e Fëmijës, në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës.
Ajo shtoi se janë identifikuar gjashtë fusha kyçe të veprimit, të cilat janë të ndërlidhura mes vete dhe e bëjnë planin gjithëpërfshirës dhe koherent.
Ajo tha se fushat e veprimit të planit përfshijnë:
- Shërbime cilësore dhe gjithëpërfshirëse për fëmijë
- Vetëdijesim dhe avokim për të drejtat e fëmijëve
- Krijimi i hapësirave të sigurta dhe miqësore për fëmijë
- Promovimi i sportit, lojës dhe aktiviteteve rekreative
- Pjesëmarrja e fëmijëve në proceset vendimmarrëse
- Shëndetësia dhe mirëqenia sociale e fëmijëve
Për fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale foli znj. Filloretë Rexha, e cila prezantoi sfidat dhe rekomandimet për përmirësimin e qasjes së fëmijëve në shërbime cilësore shëndetësore dhe mbështetje sociale.
Në këtë takim morën pjesë zyrtarë komunalë, përfaqësues të institucioneve, qytetarë, mësimdhënës dhe fëmijë nga shkollat fillore të komunës.
Të pranishmit kontribuuan aktivisht përmes pyetjeve, komenteve dhe sugjerimeve, duke ofruar mendime të vlefshme për përmirësimin dhe finalizimin e planit të punës./rajonipress/