RCCOLA

Në Kamenicë debatohet për të Drejtat e Fëmijëve

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Kamenicë – Është mbajtur takimi i parë konsolidues i Ekipit për të Drejtat e Fëmijëve, me pjesëmarrjen e anëtarëve të ekipit dhe përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave relevante.

Në takim morën pjesë edhe Znj. Luljeta Ibishi Ferizi, Zyrtare e Lartë për Avancimin e të Drejtave të Njeriut pranë MAPL-së z. Naser Lajqi, Udhëheqës i programeve për mbrojtjen e fëmijës OJQ “Syri i Vizionit”

Ibishi Ferizi vuri në dukje rolin e rëndësishëm të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në monitorimin e komunave për zbatimin dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve, duke theksuar domosdoshmërinë e funksionalizimit të ekipeve komunale sipas standardeve ligjore.

Ndërsa, Lajqi ndau ekspertizën e OJQ-së “Syri i Vizionit” për të mbështetur hartimin e një plani konkret pune që pasqyron nevojat reale të fëmijëve në nivel lokal.

Eco Higjiena

Koordinatorja e NJKDNJ-së, Nazmije Demolli Kastrati në emër të Komunës së Kamenicës, konfirmoi përkushtimin për të hartuar një plan të detajuar dhe të implementueshëm në një afat të shkurtër, duke bashkëpunuar ngushtë me Ibishi Ferizi dhe Lajqi.

Ajo siguroi se plani do të jetë në interes të mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të fëmijëve.
Në fjalët e tyre, Znj. Luljeta Ibishi Ferizi dhe Z. Naser Lajqi përgëzuan Koordinatoren e NJKDNJ-së, Znj. Demolli, për bashkëpunimin e shkëlqyer, koordinimin efektiv dhe përkushtimin e saj në fuqizimin e të drejtave të njeriut në Komunën e Kamenicës.

Ata e cilësuan Znj. Demolli si shembull të përkushtimit dhe një model të suksesshëm në nivel vendi.

Takimi përmbylli diskutime të frytshme dhe u theksua rëndësia që të gjithë anëtarët e ekipit të jenë pjesë aktive e procesit të punës, duke siguruar përmbushjen e obligimeve dhe angazhimin maksimal në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve./rajonipress/