Hidromorava

Në hapësirat shqiptare të praktikohet besimi islam…

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Nga Sinan Sadiku – Thënia se hoxhallarët tanë nuk kanë ditur ta shpjegojnë dhe praktikojnë siç duhet besimin islam dhe tani janë duke e kryer këtë punë hoxhallarët e shkolluar në Arabinë Saudite nuk qëndron. Deri në vitin 1912 në këto vende ka sunduar Perandoria Osmanie (Turke).

Sulltani ka qenë edhe kalif, pra më i madhi i fesë islame në botë. Në tërë hapësirat shqiptare ka pas mejtepe, medrese, ndërsa jo pak hoxhallarë i kanë mbërri titujt më të lartë fetarë nëpër institucionet më të larta edukative të perandorisë në Stamboll e gjetiu. Andaj është absurde të thuhet se në këto hapësira nuk është njohur dhe praktikuar siç duhet besimi islam. Edhe pas viti 1912 e njëjta mënyrë e praktikumit të islamit është bartë nga brezi në brez. Tani më dihet se ekzistojnë jo me dhjetëra por me qindra, sekte, nënsekte dhe fraksione në islam.

Një numër sish, sektet e tjera i konsiderojnë joislame, armiqësore dhe e predikojnë luftën kundër tyre. Andaj në vendet arabe zhvillohen luftime midis pjesëtarëve të besimit islam që u takojnë sekteve të ndryshme. Në shumë raste madje zhvillohet luftë edhe midis pjesëtarëve të të njëjtit sekt, sepse disa nga udhëheqësit e tyre synojnë të arrijnë përfitime politike dhe përfitime të tjera grupore e personale në emër të fesë. Andaj në disa pjesë të vendeve myslimane të gjithë luftojnë kundër të gjithëve.

Ne si popull u takojmë tri besimeve fetare: besimit islam, katolik dhe ortodoks. Të gjithë jemi vëllezër të një gjaku. Kemi aq shumë gjëra të përbashkëta të cilat na bëjnë të jemi shumë më të afërt mes veti se me të tjerët. Realisht ne shqiptarët e besimit islam kemi shumë më shumë gjëra të përbashkëta me vëllezërit tanë të një gjaku të besimit katolik dhe ortodoks se sa me turqit, arabët, afganistanasit etj. I kemi të përbashkëta gjuhën, normat morale, normat zakonore, mënyrën e të jetuarit, sjelljet, botën shpirtërore, kulturën, trashëgiminë. Pra të gjitha ato që e përbëjnë identitetin e shqiptarit.

Pas luftës ky farë sekti i mjekroshëve është duke bërë përpjekje, duke hartuar projekte që ta ndryshoj besimin tonë tradicional islam, ta ndryshoj identitetin tonë dhe të na asimilojë, të na bëj arab. Sipas tyre ne duhet të vishemi si arab, të sillemi si arab, ta lëmë moralin tonë dhe ta përvetësojmë moralin arab, traditën arabe, sjelljen arabe. Ata nuk po e dinë se edhe neve na ka krijuar Zoti, Allahu, sikurse që i ka krijuar arabët. Edhe ne, edhe gjuha jonë edhe tradita jonë jemi krijesa të Allahut dhe nuk kemi as më të voglën arsye të ndihemi inferior në raport as me arabët e as me askënd tjetër. Përkundrazi duhet të ndihemi krenar me identitetin tonë shqiptar. Kuptohet gjithnjë duke u përpjekur për t`i zbuluar dhe përmirësuar dobësitë tona si individ dhe si popull dhe dukë u shërbyer me të arriturat dhe përvojat më të mira të popujve të tjerë.

Mjekërroshat janë në shërbim të projekteve të ndryshme politike, jo në shërbim të fesë. Janë në shërbim të atyre projekteve të cilat nuk i kanë sjell dhe as që do t`i sjellin ndonjë të mirë kombit shqiptar. Përkundrazi. Disa prej tyre më të përgatitur në aspektin intelektual, më të shkolluar, më inteligjent, më të mençur, më të informuar e dinë në shërbim të kujt janë. Ata punojnë për para.

Uji Dea

Janë egoistë dhe faktikisht janë shpirtra të shitur. Jam i bindur se ata e dinë që nuk janë duke ia bërë asnjë të mirë as kombit e as fesë, por gjithnjë njerëzimi më së shumti e ka pësuar nga njerëzit e mençur të cilët janë vënë në shërbim të projekteve antinjerëzore dhe antikombëtare. Me këta njerëz duhet të merren institucionet tona të sigurisë dhe gjykatat. Edhe intelektualët, njerëzit e dijshëm , të mençur që e donë atdheun dhe shqiptarinë duhet të shkruajnë, të bisedojnë dhe ti hedhin poshtë me argumente tezat e mjekërroshëve.

Të tillët( pra intelektualët që e ndiejnë veten krenarë sa janë shqiptarë) duhet të mbështeten nga shteti, të nxiten, të financohen. Këtë rol duhet ta luaj edhe sholla, fakulteti, media.

Nuk ka kuptim që imam i një xhamie në Kosovë të bëhet një njeri i cili është shkolluar në ndonjë vend arab dhe atje ka mësuar se besimi që gjithnjë është praktikuar në Kosovë nuk është islami i vërtetë. Në BIK nuk mund të bashkëjetojnë të gjitha sektet, nënsektet dhe fraksionet që ekzistojnë në islam e të cilat janë me qindra, të cilat sekte, nënskte dhe fraksione po luftojnë njëri kundër tjerrit në Irak, Siri, Afganistan, Paksitan…

BIK duhet të qeveriset dhe kontrollohet nga njerëz që e praktikojnë dhe ua mësojnë njerëzve, të rinjve atë fe islame që e kanë praktikuar, baballarët, gjyshërit, dhe stërgjyshërit tanë. Nuk na duhen hoxhallarë që na i mësojnë dhe na i bindin të rinjtë tanë të shkojnë e të vdesin në Siri, Irak… që atje të presin koka të njerëzve dhe veprën e tyre makabre, kriminale ta reklamojnë në facebook. Nuk na duhen hoxhallarë të cilët në vend se të rinjtë ti pajisin me ide humane për tolerancë, mirëkuptim dhe paqe ua shpërlajnë trurin dhe i përgatisin për terroristë.

Nuk na duhen hoxhallarë të cilët i bindin njerëzit tanë të mos e duan kombin e vet, të mos i çmojnë vlerat e veta dhe të mos jenë në dispozicion të luftojnë për ta mbrojtur atdheun e vet. Neve na duhen hoxhallarë të tillë siç kanë qenë Mulla Idris Gjilani, Hoxhë Kadri Prishtina, Haki Efendi Sermaxhaj e shumë e shumë të tjerë./rajonipress/